Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Paketa Anti-Shpifje” do të kalojë në Kuvend pa reflektuar opinionet e Komisionit të Venecias

Projektligji për mediat online do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë pa reflektuar opinionet e dhëna nga Komisioni i Venecias.

Ky informacion është marrë në rrugë jo zyrtare nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë në terrenin mediatik, të cilat së bashku kanë dalë me një qëndrim zyrtar.

Sipas deklaratës së organizatave, kthimi në kuvend i projektligjit për mediat online do të bëhet duke shqyrtuar dekretin e presidentit Meta dhe do të trajtojë vetëm pikat ku presidenti ka pasur vërejtje, pa shqyrtuar vërejtjet e tjera nga Komisioni i Venecias.

Pesëmbëdhjetë organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit të nisë procesin nga e para duke respektuar standardet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes.

Trajtimi nga ana e ligjvënësve i vetëm shqetësimeve të ngritura nga dekreti i Presidentit do të sillte injorimin e disa vërejtjeve shumë serioze të ngritura nga Komisioni i Venecias dhe për rrjedhojë, do të krijonte një ligj problematik dhe cenues të lirisë së shprehjes.”,-thuhet në deklaratë.

Organizatat i rikujtojnë Kuvendit se pika 72 e opinionit të Komisionit të Venecias rekomandon vetërregullim dhe jo rregullim administrativ.

Në pikën 72 të opinionit, Venecia rekomandon trajtimin e problemit të sjelljes dashakeqe dhe të papërgjegjshme në internet përmes vetë rregullimit dhe jo rregullimit administrativ, gjë që tregon se përpjekja e parlamentit për të çuar përpara këtë ligj bie ndesh me opinionin e Venecias“,-theksohet në deklaratë.

Çfarë rekomandoi Komisioni i Venecias për paketën “ Anti-shpifje”?

Në janar të vitit 2020, Këshilli i Evropës, i drejtoi një letër Komisionit të Venecias ku i kërkonte një opinion për “paketën antishpifje”, e cila kaloi në parlament në dhjetor të vitit 2019. Më 30 janar, në seancën e kuvendit ku pritej të miratohej kjo paketë, pa rishikuar ndryshimet e propozuara nga organizatat mediatike dhe faktorët ndërkombëtarë, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, u shpreh se do të presin opinionin e Komisionit të Venecias, duke e shtyrë votimin.

Në qershor, në një dokument prej 19 faqesh, Komisioni i Venecias e konsideroi projektligjin për mediat online me efekte negative në lirinë e medias nëse do të miratohej pa ndryshimet e propozuar më pas prej tij.

Komisioni sugjeroi rishikimin e pikave, të cilat i veshin AMA-s dhe Komisionit të Ankesave fuqi dhe kompetenca edhe pse janë organe të zgjedhura nga qarqet partiake.

Një tjetër pikë që sipas Komisionit të Venecias duhet ndryshuar janë gjobat dhe e drejta për të hequr materialin nga interneti. Sipas Komisionit gjobat janë jo proporcionale duke e krahasuar me gjendjen financiare të medias.

Menjëherë pas opinion të Komisionit të Venecias, reagoi Kryeministri Rama, i cili u shpreh se sugjerimet do të reflektohen pa humbur kohë.

Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi “Antishpifjen”!Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga Shpifja,si dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit.

— Edi Rama (@ediramaal) June 19, 2020

Deri më tani, për shkak të tërmetit dhe pandemisë, kjo çeshtje ishte lënë në hije, por me nisjen e sesionit parlamentar u rikthye sërish në diskutimin publik nga mazhoranca socialiste. Ligji i pagëzuar si “Anti-Shpifje” është konsideruar problematik në dhjetëra reagime të organizatave ndërkombëtare dhe opinionin e Komisionit të Venecias.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *