Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Historia e Endrit, Evës dhe rreth 50 fëmijëve të harruar në Siri që ngriti në protestë qytetarët e Tiranës

Daja, nuk e di a do flasim më”, ishte mesazhi i fundit që mori Abaz Ndregjoni, daja i Evës dhe Endri Dumanit, dy të mitur të cilët prej gjashtë vitesh jetojnë në kampet e Sirisë. Babai i tyre vendosi t’i bashkohej grupit terrorist ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë),  duke i marrë edhe ata me vete.

Prej asaj dite, familja Ndërgjoni ka vënë në punë çdo mekanizëm për t’i rikthyer fëmijët në Shqipëri, por tentativat kanë dështuar, institucionet nuk kanë arritur të ndërhyjnë për t’i sjellë ata në shtëpi. Nga ana tjetër, babai i fëmijëve Dumani ka vdekur vitin e parë të qëndrimit në Siri, çka ka rritur shqetësimin dhe agoninë e të afërmve.

Unë do ti bëj thirrje shtetit të mendojë për fëmijët, se fëmija është i i papërgjegjshëm. Ça ka ba i ati, ai u vra, kurse fëmija është engjëll, nuk ka përgjegjësi. Po të jetë shteti shtet, duhet të bëjë diçka“, tha Ndregjoni për Citizens Channel, i përmalluar për dy nipërit e tij.

Abaz Ndregjoni, protestues

Simbolikisht, dje, në 14 shtator, ditën e parë të shkollës, dhjetëra qytetarë iu bashkuan protestës “Të harruar në Siri, ktheni fëmijët në Shqipëri”, për të treguar se fëmijëve që gjenden në këto kampe janë të përjashtuar nga të drejtat bazike, siç  është edhe arsimi.

Sonja dhe Fatjon Ndërgjoni organizuan tubimin përballë Kryeministrisë dhe kërkuan bashkëpunimin e institucioneve shtetërore për të atdhesuar mbi 50 fëmijë të cilët ndodhen në kampet e Al-Hawl, në veri të Sirisë, të gjendur në kushte shumë të vështira.

Organizatorët tregojnë se kanë paraqitur pranë Drejtorisë së Policisë kërkesën për të zhvilluar tubimin, por ajo nuk është miratuar si rrjedhojë e pandemisë. Pavarësisht refuzimit, protesta u mbajt dhe zgjati rreth 30 minuta.

Protesta u zhvendos përpara hyrjes së Kryeministrisë, e teksa disa fëmijë mbanin banderolën me sloganin “Të harruar në Siri, ktheni fëmijët në shtëpi”, disa çanta shkollë u lanë në hyrje të godinës. Në ato momente, forcat policore ndërhynë dhe shpërndanë protestën.

Familjarët, të frikësuar se do të humbasin kontaktet me të miturit në kamp

Në komunikimin e fundit, Eva e cila prej disa vitesh jeton në Siri, i ka pohuar dajës së tij Abaz Ndërgjoni se mund të mos komunikojnë më pasi ekziston mundësia e zhvendosjes drejt një kampi tjetër.

Situata në kamp është shumë e keqe, mund t’i transportojnë në një kamp tjetër që është akoma më i rreptë se ky dhe në qoftë se i transportojnë atje kemi zero mundësi për të pas kontakt me ata dhe zero mundësi që ata të kthehen prapë në Shqipëri”, u shpreh për Citizens Channel Sonja Ndregjonaj, e afërme e dy fëmijëve.

Sonja Ndërgjoni, organizatore e protestës

Ajo kërkon nga institucionet përkatëse të ndërmjetësojnë në këtë situatë, pasi sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë rrezikshmëri paraqet për fëmijët që ndodhet në kamp.

Ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë me ata fëmijë, ata janë të mitur, janë subjekt i çfarëdo lloj fatkeqësie, çfarëdo lloj dashakeqësie që mund të kenë të tjerët mbi to dhe vetëm këto dy fjalë duhet t’i bëjnë ato organe që të veprojnë dhe mos të rrinë të heshtur. Janë të mitur, të pambrojtur”, vijon më tej Sonja Ndërgjoni.

Ndërgjoni tregon se Eva dhe Endri po mbijetojnë në kushte shumë të vështira.

Kushtet janë tmerrësisht të këqija, fëmijët ka raste që vuajnë edhe për ujë. Kjo është ekstremi. Është aq keq, sa ato nuk as ujë për të pirë”.

Daja i Evës dhe Endrit rrëfen se lumturia e tij më e madhe do të ishte rikthimi i nipërve të tyre në shtëpi, ndërkohë që pjesëmarrës të tjerë, të irrituar nga sjellja policore dhe neglizhenca institucionale, kanë përsëritur kërkesat.

Kërkojmë fëmijët tanë që kanë ngelur në Siri. Zoti Kryeministër, zoti President, ça i përket Kryeministrisë, nuk i intereson fare populli shqiptar. A kanë fëmijë ata, apo s’kanë? A kanë kalamaj ata apo s’kanë kalamaj? A mendojnë për familjen ata apo s’mendojnë? Çfarë do bëhet për ne?”, u shpreh një protestues për Citizens Channel.

Pjesëmarrës në protestën: “”Të harruar në Siri, ktheni fëmijët në Siri”

Daja i dy të miturve pohon se në Kosovë shteti, me anë të ndërmjetësimit, ka arritur të riatdhesojë dhjetëra fëmijë.

Edhe Kosova i mori 100 vetë, kurse shteti jonë as nuk e vuri ujin në zjarr. Se nuk e kemi lanë veç sot, qysh se kanë ik gjashtë vjet e sot, s’kemi lanë  vend pa shku, në qeveri, në ministri të jashtme, asnjë se çan kokën”, përfundoi Abaz Ndërgjoni.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *