Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Naftëtarët e Ballshit në ditën e dytë të grevës: “Do të qëndrojmë këtu deri sa të marrim përgjigje”

Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në ditën e dytë të grevës së urisë. Për shkak të situatës së pandemisë, vetëm 10 prej naftëtarëve janë ngujuar në ambientet e brendshme të qendrës shëndetësore të rafinerisë, ndërsa dhjetëra të tjerë qendrojnë jashtë uzinës.

Kemi ardhur që në mëngjes dhe këtu do të rrimë deri në darkë. Sa të marrim përgjigje, Ca të bëjmë tjetër, s’kemi rrugë tjetër. Kështu kemi ngelur si mall pa zot kemi ngelur. Shteti jonë ka rënë, punojnë vetëm për veten e tyre. Ne jemi në fund. Dritat na i kanë prerë, ujin po, bukë jo. Po bëjmë kaq vite, fëmijët na kanë lenë shkollat, kanë ikur emigrantë janë pa letra, po vdesin rrugëve të botës, ne po vdesim këtu. Ja ky është shteti jonë”,-u shpreh njëra nga punëtoret, e pranishme në oborrin e uzinës.

Naftëtarët shprehen të zhgënjyer pas muajsh protesta në Ballsh dhe në Tiranë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ata tregojnë se e vetmja përgjigje që kanë marrë ka qenë refuzimi i dialogut, dhuna policore dhe gazi lotsjellës.

Këtu na hodhën gaz lot-sjellës. Atje në Tiranë po na kapën të tërë nga krahët. Për ca, për bukën tonë, për djersën tonë. Ne s’kërkojmë salltanete, ne kërkojmë bukën tonë. Ata po i çojnë fëmijët nëpër shtete, ne i hoqëm fëmijët nga shkolla. Ne s’kemi bukë t’ju japim, jo më të paguajmë shkollën. S’kemi bukë t’ju japim, na kanë prerë ujin ,na kanë prerë dritat, ku të vemi. Ku të vemi, ne jemi në kufi të mbijetesës”,– rrëfeu njëra nga naftëtaret e pranishme në protestat e zhvilluara në Ballsh dhe në Tiranë.

Për shkak të ndërrimit të vazhdueshëm të kompanive private që kanë marrë në zotërim rafinerinë, ndaj tyre nuk është bërë pagesa e 27 muajve punë. Për disa prej pagave të prapambetura, naftëtarët kanë fituar edhe gjyqe, vendimet e të cilave akoma nuk janë zbatuar.

Kemi 27 rroga të prapambetura. Më të shumtat i kemi fituar, kemi bërë edhe një gjyq, edhe atë gjyq ata nuk e zbatojnë. Sepse jemi në Shqipëri. Mbaj mend një thënie të Gorbacovit në ’91 që ka thënë: ‘Komunizmi zhduket mbas 200 vjetëve, sepse ne nuk kemi lënë farë tjetër vetëm farën e komunizmit.’ Dhe atë duhet ta dinë mirë edhe këta politikanë që kemi neve, janë pjellë e komunizmit edhe më keq. Enver Hoxha i vriste në emër të popullit, kurse këta po i vrasin punëtorët në emër të privatit”,-tha naftëtari.

Kjo është greva e dytë e urisë e mbajtur brenda vitit 2020 nga naftëtarët e Ballshit, ndërsa e para u mbajt në shkurt dhe zgjati 12 ditë.

Më 22 shtator 2020, naftëtarët u njohën ligjërisht përmes një sindikate të re, e quajtur Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar.

Sindikata e Naftetareve te Bashkuar u njoh si person juridik nga gjykata ky eshte vendimi

Posted by Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar on Tuesday, 22 September 2020 

Ata tregojnë se ky organizim erdhi pasi sindikata e vjetër nuk qendroi pranë naftëtarëve gjatë krizës, duke mos përfaqësuar problemet e tyre.

Në një lidhje live që kemi bërë me Kol Nikollën ai nuk pranonte se na krahasonte ne si elefanti me mizën dhe ishte live në media. Sepse ata vërtet janë elefantë sepse ata kanë vjedhur djersën tuaj, pasurinë tuaj ndaj janë sheikër ata që rrinë atje, ishin krerët e sindikatës. Po të ishin burra ata le të vijnë këtu mes naftëtarëve, ata që na përfaqësojnë neve. Le të na japin shpjegimet çfarë kanë bërë me gjyqin. Pse ne gjendemi mbas tre vjetësh me gjyq të fituar pa marrë lekët”,– u shpreh para naftëtarëve kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj.

Sokol Dautaj, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *