Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrjedha e trazuar e vendimeve mbi Vjosën; Aktivistët ende skeptikë për anulimin e HEC-eve nga qeveria

Pedagogë të Universitetit të Tiranës, bashkë me shkencëtarë të huaj dhe organizatën mjedisore “EcoAlbania”, bënë një takim në Vjosë ku inaguruan qendrën e re kërkimore të quajtur “Fritz Schiemer”. I pranishëm në këtë takim ishte dhe Presidenti Ilir Meta.

Ky institucion, i pari i këtij lloji në Shqipëri, mban emrin e akademikut dhe shkencëtarit austriak, i cili prej vitesh është angazhuar në mbrojtje të lumit. Kjo hapësirë do të shërbejë si bazë për studentët dhe kërkuesit e tjerë që të evidentojnë pasuritë që mbart lumi i fundit i egër në Evropë.

Grupi i akademikëve teksa ndodhej në terren, përkatësisht në Kalivaç të Tepelenës, duke përsëritur edhe një herë pse lumi Vjosë duhet të ruhet, u përball me një zhvillim të papritur.

Kryeministri i Shqipërisë, një ditë pasi qeveria mungoi në tryezën e diskutimit, e thirrur nga Presidenti Meta, deklaroi në Twitter se nuk do të ketë diga në lumë.

Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen!

— Edi Rama (@ediramaal) September 25, 2020

Reagimi vjen pas një vendimi të datës 15 shtator, siguruar nga Porta Vendore, ku Ministria e Mjedisit, i sugjeron autoriteteve përkatëse, konkretisht Këshillit Kombëtar të Territorit, të mos i jepet leja firmës turke “Ayen – Alb”  për të vënë në punë këtë hidrocentral në zonën e Kalivaçit.

Ministria e Mjedisit mbështeti sugjerimin e anulimit të lejes në 9 pika të argumentuara, duke rënditur ndikimet negative në mjedis, jetën e banorëve dhe në ekoturizëm.

Historiku i HEC-it në këtë pjesë të lumit daton që prej vitit 1997. Pavarësisht lejes së dhënë, ndërtimi i digës ka filluar në 2007, por është ndërprerë disa here. Momentalisht punimet atje janë pezulluar.

Në muajin qershor të 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rihapi tenderin për përfundimit të digës në Kalivaç, pavarësisht se organizata ndërkombëtare dhe kombëtare kishin ofruar argumente pse Vjosa duhej ruajtur.

Reagimi i Ramës u prit me një entuziazëm të kontrolluar nga aktivistët mjedisorë. Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania pohoi deklarata e Kryeministrit mund të analizohet në dy qasje të ndryshme.

Përderisa ai e ka thënë ka dy mundësi, ose ka vërtetë më shumë informacion dhe në Vjosë nuk është se bëhet diçka, përsa i përket hidrocentraleve, ose janë retorika boshe të fushatës politike. Këtë nuk di ta them por nëse do të ketë një hap tjetër pas këtij reagimi, i cili do të provonte seriozitetin e deklaratave të kryeministrit, do të ishte padyshim çelja e një dialogu“, tha Nika.

Nga ana tjetër, kërkesa e shkencëtarëve është që Vjosa të shpallet në gjithë rrjedhën prej rreth afro 200 km që përshkon Shqipërinë, Park Kombëtar.

“Ta shpëtojmë zemrën blu të Evropës” tregon se në lumin Vjosë, në degën që rrjedh në territorin e vendit tonë, janë planifikuar 31 hidrocentrale, 7 prej të cilëve janë anuluar ndërsa hidrocentralet e tjera janë planifikuar të ndërtohen në degët e saj.

Deklarata e Ramës, vite pas refuzimesh për dialog me palët e interesit

Të enjten e javës së shkuar, Presidenti Meta thirri në një tryezë të përbashkët palët e interesit për të diskutuar fatin e lumit Vjosë. Të ftuar në atë takim ishin edhe përfaqësues të Qeverisë Shqiptarë, të cilët nuk u paraqitën.

Shkencëtari Schiemer tregon se janë përpjekur vazhdimisht të dialogojnë, ndër vite, por kanë dështuar.

Dhe gjithashtu, bëhem pak emocional, mundohem mos të jem, sepse ata refuzojnë dialogun. Ne kemi tentuar të kontaktojmë Qeverinë, institucionet shumë shumë shpesh dhe ata kurrë nuk ishin pozitivë, ata nuk u ulën kurrë në tavolinë me ne për të diskutuar këtë tematike seriozisht. Sigurisht ti mund të kesh këndvështrimin dhe argumentet e tua por ata duhet të bëjnë dialog. Dhe kjo gjë mungon”, tha ai për Citizens Channel.

Fritz Schiemer, akademik dhe shkencëtar austriak

Nga ana tjetër, profesori pranë Universitetit të Tiranës, Aleko Miho u shpreh se në Shqipëri janë planifikuar të ndërtohen mbi 700 hidrocentrale dhe ruajtja e lumit Vjosë tërësisht të paprekur mbart rëndësi ndërkombëtare.

Shumë lumenj të tjerë janë prekur nga digat, lumi i Vjosës është i pandikuar, në gjendjen thuajsë natyrore që nga burimi e deri në det. Si i tillë, në këtë valë të madhe të ndërtimit të HEC-eve në të gjithë Ballkanin kërkohet që atëherë që ky lum është mirë që të ruhet si i tillë”.

Aleko Miho, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës

Schiemer e konsideron tërësisht të dëmshme ndërtimin e hidrocentraleve, duke e quajtur atë katastrofë mjedisore dhe ekonomike.

Unë mundohet të rris ndërgjegjësimin në aspektin shkencor, për menaxhimin e lumit, çfarë lloj dëmi mund të shkaktosh kur keqmenaxhon një lumë. Ky është një shembull. Është shumë e dukshme, është një situatë ku të gjitha palët humbasin. Është një katastrofë ekonomike, katastrofë mjedisore. Nuk e di pse Qeveria dhe koncensionarët nuk e rikonsiderojnë”.

Bashkia Tepelenë, kundër ndërtimit të hidrocentralit

Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të Bashkisë Tepelenë. Aleksandër Toti, zëdhëndës, tregon se hidrocentralet e miratuara bien ndesh me politikat e tyre vendore.

Gjatë kësaj kohe jemi përballur me situata jo fort të mira për shkak se disa vendime të më përparshme të viteve 2009, 2012, fillim të vitit 2013 ka pasur vendime për ndërtimin e HEC-eve në këto zona që cenojnë dhe bien ndesh me politikat që ne si autoritet vendor zhvillojmë. Kjo ka qenë arsyeja që ne kemi mbështetur si kauzë dhe Vjosa njihet si e Tepelenës, pavarësisht se ajo përshkon Përmet, Memaliaj dhe deri në Vlorë”, artikulon Toti për Citizens Channel.

Aleksandër Toti, zëdhëndës i Bashkisë së Tepelenës

Ai shpjegon se fokus i tyrë është zhvillimi i ekoturizmit dhe turizmit rural.

Ajo që i ngelet Tepelenës është turizmi. Është në politikat e institucionit zhvillimin e ekoturizmit dhe turizmit rural për të cilin po punojmë prej mëse pesë vjetësh dhe kemi qenë të angazhuar për ta mbrojtur këtë lumë, sepse sikurse e pohojnë edhe zërat e shkencëtarëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, është mjaft e rëndësishme për të gjithë ne”, përfundon ai.

776 shkencëtarë krah për krah me Vjosën

129 ekspertë mjedisorë shqiptarë, iu bashkuan listës së plotë të 776 shkencëtarëve nga 46 shtete që nënshkruan peticionin ku kërkohet pushimi i projekteve që do të ngrenë diga në lumin e vetëm të egër në Evropë.

Shkencëtarët për Vjosën/ Foto: Entenela Ndrevataj

Ky peticion iu drejtua qeverisë shqiptare, përkatësisht kryeministrit, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai mbetet një ndër peticionet më të mëdha të shkencës në ekologjinë e ujërave të ëmbël, në rang botëror.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *