Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rihapja e ambienteve të brendshme të bareve dhe restoranteve nuk rikthen shpresat për rritje të aktivitetit ekonomik

“Pandemia na shkatërroi fare, rinia po ikën! Kush do konsumojë, mosha e tretë? Ne nuk po jetojmë, ne po mbijetojmë. E do troç? Mezi marrim rrogat!”, kështu u shpreh banakierja Daniela Brahilikaj, 19 vjeçarja nga Mati e cila prej më shumë se një viti është e punësuar në një bar kafe në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë.

Pas muajsh ndalesë për shkak të msave kundër COVID-19, dita e sotme shënon hapjen e  ambienteve të brendshme të bareve dhe restoranteve.

Rregullorja e publikuar dje nga Instituti i Shëndetit Publik përcakton se distanca mes tavolinave në ambientet e brendshme duhet të jenë në distancë prej dy metra si edhe të sigurojnë dezinfektuesin dhe ajrimin e ambientit 5 herë në ditë.

Kufizimet e pandemisë përgjysmojnë xhiron e restoranteve dhe bareve

“Brenda restoranti kemi 10 tavolina, tani me masat e distancimit social, do jenë 5, gjysëm përgjysëm pra”, tregon Erion Cela kamerier në një restorant pranë  Pazarit të Ri në Tiranë.

Ai shton se ndryshimet nuk janë konstatuar vetëm te xhiro pronarit, por edhe te punëtorët, bakshishet pothuajse i kanë harruar fare.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj thotë për Citizens Channel se po promovohet si një arritje shumë e madhe hapja e hapësirave të brendshme të bareve dhe restoranteve, po ndërkohë harrohet se kjo është një hapje gjysmake.

Enri Jahaj

“Nëse jashtë ke pasur dy tavolina, brenda i bie të kesh një tavolinë, kështu që kjo sjell një lloj cungimi”, tregon ai, “për sipërfaqen e brendshme që kanë shumica e bareve dhe e restoranteve është totalisht e pajustifikueshme mbajtja e stafit, në këto kushte”, shton Jahaj.

Gëzim Gjylo, përgjegjës i restorantit “Markata e Peshkut” rrëfen se ky restorant mund të punojë me vetëm 3 – 4 tavolina në hapësirën e brendshme: “Më shumë është e pamundur, në kushte normale do ishte do ishte 10 – 11 tavolina, d.m.th. as 40 %”.

Foto nga “Markata Peshkut”, Tirane

“Situata që kaluam katër muaj pas rihapjes, u pa që ishte shumë e vështirë, ishte pothuajse 1\3 e punës që ka qenë, ose 30 – 40 % e punës që kemi pasur në të njëjtën periudhë vjet” tregon Gjylo.

Banakierja Daniela Brahilikaj rrëfen për Citizens Channel se më parë kanë qenë katër veta staf në bar kafenenë ku punon, por tani ka mbetur vetëm ajo dhe një kameriere.

“Të shohim si do shkojë, por sot si ditë e parë bosh ka qenë brenda. Ky është lokal më shumë për moshën e tretë dhe kanë frikë njerëzit. Mundohemi të kemi shpresë se situata do ndryshojë, por varet si do eci pandemia” ka përfunduar Daniela.

Enri Jahaj sugjeron se këto biznese mund të ndihmoheshin duke reduktuar TVSh në masën 6 % si edhe reduktimin e taksës për tatim fitimin për dy vite.

Lokalet e natës mbeten të mbyllura, artistët pa përkrahje ekonomike

Pavarësisht ndryshimeve që solli 1 Tetori për baret dhe restorantet, diskotekat dhe lokalet e natës vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj thekson se ende nuk ka asnjë zgjidhje për punonjësit e këtij sektori, duke i konsideruar ata heronj.

“Duhet të dinë dhe këta njerëz se çfarë do të ndodh me ta se në fund të fundit për sa kohë janë taksapagues, të gjithë janë me licenca, kanë një të drejtë mbështetje, kanë një të drejtë legjitime të kërkojnë ndihmë”, thekson ai.

Sipas tij është i domosdoshëm rishikimi i mënyrës sesi mund të suportohet ky grup që përfshin një sër profesionesh si balerinët, instrumentistët, këngetarët, DJ, të cilët kërkojnë të ushqejnë familjet e tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *