Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Spektakli politik me të rikthyerit nga Siria rrezikon të kthehet në një traumë të dytë për minorenët

5 video live dhe një “foto e ditës” të postuara në rrjetin social “Facebook” të Kryeministrit Rama përcollën në detaje gjithë rrugëtimin e 4 fëmijëve dhe një gruaje shqiptare nga kampi i Al Howl, Siri, në mesditën e 27 tetorit.

Që prej fillimit, videoja paralajmëronte nisjen e Kryeministrit Rama në Liban për të marrë pjesë në këtë operacion kompleks, sikurse ai e konsideroi.

Udhëtimi i Kryeministrit nga Libani shfaqet i detajuar në një tjetër video, ku nuk kursehen as intervistat me në sfond të miturit dhe gruan, tashmë publike për të gjithë. Video reportazhi i Kryeministrit nuk kurseu as momentet private, sikurse ishte takimi i njërit prej fëmijëve me nënën e tij.

Gjithë procesi trumbetues i kthimit të shqiptarëve nga Siria, për specialistët e komunikimit shihet si një propagandë e përdorur për qëllime politike.

Ne kemi parë në të shkuarën, shumë vende të rajonit si Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, të cilët kanë bërë kthime të këtyre personave, të grave dhe fëmijëve, por edhe të të burgosurve burra dhe në asnjë rast nuk kemi parë asnjë lloj protagonizmi nga ana e kryeministërve apo presidentëve të vendeve.

Fatjona Mejdini, gazetare

Flas për Ballkanin, për të mos folur pastaj për vendet e tjera si Franca, Danimarka, SHBA-ja, që gjithashtu e kanë trajtuar këtë çështje si një çështje thellësisht të sigurisë shtetërore dhe një çështje nga e cila figurat e rëndësishme politike siç janë Kryeministri apo Presidenti apo figura të tjera politike duhet të qëndrojnë larg”,-u shpreh Fatjona Mejdini, gazetare dhe koordinatore për Ballkanin pranë “Global Initiative”.

Përpos lajmit pozitiv që mbart kthimi i tyre në Shqipëri, sërish përdorimi i fëmijëve është kryer në vazhdën e përfitimit elektoral apo për rritjen e popullaritetit të Ramës, thekson Mejdini.

Në këtë kuadër nuk është vënë interesi i fëmijëve parësor, por është vënë interesi i populizmit të kryeministrit dhe e gjithë situata, shkuarja e Kryeministrit në Liban, shkuarja e Ministrit të Brendshëm në Liban, vendosja e prozhektorëve te fëmijët, vendosja e prozhektorëve te nënat, të cilat prisnin fëmijët teksa ktheheshin nga aeroporti i Rinasit, e gjithë kjo duket si një fushatë, e cila është një fushatë publicitare dhe në fakt jo një operacion humanitar ashtu siç duhet të ishte”.

Ekspertët: Ekspozimi mediatik çon në ri-traumatizim të fëmijëve që kanë kaluar traumë 

Para gjashtë vitesh, dy të miturit e familjes Ndregjoni u morën nga babai i tyre dhe u larguan për në Siri. Sot vetëm njëri prej tyre arriti të kthehej në Shqipëri, ndërsa vajza gjendet akoma në kampet e Sirisë. Kjo është historia e 50 fëmijëve që gjenden ende në kamp.

Sipas psikologes Irena Shtraza, largimi në moshë minorenë, vetëm me njërin prind, por më së shumti përjetimi që kanë kaluar në kampet e luftës në Siri,duke qenë përherë të rrezikuar për të humbur jetën, padyshim që ka ndikuar thellësisht në aspektin psiko-emocional të tyre.

Mirëpo, rikthimi i tyre në Shqipëri nën shoqërimin e bliceve të aparateve fotografike dhe kamerave do të thotë të ri-traumatizohesh sërish, por në këtë rast për qëllime të të tretëve.

S’duhet harruar që fëmijët nuk mund të trajtohen si të rritur nga media apo kushdo që e përdor imazhin dhe historinë e tyre për qëllime që s’janë të lidhura me mirëqenien e fëmijës në fjalë. Në disa situata, unë do thosha në çdo situatë, ku fëmija ka përjetuar traumë apo është në situatë vulnerabiliteti, çfarëdo ekspozimi mediatik, qoftë edhe vetëm duke e bërë të identifikueshëm fëmijën dhe familjen e tij/saj, bëhet shkas për shtim të vështirësive në procesin e rimëkëmbjes psiko-emocionale të fëmijës dhe familjes”,-sqaron Irena Shtraza, psikologe dhe psikoterapiste grupanalitike në supervizim, njëkohësisht edhe aktiviste për të drejtat e njeriut.

Irena Shtraza, Psikologe dhe psikoterapiste grupanalitike në supervizim, aktiviste për të drejtat e njeriut

Sipas psikologes Shtraza, kjo vështirësi në rimëkëmbje vjen edhe si pasojë e ndjeshmërisë që ka kjo çështje, duke qenë se prek ekstremizmin fetar dhe e vë familjen dhe fëmijën në situatë të rrezikshme.

”Në këtë rast, kemi të bëjmë me nivele ekstreme të traumës së përjetuar, traumë që me shumë gjasë ka shkaktuar dëme të pariparueshme në psiken e  tyre, por edhe të familjeve të tyre që kanë jetuar një situatë ankthi të papërshkrueshëm. Akoma pa kuptuar qartë magnitudën e dëmit që kanë pësuar këta fëmijë dhe familjet e tyre, nuk mund të bëhen gabime të tilla si bërja publike e identitetit  të tyre dhe mediatizimi i pakujdesshëm i traumës. Keta fëmijë e familje janë shënuar përjetë dhe nuk duhet në asnjë mënyrë ta vështirësojmë akoma më shumë procesin e rimëkëmbjes së tyre”,-sqaron ajo.

Reagime: Shqetësim paraqitja në media rasti i fëmijëve të kthyer në Shqipëri

Publikimi i të dhënave personale, fotove dhe videove i fëmijëve të kthyer nga Siria, solli reagim edhe nga Këshilli Shqiptar i Medias.

“Publikimi i fotove dhe videove të katër fëmijëve u bë në fillim nga Kryeministri, më  pas nga mediat televizive. Lajmi u rimor më tej nga të gjitha mediat që kanë publikuar informacione me emrat dhe fotot e fëmijëve, ku dukshëm gjendja e tyre ka qenë e rënduar dhe tepër shqetësuese”

Sipas Këshillit të Medias publikimi është në shkelje të Kodit të Etikës.

“Ky publikim është në shkelje të rëndë të Kodit të Etikës pasi në asnjë rast nuk duhej publikuar identitetit të fëmijëve, as fotot e as emrat. Këto publikime do të mbeten në rrjet për vite të tëra duke i ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme fëmijët në të ardhmen, por dhe kur të arrijnë moshën madhore. Fëmijët nuk kanë zgjedhur ta bëjnë publike këtë moment tragjik të tyre, të tjerët po i ekspozojnë ata”.

Posted by Këshilli Shqiptar i Medias – KSHM on Thursday, 29 October 2020

Në përfundim KSHM i kërkon autoriteteve qeveritare të tregojnë kujdes në mos dekonspirimin e identitetit të fëmijëve.

Vemendje për trajtimin e çeshtjes me delikatesë ka kërkuar edhe UNICEF në Shqipëri. Teksa ka përgëzuar kthimin e fëmijëve në Shqipëri, ka kërkuar nga media garantimin etikës në këtë proçes.

Ne i bëjmë thirrje medias dhe gazetarëve që të garantojnë etikë dhe kujdes maksimal, në mënyrë që gara për lajme të bujshme mos t’i tronditë ose t’i traumatizojë fëmijët edhe më shumë. Kodi i sjelljes dhe instrumente mbrojtëse të tjera duhet të zbatohen në çdo situatë dhe mjedis të mundshëm, për të shmangur dëme të mëtejshme mbi fëmijët gjatë kësaj periudhe tejet të ndjeshme”,-thuhet në deklaratën e UNICEF Albania.

Deklaratë e #UNICEFAlbania

Zyra e UNICEF në Tiranë, përgëzon kthimin e disa fëmijëve shqiptarë në vend. Ky është lajm i…

Posted by UNICEF Albania on Tuesday, 27 October 2020

Si mund të integrohen në shoqëri të kthyerit nga Siria? 

Në vitin 2015, Qeveria Shqiptare miratoi Strategjinë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe tanimë ekziston një qendër me të njëjtin emër, e cila synon të trajtojë ekstremizmin.

Lejdi Dervishi, kreu i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, e ftuar në A2 CNN, deklaroi se po punohet edhe për trajtimin e të rikthyerve në të gjitha grupet, qoftë trajtimi psikologjik dhe social i tyre.

Për psikologen Irena Shtraza, është shumë e rëndësishme që në trajtimin psikologjik të fëmijëve që kanë kaluar trauma, të ketë një vlerësim të detajuar nga specialistët e shëndetit mendor, por edhe për familjet e fëmijëve. Ndërsa thekson se mbështetja duhet të jetë shumë dimensionale.

Siguria fizike e fëmijës dhe familjes duhet të vijë e para, dhe nëse lind nevoja familja mund të shpërngulet nga vendbanimi në një vend tjetër më të sigurtë. Njëkohësisht duhen siguruar kushte bazë për jetesën e familjes (banesë, punësim, etj), ndërkohë që duhet të punohet intensivisht për rimëkëmbjen psiko-emocionale të tyre nëpërmjet mbështetjes afatgjatë psikologjike të dedikuar për fëmijën, si dhe për familjen”.

Sipas Shtrazës në të gjithë procesin e ri integrimit është e rëndësishme që fëmija të ndjehet i sigurtë dhe të mos ndjehet fajtor për atë që ka ndodhur me të. Ndërsa kërkon një angazhim shumë serioz institucional, gjë e cila shpesh është e pamundur nga institucionet.

Kjo nuk vjen për shkak të mungesës së profesionistëve të shëndetit mendor në vend, por për shkak të burimeve të kufizuara njerëzore në institucionet tona publike. Profesionistët e qendrave komunitare e të shkollave janë të mbingarkuar pasi duhet të mbulojnë një numër shumë të madh rastesh. Mendoj se në rastet e fëmijëve të kthyer nga Siria do të ketë një angazhim serioz nga institucionet publike, ndoshta duke punësuar staf profesionist që do e ndjekë nga afër procesin e reintegrimit psiko-social të tyre”,-përfundon psikologia Shtraza.

Kthimi i fëmijëve nga Siria vjen një muaj e gjysmë pas protestës që familjarët dhe qytetarë mbështetës zhvilluan para Kryeministrisë, ku kërkuan bashkëpunimin e shtetit për atdhesimin e 50 fëmijëve që ndodhen në kampet  Al-Hawl, në veri të Sirisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *