Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kushtet e vështira ekonomike detyrojnë naftëtarët të pranojnë marrëveshjen me qeverinë

Naftëtarët e Ballshit zhvilluan pasditen e djeshme një takim me Kryeministrin Rama për të negociuar për situatën e vështirë ekonomike në të cilën ata ndodhen pas ndërprerjes së punës në rafineri dhe mos marrjes së pagave të prapambetura.

Pas takimit, kryeministri Rama u shpreh se këto janë çeshtje që nuk lidhen me Qeverinë, por i takon Qeverisë ta lehtësojë bashkë me naftëtarët. Ai u propozoi naftëtarëve një pagë dhe marrjen e asistencës prej muajit janar 2020.

Ne i kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për të gjithë këta punëtorë. Nuk mund të jetë paga e punës së tyre sepse faktikisht rafineria është e fikur, por natyrisht nuk flasim për pagën e asistencës”,– u shpreh Kryeministri Rama.

Edi Rama, Kryeministër

Lidhur me pagat e prapambetura, të cilat naftëtarët kanë kohë që i kërkojnë edhe si një e drejtë e fituar me gjyq, Kryeministri përsëriti sërish se kjo është një çeshtje që nuk i përket Qeverisë.

“Nuk merremi ne me pagën e prapambetur, nuk është çështja jonë paga e prapambetur. Paga e prapambetur është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë dhe vendimi gjyqësor për të cilin ata flasin është një vendim gjyqësor që lidhet me detyrimet e kompanisë, jo me detyrimet e qeverisë. Qeveria për një sistem si ky që kemi zgjedhur para 30 vjetësh nuk merr përsipër të zgjidhë ato çështje të cilat janë kompanitë që i zgjidhin”,-deklaroi Rama.

Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj, u shpreh se nuk janë të kënaqur me çfarë Kryeministri Rama dhe përfaqësues të Qeverisë propozuan, por do të vendosin për një vendim pas diksutimeve me naftëtarët.

Me zotin Rama kërkesa e parë që është diskutuar është kërkesa për pagat tona të prapambetura. Nuk është arritur marrëveshja për pagat e prapambetura, mbas një diskutimi të gjatë, asnjëra nga palët nuk ka rënë dakord për pagat, sepse ne kemi ngulur këmbë që i kemi të panegociueshme këto paga. Është arritur të hidhet në vazhdim ideja për muajt në vazhdim të dhënies së një page, jo pagë asistencë, një pagë e ndërmjetme midis pagës që ne marrim në rafineri dhe një page të pranueshme. Ky është një vendim që do të merret nga naftëtarët ditën e nesërme”.

Sokol Dautaj, Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar

Naftëtarët pranojnë propozimin e Qeverisë: “Kushtet e vështira ekonomike na detyrojnë ta pranojmë”

Mëngjesin e sotëm, naftëtarët e Ballshit u mblodhën para uzinës për të vendosur në lidhje me propozimin e Kryeministrit Rama.

Ata kanë vendosur ta pranojnë propozimin e Qeverisë, si e vetmja zgjidhje e përkohshme në kushtet e vështira ekonomike në të cilat ndodhen.

“Ai vetë (Kryeministri) premtoi për një pagë ndërmjetëse midis pagës minimale dhe pagës që ne marrin në rafineri. Nga punëtorët u gjykua e arsyeshme, duke parë theksoj edhe njëherë anën e dobët ekonomike prej 11 muajsh ne jemi pa marrë asnjë lloj ndihme financiare, as asistencë sociale dhe as një lloj page tjetër. Punëtorët të detyruar nga kushtet ekonomike kanë pranuar që të jepet kjo pagë. Kushtet ekonomike na detyrojnë që ne jo vetëm ta pranojmë këtë, por ta pranojmë një orë e më parë sepse ne do derdhim gjithë detyrimet tona që ata nuk ti falin që nga dritat, ujin e gjithë detyrimet e tjera“,- u shpreh Sokol Dautaj.

Por ata shprehen të vendosur për pagat e prapambetura, duke theksuar se do ta cojnë këtë ceshtje deri në Bruksel.

“Njëkohësisht mbi problemet tona që ne kemi pasur të mbartura për pagat e prapambetura që unë theksoj edhe njëherë ishin të pa negociueshme, do vazhdojë rruga gjyqësore, të detyruara duke mos gjetur një zgjidhje ditë ne djeshme nga pala qeveritare e cila nuk i mori përsipër këto paga, por ja delegon kompanisë private, ne do të vazhdojmë rrugën gjyqësore deri në Strasburg”,- theksoi Dautaj.

Megjithatë ata shprehen skeptikë për rinisjen e punës në rafineri për shkak të eksperiencave të kompanive të mëparshme.

“Zoti Kryeministër le të dalë garant për kompaninë që do të ofrohet, për arsye se pas gjashtë muajsh ne do ri gjendemi përsëri në grevë. Nuk ia urojmë të gjithë kolegëve që të ndodhi e njëjta situatë”. 

Kryeministri Rama reagoi menjëherë pas vendimit të naftëtarëve, duke premtuar se brenda 48 orësh do të takohen sërish ëpr të ndërmarrë hapa konkretë.

Jam i kënaqur që naftëtarët e pranuan propozimin e qeverisë. I falenderoj për mirëkuptimin dhe besimin. Tani e ka radhën…

Posted by Edi Rama on Tuesday, 10 November 2020

42 ditë të ngujuar 

Më 28 shtator, naftëtarët e Ballshit vendosën të hyjnë në grevë urie, pas mos dëgjimit të kërkesave të tyre nga institucionet shtetërore. Marrja e pagave të prapambetura dhe rikthimi në punë në rafinerinë e Ballshit ishin dy kërkesat kryesore që shoqëruan marshimet e protestat një vjeçare të naftëtarëve, si në qytetin e Ballshit, ashtu edhe në sheshin para Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.

Përballë heshtjes qeveritare, adresimit të problemit në drejtim të kompanive private, zhveshjes së përgjegjësisë dhe mos mbështetjes shtetërore, naftëtarët vendosën të sakrifikohen duke u ngujuar për 42 ditë në ambientet e qendrës shëndetësore të rafinerisë.

Pas 17 ditësh të ngujuar, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, naftëtarët ia lanë vendin naftëtareve, të cilat e vazhduan kauzën e tyre për 25 ditë të tjera.

Në ditën e 26 naftëtaret dolën nga greva me shpresën se do të negocionin me Kryeministrin Rama dhe do të arrinin një zgjidhje të volitshme. Dalja nga greva erdhi pas thirrjesh të vazhdueshme të Kryeministrit Rama, pasi sipas tij nuk do të negocionte në kushte greve.

Sot naftëtarët pranuan propozimin e Ramës për marrjen e asistencës nga janari i vitit 2020 si dhe një pagë ndërmjet asaj minimale dhe pagës së rafinerisë, për të cilën do të zhvillohen takime të tjera për të rënë në dakordësi me Qeverinë.

Hap pas hapi – çfarë ndodhi në rafinerinë e Ballshit

Prej muajit janar të vitit 2020, naftëtarët kanë dalë në rrugë, duke protestuar pranë rafinerisë për pagat e prapambetura. Në shkurt 2020, ata hynë në grevë urie për herë të parë, duke ndenjur 12 ditë. Nga ajo greve urie arritën vetëm të merrnin disa prej pagave të prapambetura, por nuk mundën të ktheheshin në punë.

Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mblodhi në një tryezë të përbashkët task forcën e ngritur për naftën, ku ndër të tjera lajmëroi rikthimin e kompanisë ALLUM dhe rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit brenda muajit qershor.

Gjatë muajve të verës protestat e naftëtarëve kanë qenë të vazhdueshme në qytetin e tyre. Më 26 gusht naftëtarët protestuan sërish para rafinerisë duke krijuar përplasje edhe me policinë.

Më 3 shtator, pas një takimi me kompaninë Allum i arrit marrëveshja për rifillimin e punës, ndërsa iu premtua një paradhënie prej 50.000 lekësh.

11 shtator 2020, ishte dita e fundit e përmbylljes së marrëveshjes, sipas të cilës do të përfundonte nënshkrimi i kontratave dhe do të riniste puna. Të hënën naftëtarët u nisën për të punuar, por kompania shkëputi çdo kontakt me ta.

17 shtator naftëtarët protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, por nuk morën asnjë përgjigje nga ky institucion.

10 ditë më pas, naftëtarët hynë në grevë ne dytë të urisë, që vazhdoi për 70 ditë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *