Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Durrës: Trashëgimia Kulturore viktimë e urbanizimit dhe neglizhencës, në pritje të “rimëkëmbjes” pas tërmetit

“Nga të gjitha qytetet e botës, të galaksive po deshët, zgjedh vetëm një, Durrësin…” kështu shprehet akademiku Artan Fuga në një nga shkrimet e tij referuar qytetit bregdetar.

Historia e Durrësit mund të krahasohet me qytetet më të mëdha antike të Mesdheut; gjurmët e të cilit datojnë që në shekujt XII-XI përpara Krishtit.

Një vëzhgim në faqen zyrtare të Bashkisë së qytetit, tregon një sërë monumentesh historike që i propozohen vizitorëve si dëshmi të trashëgimisë së Durrësit.

Por cila është në të vërtetë gjendja aktuale e objekteve të klasifikuara si “Monument Kulture i Kategorisë së Parë”?

Monument kulture është objekti ose ndërtimi me vlera historiko-kulturore, që mbrohet nga shteti. Objekti i trashëgimisë kulturore kulturore ka këto shkallë mbrojtjeje: në vrojtim; b) në mbrojtje paraprake; c)  monument kulture të kategorisë II ç)  monument kulture të kategorisë I.

Muret rrethuese të Durrësit

Masivet që shihen sot në Durrës janë ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I, në shekullin e katërt pas Krishtit. Perandori thuhet se mbrojti qytetin me radhë muresh prej tulle nga të cilat sot kanë mbetur disa dhjetëra metra. Lartësia e tyre fillestare mendohet të ketë qenë 18 metra dhe gjerësia u jepte epërsi ndaj sulmeve të kundërshtarëve.

“Nuk mund të ndërtosh mbi një mur sidomos kur është muri rrethues i qytetit sepse gjjithë muri është një monument i vetëm, nuk ka pjesë që ti do t’i ruash dhe nuk do t’i ruash. Është një shkelje e ligjit në cdo kohë. Është dhënë një leje ose mbi limite profesionale ose mbi korrupsionin”, shprehet Neritan Ceka për përfshirjen e një pjese të murit rrethues brenda një pallati shumëkatësh në qendër të qytetit.

Muri rrethues brenda nje pallati

Arkeologu Ceka tregon se përpara se të ndërtohej ai pallat, aty ishte godina ku ka qenë selia e Princ Vidit, pra u prish e ashtuquajtura “Shtëpia e Pionerit” dhe u humb një shans i madh që të ruheshin të dy monumentet, pra pallati Princ Vidit dhe muri rrethues.

Neritan Ceka, Arkeolog

Skandali sipas Cekës thellohet edhe më shumë me ndërtimin e të ashtuquajturës Veliera përballë me murin rrethues.

“Nuk mund t’i vendosesh një monumenti historik (referuar Torres Veneciane) një monument tjetër përpara. Kemi një koncept të njerëzve që s’kanë idenë e distancës, që duhet ruajtur distanca për vlerësimin e monumentit, nuk mjafton të ruash monumentin por duhet të ruash vizibilitetin e tij, që ti ti japësh mundësi njerëzve ta perceptojnë në hapësirë” analzion Neritan Ceka për Citizens Channel.

Muzeu Etnografik i rrënuar nga tërmeti

Shtëpia Muze e Aleksandër Moisiut, në brendësi të së cilës është vendosur edhe Muzeu Etnografik ka qenë e paaksesueshme përgjatë gjithë vitit 2020 si pasojë e dëmeve nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Citizens Channel kontaktoi me Drejtorinë Rajonale të Trashgimisë Kulturore (DRTK), e cila konfirmoi se dëmtimet konsistojnë në krisje dhe shkëputje të muraturës në katin përdhe, lëvizje të çatisë e cila pikon në ambientet e katit të sipërm si edhe lëvizje të murit të pjesës jugore nga aksi vertikal.

Nga një vështrim me sy të lirë në ambientet e oborrit plehrat kanë mbuluar një pjesë të mirë të sipërfaqes ndërsa jashtë nuk është vendosur asnjë njoftim për të lajmëruar vizitorët për arsyet e mbylljes, apo afatet për sa kohë dera e monumentit do jetë e kycur.

Sipas DRTK objektet e Muzeut Etnografik janë zhvendosur pjesërisht tek Pallati i Kulturës Durrës dhe të tjerat brenda dy dhomave që nuk paraqesin problematika shembje apo lagështie.

Pavarësisht se ka kaluar një vit nga tërmeti që goditi qytetin, objekti gjendet ende në fazë inspektimesh dhe llogaritje dëmesh. Ndërsapërgjigja zyrtare e DRKT bën me dije se kthimi në gjendje funksionale parashikohet brenda vitit 2021, si objekt i listuar për financim nga fondi i rindërtimit për Kulturën nga Komiteti Europian.

 Muri i Portës në Porto Romano

Tabela e cila shënon “Monument Kulture – Mbrohet nga shteti” është e rrethuar nga plehrat. Agresiviteti i punonjësve në portin e Porto Romanos e bën të pamundur të vizitën nga afër objektit në fjalë. Me një urdhër të marrë gojarisht, punonjësit shprehen se nuk  lejohet të filmohen punimet e koncensionarit për zgjerimin e portit, ndërkohë që të survejojnë vazhdimisht pasi i bën çudi që ka qytetarë që interesohen për Murin e Portës.

Zhurma e punimeve është aq e fortë sa qëndrimi më shumë se pesë minuta është i pamundur edhe pse DRKT shprehet se punimet nuk ndikojnë në objekt nëse do të zbatohet projekti i miratuar.

Arkeologia Brikena Shkodra tregon se ky mur daton rreth shekullit IV  dhe vlera e tij qëndron në faktin se dikur shërbente si barriere që mbronte Durrësin nga sulmet e mundshme që mund të vinin nga veriu.

“Eshtë një monument i kategorisë së parë që mbrohet nga ligji i trashëgimisë. Në këtë rast  për portin që po avancon, do duhet të respektojnë distancat e përcaktuara në ligj, dhe sigurisht ministria e kulturës ka detyrë mirëmbajtjen e vazhdueshme të tij, sidomos në rrethanat ku ndodhet, që rrezikohet vazhdimisht nga avancimi i vijës bregdetare” pohoj ajo për Citizens Channel.

Muret e kalasë

Nga tërmeti i 26 Nëntorit të shkuar dëmtimi më i madh tek muret e kalasë ka ndodhur tek Kulla C, një nga kullat këndore, e cila u dëmtua shumë rëndë dhe një pjesë e saj është totalisht e rrëzuar.

Lejla Hadzic, drejtuesje e “Cultural Heritage without Borders Albania” ( Trashegimia Kulturore pa Kufij) organizata përgjegjëse për rikonstruksionin e Kullës C shprehet se puna për stabilizmin e objektit ka nisur që në Maj.

Sipas Hadzic arsyeja e rënies së kullës ishte një zgavër e cila ishte hapur nga ushtarët gjatë përdorimit të Kullës, përpara 100 viteve.

“Projekti i restaurimit do jete gati deri ne fundit te Nëntorit dhe restaurimi i Kullës është planifikuar të zgjasë deri në fund të Qershorit 2021. Financimi për zbatimin është mundesuar nga Ambasada Amerikane në Shqipëri”, përfundon Hadzic

Arkeologu Neritan Ceka na rrëfen një plan ambicioz dhe shpresëdhënës për një projekt që synon të krijojë “Parkun Arkeologjik të Durrësit” nga Fondi Shqiptaro-Amerikan. Ky park do të përfshijë murin rrethues, amfteatrin, forumin, shtëpinë muze “Aleksandër Moisiu, edhe rrugën që lidh qendrën e Durrësit me portin. Por ndërsa nuk dihet nëse ky projekt do të marrë jetë, gjendja e Monumenteve të Kulturës mbetet pre e braktisjes, neglizhencës dhe betonizimit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *