Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aksidentet në punë, kantierët e ndërtimit ende njolla të zeza

Autore: Esmeralda Keta | Citizens Channel

Ndërsa vendi është mbërthyer nga ethet e ndërtimeve, kushtet e punës nëpër këto kantiere vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti, humbën jetën në punë 25 persona, nga të cilët 8 i përkasin sektorit të ndërtimit.

Sindikata e ndërtimit ankohet se ndonëse ky sektor ka pësuar shumë përmirësimi, ata ende kanë kantiere shumë gjigandë, të cilët nuk i lejojnë të afrohen, ndaj kërkojnë ndryshime ligjore që u japin më shumë të drejta sindikalistëve.

Për Inspektoratin Shtetëror të Punës “thembra e Akilit” në këtë sektor vazhdon të mbetet mungesa e masave mbrojtëse, trajnimi i personave që merren me montimin e skelave, mungesave e mureve rrethuese dhe dyshemetë e pasigurta.

Në këtë situatë problematike prej vitesh, ekspertët apelojnë për më shumë kontrolle ndaj punëdhënësve, por edhe më shumë kujdes nga punëmarrësit.

Eri, një 35-vjeçar që punon në sektorin e ndërtimit, e ka të lidhur mirëqenien e familjes me ditët e punës. Në këtë situatë mbijetese, nuk u kushton shumë rëndësi kushteve të sigurisë në të cilat i duhet të ushtrojë zanatin.

E para është që të gjej një punë, kjo për mua ka rëndësi. Sigurisht që frikë kemi, por më e madhe është frika të mos u çoj asgjë fëmijëve në shtëpi“, – na thotë Eri, baba i dy fëmijëve, i cili që prej disa muajsh ka nisur punë me kontratë pranë një firmë ndërtimi që po ngre një kompleks pallatesh në zonën e Astirit.

Eri e ka nisur punën që në të 18-at e tij për të ndihmuar familjen. Më shumë në të zezë, e pak herë me kontrata provizore pune, eksperienca ndër vite e ka mësuar se si ta ruajë veten.

Ka pasur raste kur e kam kuptuar se jeta mund të më rrezikohej, por sërish kam pranuar. Sigurisht që gjerat kanë ndryshuar përgjatë viteve, por prapë ne jemi ndër sektorët më të pasigurtë“, – na thotë Eri, i cili nuk pranon të identifikohet, pasi në të kundërt askush nuk do ta merrte më në punë.

Gjatë periudhës janar – shtator 2020 janë aksidentuar 120 punëtorë

Kantier ndërtimi në Tiranë; Foto: Esmeralda Keta | Citizens Channel

Ndërsa sektori i ndërtimit është një ndër kontribuesit më të mëdhenj të ekonomisë në vend, edhe rreziku që vjen nga vendi i punës është më i lartë. Së bashku me minierat, ndërtimi është ndër sektorët ku jeta e punonjësve është më e rrezikuar në çdo hap ku hedh këmbën.

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës: “Gjatë periudhës janar-shtator 2020 janë aksidentuar 120 punëmarrës, nga të cilët 25 me pasojë fatale për jetën”.

Megjithatë krahasuar me një vit më parë, kjo duket një shifër optimiste për inspektoratin.

Në sektorin e ndërtimit kemi një ulje të numrit të punëmarrësve të aksidentuar ku për vitin 2019 janë 38 punëmarrës të aksidentuar nga të cilët 14 me vdekje nga 25 punëmarrës që janë shënuar gjatë vitit 2020 nga të cilët 8 me vdekje”, deklarojnë përfaqëseusit e Inspektorati Shtetëror të Punës, në përgjigje të kërkesës për informacion nga Citizens Channel.

Sherif Buku, kreu i sindikatës së punëtorëve të ndërtimit, e cila ka aktualisht 2500 punëmarrës si anëtarë të saj, thotë se ndonëse ndryshimet janë të dukshme, ende ka shumë probleme.

Sigurisht që shumë gjëra kanë ndryshuar. Siç edhe mund ta keni konstatuar, thuajse të gjitha ndërtesat janë të rrethuara me rrjeta, ka tabela sinjalizuese, janë rritur masat e sigurisë, por ende ka shumë për të bërë. Këtë e tregon edhe fakti që vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar 25 aksidente në sektorin e ndërtimit. Edhe në ato raste kur nuk kanë qenë fatale për jetën, kanë mbetur të paralizuar, kanë pësuar dëmtime serioze“, – na thotë Buku.

Ai thotë se për problemet i sinjalizojnë sindikalistët që kanë nëpër të gjithë kantierët e ndërtimit, por sipas tij ka edhe raste kur ata as nuk lejohen t’i afrohen kantierit.

Ka kantierë ndërtimi të kompanive shumë me emër, të cilët po ngrenë komplekse dhe ndërtesa marramendëse në Tiranë, por nuk na lënë as t’i afrohemi kantiereve të tyre dhe jo më të shohim se çfarë ndodh brenda: a ka shkelje? Kush punon me siguracione? Kush përjashtohet me pa të drejtë? Ndaj them se ende ka shumë për të bërë“,-  thotë kreu i Sindikatës të Punëtorëve të Ndërtimit.

Sipas tij, e vetmja mënyrë për të ndryshuar këtë situatë, është forcimi i bazës ligjore.

Duhet të ndryshojë ligji, që të na japë më shumë fuqi, por edhe më shumë autoritet. Nuk mundet një ndërtues t’i mbyllë derën sindikatës dhe të mos e lejojë të shohë se çfarë ndodh brenda kantierit të tij, sado i fuqishëm të jetë ai. Siç ndodh në të gjithë vendet e zhvilluara, ku sindikatat kanë të drejtë të monitorojnë dhe të mbrojnë të drejtat e punëmarrësve“, – përfundon ai.

Neglizhenca e respektimit të rregullores në punë, shkak për aksidentet e shumta

Një punëtor ndërtimi i ndodhur në skelat pa rrethim; Foto: Esmeralda Keta

Frosina Gjino nga Qendra Shqiptare për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, pjesë e rrjetit ballkanik dhe që mbështet nga Bashkimi Evropian, thotë se rreziqet në sektorin e ndërtimit janë të shumta.

Sipas saj, ligjet shqiptare në këtë drejtim janë shumë të mira, por si punëdhënësit e si punëmarrësit e neglizhojnë detyrimin për ta zbatuar, neglizhencë e cila mund të çojë deri në tragjedi me humbje jete.

Rrisqet në ndërtim janë të shumta. Nuk zbatohen rregullat e sigurimet teknik dhe jo se punëdhënësit nuk i blejnë pajisjet pasi ata nuk janë të shtrenjta, por punëmarrësit i neglizhojnë. Ndërkohë që punëdhënësi ka të ngarkuar me detyrë një person që duhet t’i kontrollojë nëse i kanë veshur pajisjet, dhe nëse jo duhet t’i detyrojnë që të mos bëjnë asnjë lëvizje pa qenë më parë të sigurtë. Pra punëdhënësi qëndron indiferent, punëmarrësi nuk e vret mendjen se thotë nuk do të më ndodhë gjë dhe pastaj përfundojmë në tragjedi që mund të ishin shmangur”, – na thotë ajo.

Sipas saj në shumë raste ata që punojnë në lartësi nuk lidhen me rrip, pasi mendojnë se mund të lëvizin më lirisht nëse nuk e kanë rripin, gropat e ashensorëve nuk janë të pajisura me barriera mbrojtëse, duke bërë që në disa raste të bien punonjës nga këto lartësi.

Ka punëtorë që punojnë poshtë vinçit që po ngre ngarkesa pa kaskë mbrojtëse në kokë; ka raste të tjera që mungon sinjalistika brenda kantierit dhe ndodhin aksidente.

Për mua është vetëm çështje neglizhence nga punëdhënësi dhe një indiference ta pajustifikuar nga punëmarrësi. Duhet të punohet më shumë për t’i bindur, që veshje të tilla janë të detyrueshme, jo në dëshirë“, – përfundon Gjino.

Inspektorati i Punës: 49% e inspektimeve janë bërë pas aksidenteve në punë apo ankesave, 18% janë rastësore

Pankarta të vendosura pranë Inspektoratit të Punë gjatë protestës së Minatorëve të Bulqizës; Janr 2020; Citizens Channel

Pavarësisht presionit në rritje, duket se ende subjektet nuk janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e kushteve të sigurisë në punë. Përgjatë kësaj periudhe për 152 subjekte është vendimi për pezullim të aktivitetit për shkak se nuk respektohen rregullat e sigurisë në punë, 85 nga të cilat janë në Tiranë. Ndërkohë që ndëshkimet me gjobë për parregullsitë e gjetura shkojnë në vlerën e 17.8 milion lekësh të reja.

Nën sitën e monitorimit të Inspektoratit Shtetëror të Punës, për periudhën janar-shtator 2020,  kanë kaluar 5204 subjekte ekonomike private e shtetërore me rreth 137,241 vende pune të inspektuara. Ndërkohë që vetëm në Tiranë janë kryer gjatë kësaj periudhe 2160 inspektime.

Ekspertët e ISHPSHSH-së pranojnë se në shumë raste inspektimet vijnë si pasojë e aksidenteve në punë apo ankesave e shkeljeve flagrante të raportuara nga burime të ndryshme.

Inspektime jashtë programimi janë 49% kundrejt totalit për muajt janar-shtator 2020. Theksojmë se, inspektimet jashtë planit për aksident në punë dhe ankesë janë si kërkesa të ardhura nga biznesi ose ankues, ndërsa vetëm inspektimet rastësore janë të iniciuara nga inspektorët si shkak i shkeljeve flagrante të marrëdhënieve të punës dhe sigurinë në punë, që për këtë periudhë janë 18 %, kundrejt totalit të inspektimeve”, – sqaron në shkresën zyrtare Inspektorati i Punës.

Por ndonëse statistikat e të aksidentuarve kanë pësuar ulje, vetë sindikatat e punonjësve janë të pakënaqur me kushtet e sigurisë në punë.

Gëzim Kalaja, që përfaqëson sindikatën e minatorëve në të gjithë vendin dhe ka aktualisht 4500 anëtarë, fajëson kushtet e sigurisë si shkaktarë të humbjes së jetëve. Sipas tij në këtë sektor, që nga viti 1945 deri më 2020 kanë humbur jetën 548 minatorë, pa folur për qindra të tjerë që kanë mbetur të dëmtuar për shkak të aksidentit në punë.

Me keqardhje mund të them se në një pjesë të këtyre subjekteve nuk ka kushte të sigurisë në punë. Jeta e minatorit në disa sektorë nuk është e sigurtë. Institucionet përkatëse duhet të verifikojnë si qëndron situata dhe jo të shkohet e të bëhet kompromis me punëdhënësin”, apelon Kalaja.

Por cilat janë problematikat më të shpeshta që cenojnë jetën e punëtorëve në sektorin e ndërtimit?

Në vitin 2018, Inspektorati Shtetëror i Punës, nisi një fushatë të veçantë për sensibilizimin dhe  evidentimin e problematikave në sektorin e ndërtimit.

Në fokus ishin subjektet ndërtuese në rajonet Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, dhe Korçë. Rezultatet e inspektimit nxorën në dritë se ende një pjesë e subjekteve ndërtuese nuk plotësojnë standardet minimale për sigurinë e punëmarrësve.

Shkeljet e mangësitë e konstatuara ishin nga më të shumtat dhe që vinin vërtetë në rrezik jetën e punonjësve të tyre.

Kështu gjatë inspektimeve dhe ankimimeve të bëra në subjektet e ndërtimit, kanë rezultuar se në 20.4% të totalit të subjekteve, punëmarrësit nuk janë të informuar dhe të trajnuar për rreziqet ndaj të cilave janë të ekspozuar dhe për masat parandaluese.

Por ajo që është më shqetësuese është mungesa e masave mbrojtëse personale. Kështu anketimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës tregon se 30.7% të totalit të subjekteve ndërtuese punëmarrësit nuk përdorin pajisjet mbrojtëse individuale.

Po ashtu rreziku i rënies nga lartësia, gjatë punës për instalimin e skelave ka qenë prezent në 6.1% të tyre.

Për këtë arsye inspektorët e ISHSHP kanë rekomanduar ndërhyrje për të shmangur rënien gjatë instalimit të skelave në masën 14% për shkallë rrezikshmërie të lartë dhe 2%, për shkallë rrezikshmërie shumë të lartë.

Punëtorët e ndërtimit kërcënohen nga rreziku i rënies nga lartësia, për shkak të mungesës së rrethimit të sigurisë në 7.4% të subjekteve të ndërtimit, ndërkohë rreziku i rënies nga vinçi apo shkallët është evidentuar në 2.7% të aktiviteteve të kontrolluara.

 Natyra e rrezikut që u kanoset punëtorëve që kontribuojnë në sektorin e ndërtimit janë nga më të ndryshmet.

Kështu në 11.4% të totalit të subjekteve të kontrolluara gjatë 2018-ës ISHPSHSH konstaton se ekzistonte mundësia e lëndimit për shkak të punës në dysheme të pasigurta. Në 39 raste të kontrolluara ka ekzistuar mundësia e lëndimit për shkak të punës në lartësi dhe të mos sigurimit të mirë të skelave apo vinçit për ngritjen e materialeve, ndërkohë në 44 raste të inspektuara mos fiksimi i skelave sipas standardit përbënte rrezik për lëvizshmërinë e tyre.

Trajnimi specifik i punëmarrësve që merren me montimin dhe ngritjen e skelave është një tjetër hallkë delikate e sektorit të ndërtimit. Kështu, sipas ISHPSHSH: “Në 133 raste, punëmarrësit që merren me montimin dhe ngritjen e skelave kanë qenë me trajnimin e duhur. Për pjesën tjetër janë marrë masat e nevojshme për ndërhyrje urgjente, dhe për ndërhyrje me risk të lartë në 2.5% të rasteve”, – thuhet në raportin e Inspektoratit Shtetëror të Punës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *