Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shëndeti mendor gjatë pandemisë, ankthi dhe frika janë reagime normale të organizmit

263 ditë pas verifikimit të dy rasteve të para pozitive me Covid-19 në Shqipëri, konfirmuar në datë 9 mars, masat kanë pësuar ndryshime të shpeshta; nga izolim i menjëhershëm dhe bllokim i lëvizshmërisë dhe ngrirjes së shumë aktiviteteve ekonomike, në hapje graduale të vendit, e tashmë në mbyllje të pjesshme të saj.

Prej datës 11 nëntor, në Shqipëri është i ndaluar qarkullimi pas orës 22.00, ndërkohë që janë të ndaluara grumbullime me më shumë se 10 njerëz.

Shtete të tjera, në përgjigje të pandemisë, kanë marrë një mori masash, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të saj. Ndryshimet e njëpasnjëshme brenda një periudhe të shpejtë kohore kudo në botë, kanë pasur ndikim në shëndetin mendor të qytetarëve.

Erjona Bedaj tregon se stili i saj i jetës ka ndryshuar drastikisht pasi në Shqipëri u shënuan rastet e para me Covid-19. Ajo shprehet se ka reduktuar çdo kontakt social me njerëzit, ndërkohë që shtëpia e saj është kthyer në një “mini-farmaci”.

Të rrahurat e zemrës i kam të larta shumë, dhimbje koke, pagjumësia po e po. Unë oksimetrin, termometrin, matjen e tensionit i kam gjithmonë pranë vetes, tre herë në ditë. Në mëngjes, para se të fle, edhe në drekë. Kurse në marrëdhënie me të tjerët distanca në maksimum. Që në 15 tetor kam filluar vitaminën C, vitaminën D dhe zink”.

Bedaj rrëfen për Citizens Channel se këtë vit, si asnjëherë më parë, ajo nuk e ka festuar ditëlindjen e babait të saj.

Unë kam ardhur në Tiranë që studente dhe nuk ka bërë vaki që im atë të kishte ditëlindjen dhe unë mos të shkoja. E kam pikë të dobët. Im atë ka pas ditëlindjen dhe unë nuk kam shkuar dot”.

Nga ana tjetër, mjekja specializante në psikiatri në “Psychiatriezentrum Oberwallis”, Zvicër, Elisa Toska tregon se ankthi dhe frika janë mekanizma normalë që vijnë si reagim për të përballuar realitetin e ri.

Për pjesën më të madhe të individëve, situata e krijuar prej pandemisë mund të shkaktojë deri në një farë mase përjetime të ankthit dhe frikës. Sidoqoftë, bëhet fjalë për përjetime të shkurtra dhe të kufizuara, të cilat në tërësi nuk çojnë ne përkeqësim domethënës të shëndetit mendor dhe futen tek reagimet normale (dhe inteligjente) të organizmit tonë kundrejt një ndryshimi madhor”, – shprehet Toska për Citizes Channel.

Ndikimi i pandemisë tek individët që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, para se SARS-COV 2 të shpallej një pandemi globale në 11 mars, panorama e shëndetit mendor nuk dukej fort pozitive.

Depresion kishte prekur 264 milion njerëz në botë, ndërkohë që gjysma e simptomave të problemeve emocionale shfaqen që në pubertet.

Të dhënat tregojnë se njerëzit me të ardhura të ulta dhe të mesme kanë më shumë predispozitë për t’u prekur nga këto shqetësimet emocionale, ndërkohë që botërisht ka më pak se një profesionist të shëndetit mendor për 10.000 njerëz.

Ekspertët pohojnë se ndryshimi i rrufeshme i një dite të zakonshme, rëndon më shumë tek individët që kanë probleme ekzistuese emocionale.

Pasojat që solli situata e pandemisë, si ndërprerja e kontakteve sociale, humbja e rutinës së zakonshme ditore, pasiguria ekonomike, frika nga sëmundja, përbejnë në vetvete dhe faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për përkeqësimin e gjendjes emocionale tek individët e predispozuar dhe sollën thuajse në mënyrë të pashmangshme dhe përkeqësimin e shëndetit mendor. Në eksperiencën time, kjo u pasqyrua nga një rritje të ndjeshme të numrit të shtrimeve në spital në gjendje të dekompensuar të pacienteve me çrregullime ankthi dhe frike gjatë muajit prill”, – informon mjekja Elisa Toska.

Elisa Toska, mjeke specializante në psikiatri pranë “Psychiatriezentrum Oberwallis”

Të rezultuarit pozitivë me ketë virus mund të rëndojë edhe më tej gjendjen e shëndetit mendor të individëve.

Megjithatë, ka një grup individësh, që në pjesën më të madhe mund të jenë individë me çrregullime ekzistuese mendore ose faktorë predispozues ndaj tyre, por shpesh edhe individë krejt të shëndetshëm më parë, të cilët e përjetojnë me frikë dhe ankth ekstrem infeksionin nga koronavirusi. Ky përjetim mund të jetë aq i fuqishëm saqë mund të shkaktoje një përkeqësim te rrufeshëm të gjendjes emocionale dhe zhvillimin e menjëhershëm të një depresioni të rendë, që në disa raste, mund te pasohet edhe nga vetëvrasja”,- shpjegon Toska.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sugjeron që këto përjetime mund të reduktohen përmes:

  1. Minimizimit të leximit ose dëgjimit të lajmeve në lidhje rreth COVID-19 që ju bën të ndiheni të shqetësuar ose të pikëlluar;
  2. Kërkimi i informacionit vetëm nga burime të besueshme dhe kryesisht në mënyrë që të merrni hapa praktike për të mbrojtur veten dhe të dashurit tuaj.
  3. Përditësimi i informacionit në kohë specifike gjatë ditës, një ose dy herë.
  4. Leximi i burimeve shkencore. Faktet mund të ndihmojnë në minimizimin e frikërave

Mjekja Toska shpjegon se përjetimet negative tek individët që e kalojë këtë virus kalojnë shpejt.

Si rregull, pavarësisht përjetimit më të lartë se e zakonshmja të stresit gjatë sëmundjes, gjendja emocionale rikthehet shpejt në normalitet pas shërimit”.

Si do mund të parandalohej vetëvrasja tek individët që janë të prekur nga koronavirusi?

Në Shqipëri, përgjatë periudhës gusht-tetor kanë vrarë veten katër individë brenda hapësirave spitalore në Tiranë.

Këto akte, të cilat mund të kenë ardhur si pasojë e ngarkesës emocionale apo depresionit, mund të parandalohen duke i kushtuar rëndësi shëndetit mendor nga ana e stafit spitalor.

Njohja dhe diagnostikimi i depresionit tek një pacient i shtruar ne spital, qoftë dhe për sëmundje të tjera trupore është me rendësi jetike dhe duhet hulumtuar gjithmonë në mënyre aktive nga personeli shëndetësor. Një pikë shumë e rëndësishme është te pyeturit haptas dhe qartë nëse pacientet kanë mendime për t’i dhëne fund jetës edhe tek pacientet që nuk japin një përshtypje të tille”, – përmend Toska.

Pavarësisht faktin se pyetja mbetet ende disi tabu, mjekja Toska saktëson se pyetje të tilla mund të ndihmojë në parandalimin e vetëvrasjes.

Shpesh pacientet nuk e thonë vetë që i mundojnë mendime të tilla, por lehtësohen kur pyetja vjen nga personeli shëndetësor dhe janë me te gatshëm të tregohen të hapur e të pranojnë ndihmën. Një pjesë shumë e madhe e pacientëve mund të ndihmohet në kohë dhe një numër i konsiderueshëm jetësh mund të shpëtohet”, – përfundon ajo.

Udhërrëfyes si mund t’u drejtohemi individëve të prekur nga Covid-19, pa i etiketuar ata

OBSH sugjeron përdorimin e një gjuhe asertive ndaj individëve të prekur nga Covid-19, në mënyrë që të shmanget etiketimi apo stigma.

Mos iu referoni personave me sëmundje si “raste COVID-19”, “viktima”, “familje me COVID-19” ose “I sëmuri”.

Ata janë “njerëz që kanë COVID-19”, “njerëz që trajtohen nga COVID-19 ” ose” njerëzit që po shërohen nga COVID-19″ dhe pasi të shërohen jeta e tyre do të vazhdojë me punët e tyre, familjet dhe të dashurit e tyre.

Është e rëndësishme të ndash një person nga të pasurit e një identiteti të përcaktuar nga COVID-19, në mënyrë që të zvogëlohet stigmatizimi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *