Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ngjarjet kryesore që shënjuan vitin 2020 në Shqipëri

Bota kishte 11 vite që nuk përjetonte një epidemi shëndetësore globale, që nga pandemia e fundit e H1N1 në 2009. Me 30 janar 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli Covid – 19 një emergjencë shëndetësore ndërkombëtare ndërsa më tre mars e cilësoi atë një pandemi.

Kufizimet që solli pandemia nuk i ndaluan protestat në vend për të kundërshtuar hapur ngjarje që nxitën reagim shoqëror si prishja e Teatrit Kombëtar, ndërtimi i HEC-eve në Zall Gjoçaj, pagat e prapambetura të naftëtarëve, vrasja e Klodian Rashës etj.

Cilat ishin ngjarjet kryesore që shënjuan vitin 2020 në Shqipëri?

9 mars 2020 – Rasti i parë me Covid – 19 në Shqipëri

Për herë të parë u deklarua zyrtarisht rasti i parë i infektimit me koronavirus në vend, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë 28-vjeçari i ardhur nga Firenze kishte kaluar në pikën kufitare të Murriqanit i pakontrolluar.

Që nga kjo datë nisi paraliza e jetës ekonomike dhe sociale ku çdo masë e re kufizuese, orar lëvizje apo fundjavë e mbyllur njoftohej në rrjetin social Facebook të kryeministrit Rama. Ndërkohë më 16 prill parlamenti miratoi tre vepra të reja penale, që parashikojnë gjoba dhe burgosjen deri në tetë vite për personat që thyejnë rregullat e karantinës dhe përhapin infeksionet.

17 maj 2020 – Klithma e fundit e Teatrit Kombëtar

Pas tre vitesh rezistencë, në orën 4.30 të mëngjesit të 17 majit forca të shumta policie shembën godinën më të përfolur gjatë 2020, Teatrin Kombëtar (TK). Kjo ngjarje solli një reagim të fortë qytetar dhe ndërkombëtarë duke ndezur një valë protestash të përditshme.

Protestuesit dhe aktivistët kërkuan rindërtimin e teatrit aty ku ishte dhe siç ishte, arsye për të cilën nisën dhe firmosjen e një peticioni on line. Gjatë protestave u shoqëruan 64 qytetarë dhe u proceduan penalishtproceduan penalisht shtatë persona. Aktivistët kanë realizuar përgjatë muajve aksione simbolike për të rikujtuar shembjen e TK.

T’i japim zë lumenjve

Pamje nga lumi Vjosë/ Foto: Entenela Ndrevataj

Pavarësisht kufizimeve të pandemisë, puna për të ngritur hidrocentrale të reja nuk ka ndalur në shumë lumenj të Shqipërisë, arsye kjo që ka nxitur protesta nga banorë të zonave të ndryshme.

Lumi Vjosa ishte ai që mori edhe vëmendje ndërkombëtare ku aktori Leonardo Di Caprio përshëndeti nismën për të shpallur këtë lum park kombëtar dhe theksoi se ndërtimi i hidrocentraleve aty do të ishte një kërcënim i madh për qindra specie të rralla.

Di Caprio i referohet deklaratës së Ramës, ku pohoi se në Vjosë nuk do të ketë hidrocentrale dhe se do të shpallet Park Kombëtar. Ndërkohë EcoAlbania verifikoi deklaratën e Kryeministrit Rama dhe rezultoi se nuk ka një projekt për ta shpallur atë zonë të mbrojtur.

Aksionet për të mbrojtur parkun kombëtar të Zall Gjoçajt kanë nisur që më 3 tetor të 2018 dhe arritën kulmin e tyre më 24 qershor 2020 ku banorët mbërritën në kryeqytet për të ngritur zërin kundër punimeve dhe protesta përfundoi në arrestime. Padia e fundit e banorëve ngritur kundër ndërtimit të hidrocentraleve Sekë dhe Zais u depozitua më 2 dhjetor të këtij viti ndërkohë që beteja vijon ende.

E njëjta gjë ka ndodhur dhe me banorët e Mirditës, të cilët janë organizuar për të ndaluar punimet në lumenjtë e fshatrave Kaçinar, Arrëz dhe Simon ndërsa protesta e fundit për 2020 kundra HEC-eve ishte ajo e banorëve të Skavicës.

4 Qershor – Për fëmijërinë e vjedhur

Pamje nga protesta “Për fëmijërinë e vjedhur”/ Foto: Lorin Kadiu

Pas abuzimit të një 65-vjeçari me një të mitur qytetarët e Tiranës marshuan nga sheshi “Nënë Tereza” deri në Ministrinë e Arsimit, organizim i cili mori emrin “Për fëmijërinë e vjedhur”.

I gjithë marshimi u shoqërua me mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi për viktimat e abuzimit seksual. Gjithashtu, u bë thirrje që të denoncohet dhuna dhe të ketë dënim maksimal për agresorët.

Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera të Shqipërisë si në Lezhë, Fier, Durrës etj.

Në përfundim protestuesit vendosën pankartat në muret rrethuese të Ministrisë së Arsimit si shenjë për reagim.

19 qershor 2020 – Komisioni i Venecias rrëzoi paketën “Anti Shpifje”

Nisma e qeverisë shqiptare për të rregulluar median on line në aspektin e etikës dhe regjistrimit nisi që më 17 dhjetor të vitit të shkuar.

Paketa “Antishpifje” u dërgua pranë Komisionit të Venecias nga Këshilli i Evropës, pas vendimit të parlamentit për t’i kthyer Presidentit Meta dekretin e tij pa rishikuar ndryshimet e propozuara.

Pavarësisht se Komisioni i Venecias shtjelloi efektin negativ të kësaj nismë në një dokument prej 19 faqesh, kryeministri Rama u shpreh se nuk duhet humbur kohë për finalizimin e këtij projektligji. Organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë reaguar se ky projektligj cënon lirinë e medias dhe fjalën e lirë.

10 nëntor 2020 – Merr fund kalvari i naftëtarëve për pagat e prapambetura

10 nëntor të këtij viti naftëtarët e Ballshit pranuan propozimin e qeverisë, si e vetmja zgjidhje e përkohshme përballë kushteve të vështira ekonomike në të cilat ndodhen. Kryeministri Rama nuk pranoi të zgjidh çështjen e pagave të prapambetura por ju premtoi atyre një mbështetje financiare të përmuajshme.

Si u arrit deri në këtë marrëveshje?

Naftëtarët kanë nisur grevën e urisë që në Shkurt të 2020 për herë të parë, grevë e cila zgjati 12 ditë. Në maj të vitit 2020, iu premtua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit dhe rikthimin e kompanisë ALLUM.

11 shtator 2020, ishte dita e fundit e përmbylljes së marrëveshjes, sipas të cilës do të përfundonte nënshkrimi i kontratave dhe do të riniste puna. Të hënën naftëtarët u nisën për të punuar, por kompania shkëputi çdo kontakt me ta.

17 shtator naftëtarët protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, por nuk morën asnjë përgjigje nga ky institucion.

10 ditë më pas, naftëtarët hynë në grevë e dytë të urisë, që vazhdoi për 42 ditë.

9 dhjetor 2020 – “ Drejtësi për Klodianin”, Tirana përfshihet nga protestat

Pas vrasjes së 25-vjeçarit nga një efektiv policie mbrëmjen e 8 Dhjetorit, Tirana u përfshi nga një valë protestash të dhunshme për gjashtë ditë radhazi. Në ditën e dytë të protestave, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen, por kjo nuk i ndaloi tubimet. Gjatë këtyre ditëve policia përdori lotsjellës dhe ujë nga autobotet për të shpërndarë turmën.

Sipas njoftimeve për shtyp të Policisë së Shtetit, nga data 10 dhjetor deri më datën 14 dhjetor u arrestuan gjithsej 100 persona, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 387 persona si dhe u shpallën në kërkim 10 persona të tjerë. Këto arrestime janë kryer në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Bulqizë.

Vetëm në Tiranë u arrestuan 93 persona, 314 u proceduan penalisht në gjendje të lirë dhe 8 persona u shpallën në kërkim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *