Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

37 organizata mjedisore kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë

37 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare i dërguan dje një letër të hapur qeverisë shqiptare, ku kërkojnë ndalimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, në zonën e mbrojtur Vjosë – Nartë.

Nëpërmjet kësaj letre organizatat sjellin në vëmendje vlerat e zonës, si një nga një nga ekosistemet ligatinore më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut.

“Koalicioni i organizatave mjedisore ju bën me dije se ndërtimi i një infrastrukture të tillë brenda zonës së mbrojtur bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës, dhe në veçanti ligjin e Zonave të Mbrojtura”, citohet në letër.

Foto gjate deklarates per shtyp

Sot, një grup përfaqësie nga këto organizata në një deklaratë për mediat u shprehën se e vlerësojnë nismën e qeverisë, por mendojnë se zgjedhja e vendit është e gabuar.

https://www.facebook.com/citizenschannel/videos/225309502571815

“Ndërtimi i aeroportit në një zonë ku qëndrojnë mijëra shpendë, është burim aksidentesh sepse shpendët përplasen me avionët dhe mund të shkaktojnë aksidente tragjike dhe avari të shumta” u shpreh Ermelinda Mahmutaj, drejtoresha ekzekutive e qendrës “EDEN”.

Profesori i Departamentit të Biologjisë në Universitetin e Tiranës, Aleko Miho shpjegoi se përgjegjës për një situatë të tillë janë ekspertët e një niveli të ulët që sipas tij e nuk e kanë vlerësuar zonën me kufij ekologjikë, por me synimin për t’i lënë hapësirë të mjaftueshme ndërtimit të aeroportit.

“Ai turist që vjen në Vlorë, nuk vjen për të parë betonin që është ndërtuar në Vlorë, por vjen për të parë natyrën dhe ata shpendë që janë atje, të cilët po ju vure avionët të fluturojnë do ikin”, thotë Miho.

Në letrën e dërguar dje theksohet se në këtë zonë është regjistruar një numër total prej mbi 200 llojesh të shpendëve të egër, ku 33 janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë, 8 lloje mbajnë statusin e Rrezikimit Kritik (CR), 9 lloje klasifikohen si të rrezikuara (EN), 13 lloje janë cilësuar me status të Përkeqësuar (VU) si dhe 3 lloje mbartin statusin e Rrezikut të Ulët.

“Është një vendimmarrje e turbullt për momentin dhe jo transparente” ka shtuar Ermelinda Mahmutaj.

Në lidhje me faktin e përfolur se në këtë zonë ka pasur edhe më përpara një aeroport inxhinjeri i mjedisit Mirjan Topi konfirmon se në atë zonë ka pasur një pistë uljesh e ngritjesh avionesh të vegjël, për qëllime bujqësorë, që sipas tij është shumë ndryshe nga ajo cfarë po tentohet të ndërtohet aktualisht.

“Është një strategji e gabuar që të zhvillohemi duke përdorur atë pasuri që kemi” citon Xhemal Mato nga Eco Movement Albania.

Ai që e ndërton ka fitim, por ka fitim në kurriz të mjedisit, në kurriz të natyrës, ka përfunduar Mato.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *