Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Politikanët sponsorizojnë reklama jashtë rregullave të Facebook, ndërsa Kodi Zgjedhor “harron” transparencën

Skandalet e njëpasnjëshme që kanë përfshirë Facebook-un vitet e fundit, ka sjellë që rrjeti social më i përdorur i momentit të ndryshojë politikat e tij në lidhje me reklamat politike në shumë shtete.

Në Shqipëri kjo situatë duket krejtësisht e parregulluar, ndërsa partitë politike kanë ndezur motorët e fushatës, e cila këtë vit më shumë se çdo herë tjetër, për shkak të COVID-19, pritet të jetë e fokusuar online.

“Partitë politike apo individët në Shqipëri e konsiderojnë reklamën politike sikur po reklamojnë qumështin”, – shprehet për Citizens Channel Blerim Gjeladini, themeluesi i kompanisë Terradata Analitics.

Aktualisht në shumë vende, Facebook nuk lejon më marketingun politik nëse grupimi apo individi nuk rregjistrohet paraprakisht si subjekt politik. Kjo procedurë nuk është ende e aplikueshme në Shqipëri e as në Kosovë, edhe pse të dy vendet janë në prag zgjedhjesh.

Blerim Gjeladini

“Që të autorizohesh ti duhet të bësh një deklaratë që je personi x ose y, edhe e dërgon të skanuar në sistemin e Facebookut, ata e aprovojnë si person që mund të bësh reklama politike, sipas standarteve dhe rregullave të Facebookut”, – shpjegon Gjeladini.

Gjeladini artikulon se ky sistem është ngritur për dy arsye kryesore; së pari, për të rritur transparencën e financimit të fushatës e së dyti pasi Facebook përdor një algoritëm të veçantë për reklamat politike.

Reklama politike online, faktor ndikues në rezultatin e zgjedhjeve

Elvin Luku

Elvin Luku, drejtues i qendrës “MediaLook” shpjegon se rregullimi i këtij mjedisi është veçanërisht i nevojshëm për realitetin e vendit tonë: “Në Shqipëri ne kemi kreun e qeverisë që gjithë aktivitetin e tij politik e transmeton live në ERTV dhe mediat bëjnë ritransmetuesin e kësaj përmbajtje; po ashtu shohim që shpesh herë qëndrimet opozitare kanë më shumë ndjekje online sesa kur komunikohet me mediat”.

Ndërsa Blerim Gjeladini pohon se në ndryshim edhe nga SHBA, ku reklamat politike shfaqen të kategorizuara dukshëm në rrjetet sociale, në Shqipëri ato kanë statusin e çdo reklame tjetër.

“Nëse nuk ka një rregullim të kësaj procedure mund të ketë një ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, jo shumë, por ne flasim për përqindje të vogla që krijojnë përqindjen e madhe”, – shton Gjeladini.

Ku ndryshon një reklamë jo-transparente me një reklamë të kategorizuar?

Konkretisht në këtë postim të sponsorizuar të kreut të opozitës nuk ka asnjë informacion për audiencën që do të arrijë ky post apo për shumën e investuar në këtë sponsorizim.

Reklama politike e kryetarit te opozites Lulzim Basha

Ndryshe ndodh me fushatën elektorale në Sh.B.A ku çdo postim i presidentit Joe Biden ka informacione të detajuara për shumën e harxhuar mbi një reklamë të caktuar politike, audiencën e targetuar etj.

Kodi Zgjedhor “harron” monitorimin e reklamave online

Citizens Channel kontaktoi me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të cilët u shprehën se në nenin 92 të Kodit Zgjedhor, ndalohen veprimtaritë publike te cilat mund të përbëjnë keqpërdorim të burimeve shtetërore.

Kodi Zgjedhor, nuk përcakton monitorimin e mediave sociale”, pranon KQZ, duke shtuar se megjithatë nuk përjashton marrjen e indicieve.

Si u detyrua “Facebook” të rregullojë reklamat politike?

Në prill të 2018 u zbulua skandali ku Facebook i kishe shitur të dhënat e miliona përdoruesve (në 2014) kompanisë Cambridge Analytica, e cila krijoi profile psikologjike të votuesve duke ndikuar votën në zgjedhjet presidenciale të 2016 në SHBA dhe në referendumin e Brexit në Britaninë e Madhe.

Kjo situatë e detyroi themeluesin e rrjetit Facebook të kërkonte falje publike përpara Kongresit Amerikan.

Në qershor të 2020 një grup ish-punonjësish të Facebook i drejtuan një letër të hapur kompanisë duke i kërkuar gjigandit të medias sociale të rishikojë qëndrimin e tyre në mënyrën se si i trajton postimet e botuara nga politikanë. Letra u shkrua pasi kompania zgjodhi të mos ndërmarrë veprime kundër një postimi nga Presidenti Donald Trump që është kritikuar si nxitje e dhunës ndaj protestuesve që merrnin pjesë në demonstratat “Black Lifes Matter” pas vrasjes së George Floyd.

Zuckerberg i konkretizoi zyrtarisht kritikat për qëndrimet dhe postimet politike në natën e gjashtë janarit, ku bllokoi llogarinë e Trump në afat të pacaktuar, vetëm disa orë pasi një turmë mbështetësish të Trump sulmuan Kapitolin në SHBA.

Llojet e reklamave politike në kontekstin shqiptar

Sipas ekspertit Elvin Luku, ky është një shqetësim ndërkombëtar i cili e ka zanafillën tek kontenti që tentohet të promovohet e jo tek burimi.

“Facebook ka ndaluar jo burime por përmbajtje të cilat inkurajojnë dhe promovojnë: mospjesëmarrjen në zgjedhje, që deligjitimojnë procesin zgjedhor, reklama që nxisin vjedhjen e votës, që shpallin fitoren e parakohshme apo që japin informacione të rreme në lidhje me sigurinë në qendrat e votimit”, – shprehet Luku.

Ai paraqet më tej një kategorizim me tre llojet kryesore të reklamave që qarkullojnë online:

  1. Reklamat e drejtpërdrejta – tek të cilat kandidati investon dhe votuesi e di se kjo përmbajtje synon të shfaqë elementët pozitiv të kandidatit. Këtë votuesi e sheh duke qenë se është i ndërgjegjshëm se është një reklamë shfaq një lloj skepticizmi.
  2. Reklamat e fshehta – Kur ti tregon një histori dhe përmes saj në mënyrë indirekte promovon një kandidat apo politikë të caktuar. Pra, qëllimi i reklamës është kandidati dhe historia është mjeti. Këtë formë reklame votuesi është i prirur ta besojë më shumë.
  3. Fake news si reklamë – Kur informacioni që serviret është i pavërtetë por sensacional ose është qëllimisht i nxjerrë jashtë kontekstit. Edhe këtu prirja e individit, i cili nuk i ka mjetet e duhura për të verifikuar saktësinë e informacionit, është që ta besojë informacionin në fjalë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *