Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Anketimi: COVID-19 shtoi problemet financiare dhe rriti papunësinë e personave me aftësi të kufizuara

Personat me aftësi të kufizuar ishin ndër grupet më të prekura nga pasojat e pandemisë COVID-19. Sipas një studimi të kryer nga organizata “Together For Life”, 95% e personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri kanë pasur probleme financiare të ndikuara drejtpërdrejt nga pandemia.

Më shumë se 8 në 10 persona deklaruan se kanë përjetuar probleme financiare për shkak të COVID-19, si pasojë e të ardhurave të pakta të jetesës, humbjes së punës, vonesa në dhënien e rrogës, mungesa e ndihmës nga shteti, dhe mos përfitimit nga paketat financiare.

Burimi: Organizata “Together For Life”

Për marrjen e këtyre të dhënave janë pyetur 360 individë, banorët Qarkut të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe Gjirokastrës. Nga të cilët 199 janë me aftësi të kufizuar dhe 161 janë prindërit ose kujdestarët e tyre.

22.5% e PAK humbën punën gjatë pandemisë COVID-19 

Sipas anketimit të kryer, më shumë se 4 në 10 persona me aftësi të kufizuar ishin të papunë gjatë pandemisë, 27,9% ishin në shkollë, 14.2% në pension, 2.3% invalid dhe vetëm 11.8% ishin të punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme.

Burimi: Organizata “Together For Life”

Mes personave të cilët deklaruan se ishin të punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme, 50% e tyre ishin të pasiguruar kundrejt gjysmës tjetër që rezulton e siguruar. Ndërsa 22.5% e personave me aftësi të kufizuar që ishin në marrëdhënie pune para pandemie deklaruan se e humbën punën, 40% u pezulluan nga puna gjatë kohës së pandemisë, e 37.5% nuk patën ndryshime në marrëdhëniet e punës.

Burimi: Organizata “Together For Life”

Mes personave me aftësi të kufizuar, gjatë pandemisë humbën punën më shumë gra sesa burra, 33.3% gra kundrejt 11.1% burra. Dallim ky edhe nëse krahasojmë personat me aftësi të kufizuar që jetojnë në fshat me ata në qytet, me 33.3% kundrejt 20.6% e atyre në qytet.

Referuar pagës të personave që ishin akoma në marrëdhënie pune përgjatë pandemisë, u vu re se për 73.3% paga nuk ndryshoi, në 20% të rasteve paga pësoi ulje me 30% dhe në 6.7% të rasteve paga u ul me 50%.

90.8% e PAK nuk përfituan nga paketat financiare të qeverisë

Përpos pagesave mujore që PAK ka përfituar sipas ligjit, përgjatë pandemisë, pjesa më e madhe e personave me aftësi të kufizuar, 90.8% u shprehën se nuk përfituan asgjë nga paketa financiare e qeverisë, ndërsa 5% përfituan nga pakta e parë dhe 4.2% përfituan nga paketa e dytë.

Burimi: Organizata “Together For Life”

Të vetme ndihma të marra përgjatë pandemisë janë ato të ardhura nga organizatat apo fondacionet e ndryshme.

Vonesa në marrjen e pagesës së përmuajshme 

39.3% e PAK kanë pasur vonesa në marrjen e pagesës së përmuajshme të paaftësisë gjatë periudhës së pandemisë. Kjo vonesë ka ardhur si pasojë e pamundësisë për të shkuar për t’i tërhequr për shkak të karantinimit, pamundësia fizike për t’i tërhequr si dhe akordimi me vonesë nga buxheti i shtetit.

Burimi: Organizata “Together For Life”

Frika nga infektimi, pengesë për të siguruar materialet mjekësore

55.3% e personave të anketuar u shprehën se kishin frikë nga infektimi nëse dilnin jashtë shtëpisë për të siguruar medikamente dhe materiale mjekësore.

Ndërsa ajo ç’ka i ka penguar tjetër për të marrë shërbim mjekësor ishte pamundësia financiare për të përballuar trajtimin, me 51.4% e të anketuarve.

Burimi: Organizata “Together For Life”

Kufizimi i lëvizjes së njerëzve dhe mjeteve, mungesa e transportit publik, largësia e farmacisë nga banesa, koha e qëndrimit hapur të farmacisë ishin disa nga pengesat e tjera me të cilat u hasën personat me aftësi të kufizuar përgjatë pandemisë, të cilat u pamundësuan atyre marrjen e shërbimeve dhe materialeve mjekësore.

Për çfarë kishin më shumë nevojë PAK përgjatë pandemisë? 

Referuar anketimit, pjesa më e madhe e PAK përgjatë pandemisë kanë pasur nevojë për një informacion dhe rekomandime më të qarta. Nevojë kjo e ndjekur nga mbështetja financiare dhe logjistike, mbështetja virtuale përmes internetit, mbështetja sociale dhe shëndetësore si dhe ajo psikologjike.

Burimi: Organizata “Together For Life”

Ankthi dhe shqetësimet e përjetuar përgjatë pandemisë po ashtu kanë qenë të shtuara te personat me aftësi të kufizuar, ku 50.5% prej tyre janë shprehur se kanë qenë shumë të shqetësuar, 27.6% kanë ndjerë shumë ankth dhe 14,5% kanë ndjerë mesatarisht ankth.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *