Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“PPP për Gratë”, aktivistet shpjegojnë 8 aksionet e këtij 8-Marsi

“Patriarkat, Pandemi, Pabarazi, PPP për Gratë” ishte mesazhi revoltë i derdhur në ballkonin e një prej hyrjeve të bulevardit “Zogu i Parë”, nga vajzat dhe gratë aktiviste në prag të 8-Marsit.

Dita ndërkombëtare e gruas më 2021 vjen pas një viti pandemie, ku problematikat e mbartura prej vitesh u theksuan edhe më tej. Këtë 8-Mars grupimi feminist në Tiranë kërkon njohje dhe meritë të punës së grave.

“Partneriteti-publik-privat është kryefjala e një sistemi, që ka vendosur fitimin përpara jetës dhe dinjitetit njerëzor. Kjo pandemi reflektoi pikërisht këtë barrë të padrejtë mbi gratë. Kjo është PPP-ja jonë: patriarkat-pandemi-pabarazi. Ne e refuzojmë atë dhe sistemin që e ka sjellë në jetë, bashkërisht. Ne kërkojmë njohje dhe meritë për punën tonë!#megratëpërgratë”, – sqarohet në postimet e vajzave dhe grave aktiviste në rrjetet sociale, si komunikim mbështetës i pankartës me përmasa të mëdha të shfaqur në ballkon.

Foto: Aldo Tare

“#MeGratë #PërGratë” në një fushatë online

Në fillim marsin e këtij viti retorika publike e vajzave dhe grave për 8-Marsin ka nisur më herët përmes një fushate online.

#MeGratë #PërGratë është hashtagu që ka mbledhur në komunitetin online vajza, gra, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në kërkesën e vazhdueshme për barazi gjinore. E ndërsa prej ditësh, korniza “Solidari8” është bashkëshoqëruese e fotove të profilit në rrjetin social Facebook të gjithsecilit që mbështet dhe lufton për të drejta të barabarta gjinore.

Korniza shoqëruese e fotove të profilit në rrjetin social Facebook

Përpos kornizave për fotot e profilit apo banerat e vendosur në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, aktivistet kanë bërë publike edhe 8 aksione, pjesë e fushatës “#PërGratë #meGratë”. Aksione këto, të cilat janë shpërndarë dhe përqafuar nga të tjerë aktivistë, gra e lobuese të barazisë gjinore në platformat online dhe jo vetëm.

8 aksione për 8 Mars 

Foto ilustrim: Xhemali Moku
  • Manifesto/Bëje privaten publike

Eshtë thirrja e parë e posterit që fton gjithsecilin për t’u bërë pjesë e fushatës përmes një veprimi konkret. Për aktivisten Dorela Lazaj kjo thirrje vjen me qëllimin për të denoncuar të gjithë komunikimin abuziv ndaj grave.

“Ne kemi dy standarde zgjedhjeje: një private, një publike. Standarde të ndryshme të ndërveprimit në familje dhe ndërveprimit në shoqëri. Shumica prej nesh abuzohet verbalisht në punë dhe në familje dhe asnjëherë nuk e formulojmë abuzimin politikisht. Nëse dikush mua më thotë një koment me përmbajte seksiste, shumica prej nesh për shumë kohë e ka konsideruar si një kompliment, vlerësim. Nga ana tjetër është reduktimi i grave në objekt seksual dhe këto abuzime kufijsh ndodhin kryesisht në privat. Prandaj privatja duhet bërë publike për të denoncuar këtë komunikim abuziv ndaj grave që nuk është i vonshëm, por qindra vjeçar“,-argumenton Dorela.

Dorela Lazaj, aktiviste

  • Informohu

Për Vasilika Laçin, aktiviste e hershme për të drejtat e njeriut, një ndër aksionet më të rëndësishme në këtë fushatë dhe jo vetëm, është informimi.

“Një nga tiparet më të rëndësishme të njeriut është të ndihet e kuptuar nga të tjerët. Ai momenti kur dikush të kupton ndez një dritë brenda nesh. Ashtu jam ndjere kur kam filluar të njoh dhe të shfletoj lexime feministe. Pra, informimi është mënyra më e mirë për tu ndjerë e kuptuar dhe për të dalluar nëse feminizmi i jep përgjigje disa dilemave që gjithësecila i ka”,-shpjegon Vasilika për Citizens Channel.

Vasilika Laçi,aktiviste

Sipas saj, sot hapësirat e informimit janë të shumta, të cilat së fundmi janë formësuar edhe në Shqipëri sikurse revista online Shota, historiaime.com apo edhe botimi i parë në shqip i përmbledhjes me përkthime “Radical Sense”.

  • Rebelohu: Ngri zërin dhe lufto kundër shtypjes dhe pabarazive

Për Gentiana Susaj, e cila është e para shqiptare me rrip të zi në Aikido, vetëmbrojtja është një nga praktikat për të cilat ajo punon për t’jua transmetuar shumë vajzave dhe grave të çfarëdo profesioni. E megjithë këtë, për të aksioni që duhet të ndërmerret mes të tjerëve këtë 8 mars është rebelimi, si luftë kundër shtypjes dhe pabarazive gjinore.

Për shekuj me radhë, legjendat, historitë, kultura dhe normat shoqërore kanë “helmuar” mënyrën tonë të të menduarit, e të të vepruarit, për të qenë pjesë e një sistemi patriarkal që shumë as nuk janë në gjendje ta identifikojnë si të tillë. Rozafa? Është vetem një shembull i kësaj. Ka ardhur koha të kuptojmë që, është e drejta jonë të mbrojmë veten, të ngremë zërin e të luftojmë për barazi në të gjitha fushat, për ti vënë “fre” seksizmit, dhunës dhe padrejtësive”,- rrëfen Gentiana.

Gentiana Susaj, Drejtuese e ESD Global Self Defense për Europen,

  • Fuqizo veten dhe të tjerat

Romina Sefa, si aktiviste e komunitetit rom dhe egjiptian luftën ndaj diskriminimit gjinor e sheh duke fuqizuar veten dhe të tjerët.

“Feminizmi është diçka sa personale, aq dhe e përbashkët midis shoqesh dhe kolegesh. Edhe pse në vendin tonë kjo vijon që të jetë akoma një çeshtje e cila karakterizohet nga elementë të theksuar të patriakatit duke e berë dhe më të vështirë luftvn mbi feminizmin. Lufta më e madhe e jona duhet të jetë që si gra të fuqizojmë dhe gra të tjera, të cilat kanë nevojë dhe nuk kanë nevojë, ku mund të përmendim gratë e fasonerive, gratë të cilat punojnë informalisht, apo gratë që i përkasin minoriteteve rome dhe egjiptiane”,-shprehet Romina.

Romina Sefa, aktiviste

  • Organizohu Kolektivisht

E ndërsa pandemia sipas aktivisteve vështirësoi pozitat dhe jetën e grave në Shqipëri, organizimi është aksioni që duhet të shoqërojë në mënyrë të vazhdueshme luftën e tyre ndaj pabarazive. Për aktivisten Deni Sanxhaku, gratë kanë luajtur një rol thelbësor gjatë pandemisë jo vetëm brenda shtëpive, por edhe në vijën e parë “të luftës” kundër COVID-19.

“Në mungesë të shërbimeve publike për mijëra njerëz në kushte vulnerabël, ishte pikërisht organizimi nga poshtë i strukturave solidare dhe platformave të ndryshme vullnetare ato që ofruan ndihmë në formën e asistencës humanitare, psikologjike, ligjore apo mbështetjes emocionale. Kur flasim per organizim nuk i referohemi vetëm reagimit kolektiv ndaj krizave shoqërore, por përkushtimit dhe angazhimit të rregullt në kushte barazimtare të grupimeve që ndajnë bashkërisht një etikë të dashurisë dhe solidaritetit për komunitetin e tyre dhe të tjerët e ndryshëm. Pra organizimi si mënyre jetese dhe rezistence kundër çdo strukture shtypëse si e vetmja rrugë për ta transformuar shoqërinë”,-rrëfen Deni Sanxhaku.

Deni Sanxhaku, aktiviste

  • Ndaj Informacion

Të folurit rreth feminizmit, duke ndarë informacion për barazinë gjinore përmes diskutimeve me të tjerë është një tjetër aksion që gratë dhe vajzat inkurajojnë të kryejnë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas këtë vit.

“Shumë njerëz janë feministë në përditshmërinë e tyre pa bërë teori, të tjerë e njohin teorinë e mund ta zbatojnë më pak në jetët e tyre. Rendesi ka që shoqëria ta mbajë të hapur debatin, edhe kur normat seksiste i kemi brendësuar padashje dhe pa qenë të vetëdijshem (nëpërmjet proceseve shumëshekullore), të jemi të gatshëm për ta vënë veten në dyshim dhe të hapur për të ndryshuar për aq sa mundemi”,-i jep kuptim aksionit të mësipërm aktivistja Rea Nepravishtja.

Rea Nepravishta, aktiviste

  • Mbështet financiarisht apo me punë vullnetare 

E megjithatë, gjithcka bëhet dhe luftohet ka nevojë për një mbështetje qoftë ajo përmes vullnetarizmit apo edhe përmes donacioneve financiare. Sipas aktivistes dhe përfaqësueses së Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, Irena Shtraza, kjo thirrje shërben si një mbështetje për gratë, qoftë edhe me gjeste të vogla si mbështetja e bizneseve të vogla të grave.

Kjo thirrje vlen për këdo, individë apo organizatë të fuqishme që kanë mundësi financiare të financojnë e mbështesin organizata e grupime grash, sidomos ato që punojnë në komunitete ku normat patriarkale i shtypin edhe më shumë gratë dhe ku mbizotërojnë probleme sociale që prekin sidomos vajzat e gratë. Nëse s’ka mundësi të mbështeten financiarisht, shpesh vlen të bashkohemi duke dhënë kohën dhe ekspertizën tonë në mbështetje të grupeve të grave që kanë nevojë për përkrahje. Psikologë, punonjës socialë, juristë të rinj e të reja, të gjithë mund të japim një dorë që të ketë sa më shumë drejtësi sociale dhe gjinore në komunitetet ku jetojmë”,-përfundon Irena.

Irena Shtraza, aktiviste

Mbështetja e kësaj fushate online duke ndarë foto dhe mesazhe përmes hashtagëve #MeGratë #PërGratë është aksioni tjetër në ndihmë të përçimit të mesazhit te sa më shumë qytetarë.

Manifestim nga ballkoni i shtëpisë

Fushata online e vajzave dhe grave feministe ka orientuar mesazhet kundër diskriminimit gjinor edhe përtej hapësirës online. Në disa prej pallateve në Tiranë, në ballkone gjen të varura shprehje dhe mesazhe që dënojnë kultura dhe zakone të rrënjosura ndër vite në mentalitetin shqiptar.

Refuzoj punët e shtëpisë”, “Jam lumë që rrjedh”, “Refuzoj seksizmin në media” e të tjera qëndrime janë shpalosur ballkoneve të shtëpive për të qëndruar aty edhe përgjatë kësaj jave që përkon me të hënën e 8-Marsit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *