Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Një tjetër monument më pak; Ish-godina e ATSH në Tiranë drejt shembjes

Godina e ish-Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e njohur ndryshe si 7-katëshi është monumenti i radhës që pritet të zhduket nga harta e Tiranës. E ndërtuar në vitin 1976 nga arkitekti Maks Velo, objekti zuri vend në Bulevardin Zogu i Parë dhe për disa kohë mbante statusin e objektit më të lartë në Tiranë.

Godina e ish-ATSH krah Gazetës Bashkimi, Tiranë

“Me Maksin bënim shaka ndonjëherë, ja e bëmë dhe qiellgërvishtësin e parë në Tiranë”, tregon Orhan Sakiqi, inxhinieri i projektit. Sakiqi shprehet i sigurt për sigurinë e godinës, ndërsa shpreh keqardhjen për mënyrën si ajo po shembet.

Si u arrit deri në vendimin për shembjen e godinës?

Në një zinxhir vendimmarrjesh objekti është shpallur dhe Bashkia e Tiranës ka marrë miratimin e Institutit të Ndërtimit për ta shembur.

Me vendimin nr.122 datë 05.03.2007 Ministria e Kulturës e shpalli godinën e ish-ATSH në Bulevardin Zogu I monument kulture kategoria II. Objekti vijon të jetë ende në listën e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.

Godina nën pronësinë e Bashkisë Tiranë ka qenë seli e një sërë partish politike dhe biznesesh private për vite të tëra. Rreth një javë më parë Kryebashkiaku Veliaj njoftoi shembjen e saj, duke përdorur në mënyrë të çuditshme argumentin e raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaj Bashkisë Tiranë.

“Kjo është ndërtesa që do rrëzohet, tamam si materniteti, 7 –  katëshi i famshëm i bashkisë. Prej kësaj ndërtese lindi edhe konflikti me partitë që merrnin hapësira publike dhe me të drejtë KLSH-ja thotë se për sa kohë që Bashkia ka hapësira pse duhet të marrë me qera gjysmën e Torre Drin-it që zihet nga parti që s’ju takon”, u shpreh Veliaj gjatë ecje me Kryeministrin të regjistruar live në “Facebook”.

https://www.facebook.com/38316716925/videos/1073058929848832

Dokumentet tregojnë se godina është pjesë e një tenderi prej 30 milion eurosh, duke u futur në listën e 14 objekteve arsimore që do të ndërtohen në Tiranë, në kuadër të programit të rindërtimi. Objekti është i vetmi në listë që nuk ka lidhje me arsimin e as nuk do të shndërrohet në godinë arsimore.

Sipas planit të projektimit do të ndërtohet një objekt për zyrat e administratës publike. Ndërkohë në po të njëjtin dokument objekti shpallet si i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Jashtë kamerave persona që kanë punuar aty për vite, thanë për Citizens Channel se akti i parë i ekspertimit i kryer nga inxhinierët e huaj e shpalli të sigurt objektin;

Të njëjtin mendim ka edhe inxhinieri i objektit Orhan Sakiqi: “Futem unë i pari nën të, futem nën objekt nëse ai bie nga tërmeti. Nuk ka gjë më të poshtër nga ana profesionale për një inxhinier, që sa është gjallë, i prishet vepra e tij”.

Ndërsa Citizens Channel ka kërkuar t’i vihet në dispozicion ekspertiza e thelluar dhe oponenca teknike e Institutit të Ndërtimit, e cila sipas Bashkisë Tiranë ka dalë në konkluzionin që objekti jo vetëm duhet të shembet, por duhet edhe të ndërtohet një i ri.

“Tritol në ansamblin e monumenteve”

Ende nuk dihet se si Bashkia Tiranë ka vendosur të kryejë shembjen e objektit, i cili qëndron mur më mur me dy godina të tjera që gëzojnë statusin Monument Kulture. Ky fakt ka ngritur shqetësim mes ekspertëve të fushës së arkitekturës.

“Objekti nuk është vetëm një trup, po i bashkëngjitët dy trupave të objekteve në krah, pra ato janë një trup i gjallë,një organizëm në fakt dhe si çdo organizëm, të heqësh një komponentë të tij, një pjesëz, e dëmton atë sigurisht”, shpjegon për Citizens Channel arkitekti Saimir Kristo.

Lajmi për rrëzimin e godinës ka ngritur shqetësimin edhe të personave që administrojnë godinat ngjitur me të. Sonila Abdalli, administratore e qendrës Destil, e cila po rinovon ambientet e objektit në të majtë të 7-katëshit, shprehet e shqetësuar për sigurinë dhe mungesën e informacionit.

“Frika jonë me e madhe është se mund të afektojë edhe strukturën e godinës tonë dhe të godinës tjetër që ka ngjitur në krah, d.m.th. ne ende nuk kemi marrë informacion sesi do të realizohet kjo prishje, çfarë lloj sigurie mund të kemi ne, në momentin që godina ngjitur prishet”, tregon Sonila e cila është arkitekte në profesion.

Objekti i ish-ATSH jo vetëm që vijon të jetë pjesë e listës së Monumenteve të Kulturës në Tiranë, por gjithashtu mungon dhe në listën zyrtare të monumenteve të dëmtura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Citizens Channel ka dërguar një seri kërkesash për informacion, për të zbardhur në vijim vendim marrjen institucionale që ka ccuar deri në shembjen e godinës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *