Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studim: Çmimet e larta dhe mungesa e strehimit social vështirëson garantimin e një strehe për qytetarët

Nga një përzgjedhje rastësore rezulton se 48.5% e qytetarëve në Tiranë jetojnë në garsoniere ndërsa 26.1% e tyre me qira. Përqindja më e lartë e të intervistuarve jetojnë në banesa me një sipërfaqe shfrytëzimi prej 31 – 50 metra katrorë.

Organizatat “Qendra për Advokim Social” dhe “Lëvizja Rinore dhe Egjiptiane” hartuan një raport studimor ku u analizuan 414 pyetësorë (264 për Bashkinë Tiranë dhe 150 për Bashkinë Elbasan) në lidhje me problematikat e strehimit.

“Asnjë prej bashkive të Republikës së Shqipërisë nuk ka të implementuar një program 5 – vjeçar , çka do të thotë se nuk e kanë prioritet çështjen e strehimit” u shpreh Ervis Cota, drejtues i projektit i cili ka në fokus analizën e nevojave të strehimit në Tiranë dhe Elbasan.

Një problematikë e konstatuar në raport është mungesa e njohurive mbi programet sociale të strehimit, ku 34.5% e të intervistuarve në Tiranë shprehen se nuk kanë aspak informacion në lidhje me mundësitë e ofruara ndërsa vetëm 11.5% e tyre kanë informacionin e nevojshëm.

Raporti rendit një sërë gjetjesh që lidhen me çështjen e strehimit:

  • Qytetarët e dy bashkive kanë mungesë informacioni për shërbimet që ofrojnë strukturat shtetërore të shërbimit social.
  • Njësitë vendore nuk kujdesen për të bërë shërbimet e qarta, transparente dhe të njohura për targetin që shënjestrojnë.
  • Mungon vëmendja e stukurave shtetërore në bërjen e problemit të matshëm dhe publikimin e të dhënave sistemike.
  • Nevoja për strehim është në rritje jo vetëm për kategoritë e pafavorizuara por edhe për shtresat e mesme të shoqërisë.
Takimi prezantues i raportit

“Numri i aplikantëve për përfshirjen në programin social të strehimit nuk tregon në fakt nevojën reale për strehim. Është shumë e vërtetë, pasi jo të gjithë ata që kanë nevojë për strehim aplikojnë”, u shpreh Dorian Hatibi, drejtori i strehimit në Bashkinë e Tiranës.

Hatibi konfirmoi se Bashkia e Tiranës disponon tashmë një draft fillestar të planit pesë vjeçar për strehim social, i cili është hartuar dhe do punohet edhe mbi gjetjet e studimit në fjalë.

“Kemi ngritur një komision për të gjitha drejtoritë e Bashkisë Elbasan për të marrë masat për hartimin e këtij plani por ende nuk kemi dal në një produkt final”, tha Marjus Hasa specialist për çështjet e strehimit nga Bashkia Elbasan.

Në takim u fol edhe për vështirësitë e qytetarëve për marrjen e një kontratë qiraje dhe mbi këtë u diskutua se do të ketë tolerime në ligj, që ligji të jetë më fleksibël për komunitetin.

Në raport theksohet dhe mungesa e transparencës nga ana e bashkive për asetet që kanë në menaxhim, përqindjet e hapësirave dhe apartamenteve që duhet të përdoren për strehim social.

“Shumë prej familjeve nuk arrijnë të sigurojnë një strehë të sigurt, jo vetëm si shkak i pamjaftueshmërisë së të ardhurave, por edhe si shkak i tregut të lartë të çmimit që kanë banesat”, citohet në raport.

Konsultimi me grupet e interesit, informimin nga ana e institucioneve ne mënyrë periodike dhe të kuptueshme, fuqizimi i kapaciteteve dhe fondeve, ishin disa nga rekomandimet e propozuara nga ky raport.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *