Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjykata Administrative: Kopshti Botanik i mbetet Universitetit të Tiranës

Gjykata Administrative pranoi padinë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave që kalonte Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Pas afro 18 muajsh betejë pranë Gjykatës së Apelit dhe pranë Gjykatës Administrative të shkallës së Parë, mund të njoftoj kolegët e mi, studentët dhe mediat që gjykata aprovoi, pra miratoi kërkesë padinë e universitetit të Tiranës për rrëzimin e vkm 510, pra nga ky moment kopshti botanik është në administrim, pronë shtetërore në administrim të Fakultetit të Shkencave”,-u shpreh Spiro Drushku, dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës pasi doli nga seanca gjyqësore.

Spiro Drushku, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës

Me një vendim nr.510 Këshilli i Ministrave në korrik të vitit 2019 vendosi t’i kalonte Kopshtin Botanik në pronësi dhe administrim Bashkisë Tiranë, ndërsa ishte nën përgjegjësinë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.

Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Universiteti i Tiranës ngritën padi ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Tiranë si palë mbështetëse.

Dekani Drushku u shpreh se do të ishte zhgënjim nëse gjykata do të vendoste jo në favor të Universitetit të Tiranës.

Do të ishte një zhgënjim i madh për të gjithë stafin, për të gjithë studentët, për të gjithë profesorët që vunë punën, mendjen për të krijuar atë kopsht, që ai kopsht të kalonte në administrim të Bashkisë. Bashkia ka plot vende për rekreacion, për lulishte, për pemë e çfarë të dojë ti kryejë për qëllimet e veta sikurse thotë vkm-ja, ndërsa kopshti botanik, ishte, është dhe do të mbetet pasuri e Universitetit të Tiranës dhe do të jetë në administrimin e saj, për atë qëllim që është krijuar, pra të jetë një qendër kërkimore shkencore unikale në vend në fushën e florës”,-përfundoi ai.

Përveç dekanit, të pranishëm në sallën e gjyqit ishin edhe zëvendës dekani, Ferdinand Bego, drejtuesi i Departamentit të Matematikës Artur Baxhaku, ndërsa në oborrin e Gjykatës Administrative prisnin dhjetëra pedagogë, mes tyre edhe studentë.

Tentativa “për të rrëmbyer” Kopshtin Botanik

Në pikën 2 të vkm-së numër 510, të miratuar më datë 17 korrik 2019 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të disa pasurive të paluajtshme në zonën kadastrale 3292, (kopshti botanik)” thuhet se Bashkia Tiranë bashkë me Universitetin e Tiranës lidhi një marrëveshje që i mundëson Universitetit të Tiranës ushtrimin e aktivitetit mësimor dhe të veprimtarive kërkimore-shkencore në ambientet e Kopshtit Botanik. Kopshti, i cili ishte krijuar dhe ishte pronë shtetërore nën administrimin e Universitetit të Tiranës, do të shndërrohej në një pronë lokale, ku Bashkia kishte të drejtë ta përdorte atë për funksionet e veta.

Reagimi institucional i Fakultetit të Shkencave të Natyrës vjen pas vendimit të Këshillit të Ministrave, duke kundërshtuar këtë vendim që sipas tyre jo vetëm që cënon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke renë ndesh edhe me ligjin për Arsimin e Lartë, por pamundëson edhe funksionin e këtij institucioni që është një punë 60 vjeçare ndër breza.

Reagimi i Dekanatit më 2019

Më 9 tetor 2019 u mbajt seanca gjyqësore pranë Gjykatës Administrative të Apelit, ku do të merrej në shqyrtim padia e Universitetit të Tiranës në lidhje me VKM-në 510, të datës 17 korrik 2019. Seanca u shty pasi kishte mungesë të përfaqësimit nga pala e qeverisë si palë e paditur.

Në të njëjtën kohë, studentë e pedagogë protestonin para godinës së Gjykatës duke kundërshtuar planin e bashkisë për të kaluar nën administrim Kopshtin Botanik.

Më 29 tetor 2019 u mbajt seanca e radhës, e cila u përmbyll me vendimin se padia e Universitetit të Tiranës ndaj Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Arsimit është legjitime dhe çeshtja tashmë mund të kalojë në gjykim.

Ky vendim bazohej në Ligjin Nr.80/2015 për Arsimin e Lartë që i garanton universitetit autonomi të plotë. Bashkia Tiranë kishte kërkuar më herët që padia e Universitetit të Tiranës të mos pranohej. Edhe ky proces u shoqërua me protesta jashtë ambienteve të Gjykatës nga studentë dhe pedagogë.

Prej më shumë se një viti seancash gjyqësore, në seancën e fundit pranë Gjykatës Administrative, u vendos në favor të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Universitetit të Tiranës.

Kopshti Botanik i Tiranës filloi të ndërtohej në vitin 1964 dhe përfundoi në 1971. Kopshti kishte si qëllim kryesor njohjen dhe ruajtjen e florës së Shqipërisë dhe llojeve të ndryshme bimore të rrezikuara. Ai zotëron një sipërfaqe prej rreth 15 ha, në të cilën rritet një diversitet bimësh, me rreth 1400 lloje të tyre, që i përkasin më së shumti vendit tonë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *