Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Dita e Përkujtimit të Krimeve Kundër Kulturës”, një vit nga shembja e godinës së Teatrit Kombëtar

17 maj 2020, Teatri Kombëtar u shemb në orët e para të mëngjesit. Edhe pse në kushte pandemie, ndërsa nuk lejohej lëvizja e lirë e qytetarëve, qindra forca policore rrethuan godinën duke shënuar përplasje me qytetarët që kishin më shumë se dy vite në mbrojtje të kësaj kauze.

Sot, dhjetëra qytetarë vendosën lule e ndezën qirinj në shenjë simbolike në sheshin para ish godinës së Teatrit Kombëtar. Përpara një banderole të shpalosur nën shprehjen “Teatri Krim Shtetëror, i Pandëshkuar nga Drejtësia e Kapur”, disa prej tyre ligjëruan për ndjesitë e një viti pa teatër.

“Po flas si qytetare e lirë, që e kam ndjekur, që kam qenë e pranishme shpesh në këtë protestë dhe mendoj një nga protestat më të bukura të rezistencës shqiptare, në demokraci dhe ka qenë një ditë e trishtë. 17 Maji i vitit të kaluar, për mua personalisht, si njeri i rritur me teatrin, që të paktën që nga fundi, mesi i viteve 80, kështu që akoma sot më shkakton, më tremb ideja që të shohësh një godinë me të cilën je lidhur shpirtërisht në rininë tënde, ta shohësh të shembet para syve”,– u shpreh Flutura Açka për Citizens Channel.

Flutura Açka

Me gjithë nxitimin e Bashkisë Tiranë për të ndërtuar sa më parë një teatër të ri, toka në të cilën ngrihej Teatri Kombëtar qëndron bosh, hapësirë e pa aksesueshme nga qytetarët dhe mbart akoma rrënojat e mbetura.

Qytetarët dhe aktivistë u shprehën se tanimë nevoja për drejtësi është përtej shembjes së një godine.

“Drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar! Megjithatë drejtësia vonon, por nuk harron. Sigurisht që kanë qenë periudha shumë të vështira. Nëse drejtësia do të kishte funksionuar teatri nuk do të ishte shembur asnjëherë. Ne e kemi konsideruar teatrin viktimën e parë të drejtësisë së re. Dhe sigurisht që duke qenë viktima e parë e kësaj drejtësie të re duhet të ishte edhe e para që do trajtoheshe. Por duke pritur të zhgënjyer mund të them që është lënë mënjanë dhe për këtë kemi kuptuar që duke konsideruar teatrin një krim politik është politika ajo e cila ka ndaluar së trajtuari këtë krim nga ana e drejtësisë”,-u shpreh Doriana Musai, aktiviste e kauzës së teatrit.

Doriana Musai

Në këtë përvjetor të shembjes së Teatrit Kombëtar, aktivistët pjesë e qëndresës dy vjeçare, e konsideruan 17 majin si “Dita e Përkujtimit të Krimeve Kundër Kulturës”. Përmes një deklarate para mediave ata kërkuan gjykim profesional nga institucionet gjyqësore.

“U bëjmë thirrje organeve të drejtësisë, SPAK-ut, Prokurorisë dhe gjykatësve që po shqyrtojnë çështjet e lidhura me Teatrin, në mes tyre veçanërisht trupës gjykuese të Gjykatës Kushtetuese që më 3 Qershor 2021 të gjykojnë bazuar në kushtetutën e vendit dhe në etikën e tyre profesionale dhe jo të ndikuar nga presionet e kastës në pushtet dhe botës së errët që qëndron pas saj”,-thuhet në deklaratë.

Ndërsa e konsideruan vendosjen e drejtësisë si një maksimë për të rimëkëmbur shpresën dhe për të kthyer besimin e qytetarëve.

“Çështja e Teatrit Kombëtar dhe vendosja e drejtësisë për të, është një maksimë për të rimëkëmbur shpresën për shtet ligjor në Shqipëri, për të rikthyer besimin e qytetarëve ndaj drejtësisë dhe organeve të caktuara për të ruajtur balancën në shoqëri dhe mundësuar llogaridhënien në një shtet anëtar të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian”.

Avokati Dorian Matlija u shpreh për Citizens Channel se proceset gjyqësore janë në proces, ndërsa pritet më 3 qershor seanca publike e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjyqet që janë, pikërisht për të zgjidhur problemin kryesor, pra për të kthyer Teatrin aty ku ishte, janë gjyqe që zhvillohen në Gjykatën Kushtetuese fillimisht, pra gjykata më e rëndësishme e Republikës, që pritet që në 3 Qershor të ketë seancë publike dhe një gjyq tjetër në gjykatën administrative që është hapur pikërisht me qëllimin për të detyruar organet që e prishën pra Bashkia e Tiranës dhe IKMT që ta rindërtojnë teatrin ku ishte, në formën që kishte”,-u shpreh Matlija.

Dorian Matlija, avokat

Pas shembjes së godinës së teatrin një sërë padish janë dorëzuar në organet e drejtësisë kundrejt Këshillit Bashkiak, Këshillit Teknik, drejtorit të IMT-së, drejtuesit të policisë së shtetit, kryebashkiakut Veliaj, si dhe inxhinierëve e funksionarëve të Institutit të Ndërtimit.

Deri më tani nuk ka asnjë vendim nga organet e drejtësisë për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa pritet më 3 qershor të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *