Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ishëm, vullnetarët mbledhin 600 thasë plehra nga lumi më i ndotur në Evropë

Këtë të shtunë, rreth 200 aktivistë shqiptarë e të huaj të organizatës River CleanUp u mblodhën për pastrimin e grykëderdhjes së lumit Ishëm, i konsideruar lumi më i ndotur në Evropë.

Një banor i zonës ofroi zetorin e tij për të transportuar aktivistët mes rrugës së vështirë që të çon drejt grykëderdhjes së lumit, ku qindra kilogramë mbetje shtrihen buzë detit Adriatik.

Për disa orë radhazi, u realizua mbledhja e 600 thasëve me plastikë dhe mbetje të tjera, përfshire edhe ato mjekësore, të cilat do të diferencohen sipas kategorive dhe do të riciklohen.

Përfaqësues të River CleanUp nga Belgjika shpjeguan se kjo organizatë zgjedh në çdo kontinent lumin më të ndotur dhe ndërhyjnë për ta pastruar, duke punuar në tre shtylla kryesore: ndërgjegjësim, bashkëpunim me institucionet, përfshirë ato të edukimit dhe teknologjinë.

Ky është një moment shumë fantastik që gjithë këta njerëz e shohin situatën, dhe pastaj mund të fillojnë të flasin me qeverinë po ashtu, që të marrin vetë përgjegjësi dhe të mendojnë gjithashtu për zgjidhje të tjera që vjen nga vetë shteti”, – tha për Citizens Channel Kevin De Backer.

Kevin De Backer, River CleanUp, Belgjikë

Ai pohon se po punojnë për implementimin e një teknologjie që të pozicionohet në lumë dhe do të shërbejë si ndalesë për “lundrimin” e mbetjeve deri në det.

Rreziku shëndetësor i ndotjes së ujit

Hedhja e plastikës në det kalon përmes një cikli, ku planktonet hanë plastikë, peshqit hanë planktone dhe njerëzit hanë peshqit, duke krijuar kështu një cikël prej konsumi të plastikës, në dëm të botës së gjallë dhe njerëzve.

Kafshët ushqehen me plastikë dhe sëmuren dhe në këtë formë vdesin, nëse ne do të vazhdojmë në këtë formë do të jetë shumë e dëmshme dhe për ne, edhe për planetin tonë, sepse nëse oqeanet vdesin, edhe ne vdesim. Ne na nevojiten oqeanet sepse prodhojnë oksigjen për ne”, – u shpreh Ines Goovaerts nga River CleanUp.

Ines Goovaerts, River CleanUp Belgjikë

Artens Lazaj nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, cilësoi se ky aksion ka si qëllim kryesor ndërgjegjësimin qytetar.

Ne duam t’i nxisim të gjithë të rinjtë që janë aktiv në komunitetet e tyre që të dalin, të ndërmarrin nisma, të pastrojnë sa më shumë të jetë e mundur dhe kryesorja të mos ndotin edhe ta ruajnë mjedisin”, – tha Lazaj.

Artenc Lazaj, President i Këshillit rinor, Ambasada Amerikane

Mathilde Guignard, një mësuese franceze e cila jeton në Shqipëri, shpjegoi se u njoh me ndotjen e lumit Ishëm disa kohë më parë, ku pasi e pa në hartë, vendosi të bëjë zhytje, plan i cili u anulua pas situatës në terren.

Ajo shprehet se veçse ndërgjegjësimit dhe ndërhyrjes institucionale, një zgjidhje është reduktimi i përdorimit të plastikës.

Mathilde Guignard, pjesëmarrëse në aksionin e pastrimit të grykëderdhjes së Ishmit

Unë jam mësuese, përpiqem t’u tregoj studentëve të mi se është mirë të pastrosh lumenjtë por gjëja e parë është të blesh më pak plastikë. Më pak qeska plastike, më pak bidonë uji. Përpiqu të blesh sa më pak, përpiqu të ripërdorësh sa më shumë, riciklo”, – rrëfeu Guignard për Citizens Channel.

Lumi Ishëm, shqetësim ndërkombëtar

Lumi Ishëm, përshkon Shqipërinë qendrore dhe është rreth 79.2 kilometra i gjatë dhe formohet nga bashkimi i ujërave të lumit të Lanës, të Tiranës, lumit të Tërkuzës, lumit të Zezës dhe atë të Gjolës, për t’u derdhur në gjirin e Rodonit.

Ky lum është konsideruar më i ndoturi në Evropë, i cili derdh çdo vit në detin Adriatik 700 ton mbetje plastikë, duke e kthyer atë në një shqetësim ndërkombëtar.

Ne e dimë nga studimet shkencore se afërsisht janë një milion njerëz që jetojnë përgjatë lumit Ishëm dhe afërsisht ata krijojnë 1.7 kg mbetje në ditë. Një pjesë e tyre mblidhet, por 50% e tyre nuk mblidhen por hidhen në natyrë, hidhen saktësisht në lumë”, – shpjegoi Kevin De Backer.

Problemi është se ka kaq shumë ndotje në lumin Ishëm saqë niveli i uji po rritet dhe Ishmi po del nga shtrati i tij, që bën që shtrati i lumit të shkërmoqet duke shkaktuar erozion dhe nëse situata vazhdon kështu, njerëzit do të humbasin shtëpitë e tyre”, – përfundoi Ines Goovaerts.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *