Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shkencëtarë nga Evropa dhe Shqipëria bashkohen sërish për Vjosën

Tabela “Jo HEC-e në Shushicë”, e pozicionuar në një ndërtesë në dukje e braktisur, anës rrugës në fshatin Brataj, shërbeu edhe si paraprirëse e aktivitetit të plot 30 shkencëtarëve të ardhur nga Austria, Italia, Gjermania dhe Shqipëria, të cilët u mblodhën po në Brataj, për të nisur me 30 maj javën shkencore fillimisht në lumin Shushicë, degëzim i lumit të fundit të egër në Evropë, Vjosë.

Ata vijnë me misionin për të mbledhur të dhëna shkencore që do të përdoren për të argumentuar rëndësinë e ruajtes të të gjithë rrjetit lumor të Vjosës, përfshirë degëzimet si Shushica dhe Bënça, dy tributarë që kërcënohen nga 12 hidrocentrale.

Qeveria Shqiptare, pas presionit dhe fushatës ndërkombëtare për ruajtjen e Vjosës – që rrjedh ende e lirë në 270 kilometra, nga malet e Pindit deri në detin Adriatik, vendosi t’i garantojë mbrojtjen e kategorisë së katërt të rrjedhës qëndrore, duke përjashtuar degëzimet e saj.

Në Shushicë, një ndër tributaret e Vjosës, planifikohen të ndërtohen katër hidrocentrale. Ministria e Energjisë dhe Industrisë njoftoi në vitin 2017 se shoqëria “Shushica Hydropower Sh.p.k” ka fituar koncensionin për ndërtimin e HEC Drashovicës, HEC Koten, HEC Gjorm dhe HEC Brataj.

Shkencëtarët e huaj dhe shqiptarë kërkojnë mbrojtjen e plotë të sistemit ujor përfshirë degëzimet më sipër, me statusin “Park Kombëtar” kategorie e dytë, që do ta shpëtonte Vjosën një herë e mirë nga hidrocentralet.

Fritz Schiemer, profesor në Universitetin e Vjenës, u shpreh se ata janë të mrekulluar. “Nuk kemi diçka të ngjashme sikur e keni ju në Vjosë”, tha ai për Citizens Channel, teksa pohoi se në Evropë çdo lumë është shfrytëzuar.

Fritz Schiemer, profesor në Universitetin e Vjenës

Për ne është fantastike të punojmë në këtë sistem unik lumor”, – cilësoi Schiemer.

Banorë të zonës gëzojnë nga ardhja e shkencëtarëve të huaj në atë zonë. Shpëtimin e shikojnë tek turizmi, teksa të rinjtë pohojnë se dëshirojnë të kthehen për të investuar në vendlindje.

Nuk i duam hidrocentralet, se e para një herë na prish të gjithë bukurinë, e dyta nuk ngelet më lumë aty, as për bagëti, as për vaditje”, – pohon kryeplaku i fshatit Qemal Malaj, i cili shpjegon se në dëgjesë publike, përveç një banori, të gjithë të tjerët kanë kundërshtuar.

Qemal Malaj, kryeplaku i fshatit Brataj

Krahas kërkimeve në terren dhe kundërshtimeve të komunitetit, çështja vijon edhe në rrugë ligjore. Kompanisë “Shushica Hydropower Sh.p.k” i ka mbaruar leja mjedisore për të shfrytëzuar burimet ujore, shpjegon Dorian Matlija, që së bashku me Irena Dulen po ndjekin rastin e Shushicës.

Kontrata është përpiluar në mënyrë të gabuar sepse ata fillimisht nuk kanë marrë leje paraprake për të përdorur burimet ujore. Ne do mundohemi të gjejmë si mund ta sulmojmë këtë kontratë sepse vetëm kështu mund t’i japim fund këtij projekti”, – tha Matlija para shkencëtarëve dhe aktivistëve.

Shushica në lupën e shkencëtarëve

Profesor Aleko Miho, nga Departamenti i Biologjisë tregon se në thelb të gjitha këto përpjekje për mbrojtjen e lumit Vjosë kanë një qëllim; ruajtjen e oksigjenit.

Ruajtja e oksigjenit, shpjegon ai, vjen duke mbrojtur një sistem ujor që është i fundit i mbetur i tillë në Shqipëri e në Evropë. Në këtë rrjedhë të egër, saktëson Miho, jetojnë shumë gjallesa që luajnë një rol tejet të rëndësishëm në natyrë. I tillë është perifitoni.

Perifitoni janë të gjithë organizmat bimorë që jetojnë mbi gurë, drurë, bimë të tjera brenda të cilave po ta shohësh me mikroskop kanë një botë të tërë llojesh”, – shpjegon për Citizens Channel Miho.

Perifitoni, shtresa që rrethon gurin

Perifitoni bën fotosintezën, prodhojnë oksigjen, prodhojnë lëndë organike, përvetojnë dioksidin e karbonit dhe çlirojnë oksigjen dhe lëndë organike me të cilat mbahet një pjesë e mirë e botës së gjallë”, – tregon më tej ai teksa në dorë mban një gur të marrë në ujërat e lumit Shushicë.

Aleko Miho, profesor në Universitetin e Tiranës

Në formën e një logjike deduktive, profesor Aleko Miho informon se ndërtimi i hidrocentraleve do të pakësonte oksigjenin, sepse dëmton edhe florën rreth e qark.

Ujërat mbajnë pemët. Një pemë prodhon rreth 300 kilogramë oksigjen. Një njeri që të jetojë do afërisht disa qindra kilogramë në vit kështu që secili nga ne do disa pemë që të mbahet.. Nëse ne heqim ujërat ne humbasin pjesën e florës”.

Krahas profesorëve dhe shkencëtarëve, të pranishëm në javën kërkimore në lumin e Shushicës dhe Bënçes ishin edhe studentë, që po mbledhin të dhëna rreth vlerës në terma shkencorë të tributarëve.

Unë jam studente në fakt në degën e biologjisë, mjedisit. Jam në vit të dytë master edhe me këtë që po merrem e kam gjithashtu temë diplome, është studim i makro-invertebrorëve”.

Studente, pjesëmarrëse në “Javën shkencore”

Makro-invertebrorët janë larva dhe insekte të vogla që shërbejnë si indikatorë për të treguar cilësinë e ujit, shpjegon studentja.

Mikro-invertebrorët të mbledhur në lumin Shushicë

Të gjitha gjetjet do të përpilohen në një raport shkencor që do të përbëjnë bazën kryesore shkencore për të kundërshtuar hidrocentralet në tribunarët e Vjosës.

Lajme të mira për Vjosën…

Në muajin shtator të vitit 2020, Ministria e Mjedisit i sugjeroi Këshillit Kombëtar të Territorit të mos i jepte leje kompanisë Ayen – Alb për të ndërtuar hidrocentralin e Kalivaçit, në zemër të lumit Vjosë. Kjo ministri e mbështeti argumentimin në nëntë pika ku solli në vëmendje ndikimin që do të kishte në mjedis.

Kompania “Ayen – Alb” ngriti një padi ndaj Ministrisë së Mjedisit dhe kërkoi shfuqizmin e deklaratës mjedisore negative. Me datë 28 maj, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi padinë e kompanisë.

Shkas u bë plagjiatura dhe marrja e raporteve shkencore të përpiluara nga shkencëtarët që kundërshtojnë ndërtimin e digave në Vjosë për t’u përdorur si argumente pro HEC-eve nga kompania koncensionare gjatë përpilimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM).

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *