Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Rigjallërimi i kulturës së debatit”, 100 gjimnaze përballë njëri-tjetrit

Interneti përgjatë pandemisë, arsimi publik kundrejt atij privat, integrimi në BE dhe angazhimi i të rinjve në politikbërje ishin temat të cilat vendosën sot përballë njëri-tjetrit katër shkolla të mesme në finalen e kampionatit të debatit.

Gjimnazi i Rrëshenit, shkolla “Flatrat e Dijes” në Fier, shkolla “Sami Frashëri” në Tiranë dhe shkolla jo publike “Protagonistët” ishin katër gjimnazet që arritën deri në fund të kampionatit Re-Debate 5.1.

Re-Debate 5.1, realizuar nga organizata “Liburnetik” është kampionati i cili zhvillohet për të katërtin vit radhazi duke ulur përballë njëri-tjetrit këtë herë 100 skuadra përfaqësuese të 100 shkollave në 61 bashki të vendit.

Përpos vështirësive që solli pandemia, ku si rrjedhojë fazat e para të debatit u zhvilluan online, sot shkollat e mesme finaliste u takuan ballë për ballë.

Fituesja e Re-Debate 5.1 të këtij viti u shpall shkolla jopublike shqiptaro-amerikane “Protagonistët”.

Kejsi Hoxha, përfaqësuesja e grupit të debatit të kësaj shkollë rrëfen për Citizens Channel ndjesitë e pjesëmarrjes në një kampionat debati, të vetëm në Shqipëri.

“Debati ka qenë edhe ai që më ka dhënë një shtysë për të ndjekur ëndrrën time dhe shpresoj shumë që çdo gjë të shkojë mirë tani siç shkoi edhe këtu”, -tha Kejsi Hoxha.

Kejsi Hoxha, gjimnaziste

Për Klajdi Merkaj, përfaqësues i gjimnazit jo-publik “Flatrat e Dijes” në Fier, kjo është hera e parë që merr pjesë në këtë kampionat.

Përgjegjësia ishte pak më e madhe mbi supet e mia për shkakun se isha edhe lideri i grupit, ndaj edhe duhet të përgatitesha më shumë pasi një fazë varet nga grupi dhe një fazë varet nga lideri. Por dua të them se kishte frymë bashkëpunimi, kishte emocione të pafundme dhe kjo na shërbeu më së shumti për t’u rritur bashkë me njëri tjetrin, për të krijuar marrëdhënie sa më të ngushta dhe për të arritur deri në këtë fazë ku ishim”,-rrëfen Klajdi për Citizens Channel.

Sipas tij COVID-19 ishte një sfidë për të gjithë nxënësit e shkollës së tij.

“Pavarësisht se ishte një goditje e papritur, ne sërish në shkollën tonë ia dolëm të zhvillonim aktivitete, mësimin online, por njëkohësisht edhe debatin. Kryerja e debatit në Zoom ishte vërtetë një sfidë për ne, por ia vlejti, sepse në fillim falë Zoom-it ia arritëm që të vinim sot këtu fizikisht”.

Klajdi Merkaj, gjimnazist

Shkolla e tij rrëmbeu çmimin e tretë në këtë kampionat teksa kishte përballë në debat gjimnazin e Rrëshenit, i cili u rëndit i katërti.

Për Jonilda Nikollin, përfaqësuese e grupit të debatit të gjimnazit të Rrëshenit, pjesëmarrja në Redebate 5.1 e ka rritur atë në zotërimin e argumenteve.

Është i disati vit që unë jam pjesë e Re-Debate dhe jam tepër e lumtur. Redebate më ka rritur shumë për sa i përket mënyrës së artikulimit dhe të formimit të të gjitha argumenteve të mia. Gjithashtu Redabate ka qenë një dritare për të njohur nejrëz të rinj dhe ëpr tu vlerësuar nga njerëz tepër të aftë të cilët më kanë ndihmuar që të pranoj edhe argumentin edhe mendimin ndryshe për çfarëdolloj teme të caktuar”, -shprehet Jonilda Nikolli.

Jonilda Nikolli, gjimnaziste

Shkolla e mesme “Sami Frashëri”, u rendit në vendin e dytë me një diferencë të vogël pikësh.

Për drejtuesin e organizatës “Liburnetik”, Ergys Gezka, megjithëse Re-Debate 5.1 u zhvillua online, ai pati një shtrirje kombëtare.

“Ky ka qenë viti me shtrirjen më të gjerë, pavarësisht se ishte dhe pandemia, por përshtatja e formatit online bëri të mundur që të arrijmë 100 shkolla, 100 mësues, 100 skuadra nga 61 bashki të vendit duke mbuluar në mënyrë kombëtare territorin”,- u shpreh Gezka.

Ergys Gezka, Organizata “Liburnetik”

Ai sqaron se në vijim kampionati i debatit synon të përfshijë edhe më shumë shkolla.

Synimi për vitin e ardhshëm është që të përfshijmë akoma më shumë shkolla dhe aktorë që do të duan të na bashkohen për të qenë pjesë e dhënies frymë të të rinjve përmes zhvillimit të mendimit kritik, pasi kemi vërtet nevojë në nivel aktivizmi rinor, në nivel qytetarie aktive dhe gjithashtu ndërgjegjësimi ndaj rëndësisë së të debatuarit që Ministria e Sportit dhe Rinisë duhet të marrë me qëllim që pse jo pas pak kohësh të futet në kurrikulën e shkollave të mesme”,-përfundon ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *