Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Durrës: Rindërtimi i tregut i lë tregtarë në qiell të hapur për 100 ditë

Sot, rreth 250 punonjës të Tregut Agrobujqësor në Durrës janë zhvendosur për të vijuar aktivitetin e tyre në lagjen nr. 18, rruga “Bashkim Taga”, në vendin e quajtur “Fusha e rërës”, për një periudhë të përkohshme tre mujore.

Naze Laçe. Shitese

“Ne nuk jemi skllevër, është e nevojshme një banjë, një çezmë… Të paktën ta kenë të shtruar me një beton të varfër dhe një tendë që mos na prishet malli”, u shpreh për Citizens Channel tregtarja Naze Laçe.

Tregtarët refuzojnë të punojnë pa kushtet minimale

Edhe pse janë pro rikonstruksionit të hapësirës aktuale ku ushtrojnë biznesin e tyre, tregtarët e markatës së njohur si tregu i fruta perimeve, pohojnë se më mirë të qëndrojnë një periudhë kohore të papunë sesa të zhvendosen te “Fusha e rërës”, ambienti i propozuar – detyruar nga Bashkia Durrës.

Pamje nga “Fusha e reres”

“Nuk shkoj, do të rri pa punë dhe nuk shkoj. Kam frikë se atje më bien të fikët e vdes në vend”, tha një nga shitëset, e pakënaqur nga momenti i transferimit në temperaturat e larta të sezonit veror.

Punonjësit u lajmëruan për vendimin e Bashkisë Durrës me një anë të një njoftimi pa vulë apo firmë institucionale, i ngjitur në murin e  Tregut Agrobujqësor.

Plani i rikonstruksionit të tregut është propozuar fillimisht në 2019, edhe pse puna ka nisur vetëm sot. Më 1 korrik tregtarët protestuan kundër transferimit në “Fushën e rërës” por krye bashkiakja Sako në një deklaratë për mediat hodhi poshtë kërkesën e tyre. Ajo konfirmoi se punimet do përshpejtohen, nga 4 muaj që ishin parashikuar në projekt, do të përmbyllen në tre.

“Do të ndryshohet komplet struktura e mbulesës, do të vendoset me panele sanduiç të cilat do të kenë drijtëzim dhe ditën dhe natën” u shpreh Sako.

Një ankesë tjetër e tregtarëve është se “Fusha e Rërës” është një zonë e largët në krahasim me pjesën qendrore të qytetit ku ata ndodheshin dhe rrjedhimisht shitjet do të jenë më të pakta.

Citizens Channel kontaktoi me përfaqësues të Bashkisë Durrës të cilët pohuan se situata është e përkohshme dhe tregtarët do të rikthehen pas tre muajsh në një ambient tërësisht të ri konstruktuar dhe me kushte moderne.

“Tregtarët gjatë kësaj periudhe nuk do të paguajnë asnjë lloj takse”, u pohua nga përfaqësues të Bashkisë Durrës.

Pavarësisht lehtësimit nga ana taksave përfaqësuesit e institucionit thanë se në mungesë të fondeve nuk mund të investojnë në një treg të përkohshëm duke nënkuptuar se puna në këto 100 ditë do të vijojë në mungesë të kushteve bazike.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *