Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Prezantohet raporti për sigurinë e gazetarëve; Paditë, censura e kushtet e punës mbeten problematike

Mbrojtja ligjore, kushtet e punës të gazetarëve dhe siguria e tyre ishin tre shtyllat kryesore të studimit të prezantuar sot nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalist) për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në vend.

Studimi analizon situatën përgjatë vitit 2020, ku një rol të rëndësishëm zë pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

Sipas autores së studimit, Blerjana Bino, për indikatorin e parë – mbrojtjen ligjore – në parim ekzistojnë garancitë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, por në praktikë ka një përkeqësim të tyre.

“Paketa “anti-shpifje” edhe pse ka kaluar thuajse një vit nga rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe nuk ka ende asnjë iniciativë nga qeveria shqiptare për t’i zbatuar ato dhe për ta përmirësuar legjislacionin në përputhje me to dhe qëndron ende e listuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo është shqetësuese”,-shprehet Blerjana Bino.

Blerjana Bino, autore e studimit

Transparenca e hartimit të legjislacionit për mediat, kërkesat e rrepta të licencimit, kufizimi i aksesit në internet, proceset gjyqësore ndaj gazetarëve dhe ligji për shpifjen janë disa nga çështjet e trajtuara në këtë pjesë të studimit.

“Politikanët dhe përfaqësuesit e bizneseve të mëdha zakonisht hapin procese të tilla gjyqësore në një përpjekje për të bërë të heshtin gazetarët investigativë ose mediat kritike”,-thuhet ne raport referuar çështjeve gjyqësore ndaj gazetarëve.

Përdorimi i pandemisë si justifikues për të penguar transparencën dhe llogaridhënien ndaj gazetarëve është një tjetër konstatim i kryer në raport, duke krijuar monopol të informacionit.

Në pjesën e dytë të raportit, i jepet vëmendje pozicionit të gazetarëve në redaksitë e lajmeve dhe kushteve të punës. Kontratat, pavarësia redaksionale si dhe kufizimet ekonomike për lirinë e gazetarëve ishin çështjet e trajtuara në këtë pjesë të studimit.

Vihet re një dallim ndërmjet burrave dhe grave në kuptimin që gratë gazetare ndodhen në vështirësi më të mëdha dhe në sfida më të mëdha se sa gazetarët burra. Kjo është e vërtetë edhe për gazetarët më të rinj në raport me gazetarët e konsoliduar dhe sidomos për ata që punojnë në media lokale ose në media online në raport me mediat e mëdha,-shprehet autorja e studimit, Bino.

Po ashtu mos pagesa në kohë e rrogës, problemet që lidhen me marrjen e pushimeve, sidomos përgjatë COVID-19 si dhe probleme me marrjen e lejes së lindjes janë disa nga shqetësimet e pasqyruara në raport.

Siguria e gazetarëve është pjesa e fundit e studimit që përmbledh çështje të tilla si kërcënimet apo sulmet ndaj gazetarëve.

Sipas raportit në këtë aspekt ka një sërë padish ndaj gazetarëve me qëllim heshtjen e tyre që njihen ndryshe si paditë SLAPP.

Janë 17 raste të sulmeve të kërcënimeve ndaj gazetarëve gjatë 2020 sidomos gjatë raportimit të terren për protestat e majit 2020 për Teatrin dhe të protestave të dhjetorit të 2020, pro edhe sulme të tjera fizike ndaj gazetarëve. Problemi është mungesa e follow- up. Pra proceset gjyqësore janë të ngadalta dhe nuk janë në favor të gazetarëve”,-përfundon Blerjana Bino.

Sipas Binos sfidë në Shqipëri mbetet fuqizimi i shoqatave të gazetarëve dhe Unionit të gazetarëve me qëllim që të rrisin rolet advokuese për të drejtat dhe liritë e gazetarëve.

Raporti vjen me një sërë rekomandimesh për politikbërësit me qëllim sigurimin e një mbrojteje ligjore më të madhe, përmirësim të barazisë gjinore në redaksi, zbatim i të drejtës për informim, mbrojtje dhe hapësirë e sigurt për gazetarët si dhe forcim të mekanizmave të vetë-rregullimit.

Lexo raportin e plotë këtu.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *