Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: “Një strehë për gratë e divorcuara”

Autore: Esmeralda Keta | Citizens Channel | Tiranë

E vetme dhe pa asnjë mbështetje, Aleksandra, 30 vjeç, së bashku me katër fëmijët e saj prej muajsh kanë mbetur “rrugëve”. Ajo nuk ka pasur kurrë një shtëpi të sajën, e në mungesë të ndihmës shtetërore herë pas here ka gjetur strehë me ndihmën e shoqatave.

Kështu ndodhi edhe pas tërmetit, ku u strehua me ndihmën e shoqatës në “Dobi të gruas Shqiptare”, e cila i pagoi një pjesë të qirasë, pasi ajo përfitoi rimbursim në masën 50 % të qirasë së banesës, nga programi i strehimit social në bashkinë e Tiranës.

Por paratë si pastruese nuk i dilnin thuajse për asgjë, ndaj pa mbaruar viti, pronari i shtëpisë e nxori jashtë, pasi nuk kishte mundur të paguante dritat dhe ujin për disa muaj.

Pa punë, me fëmijët, më i vogli 3 vjeç dhe më e madhja 12 vjeç, e reja është detyruar që vajzën e madhe ta dërgojë tek prindërit e saj për ta mbrojtur nga rruga.

Si pasojë, vajza rrezikon ta përjashtojnë nga shkolla, për shkak të numrit të lartë të mungesave.

“Më duhet të dal të punoj për të siguruar lekë për t’u ushqyer e nuk mund ta lë pa vëmendje, ndaj e kam çuar tek prindërit e mi që jetojnë në Sauk. Por më ka mbetur pa shkollë, e sjell ndonjëherë, se këta të shkollës më thonë do të ta ngelim. Po ku ta çoj unë atë?” – pyet Aleksandra.

Aleksandra me vajzën e saj të vogël

E gjendur në këtë situatë emergjente, ku rrezikonte të përfundonte në rrugë, ajo i kërkoi ndihmë aktivistes Ina Kasimati, e cila vuri  në dijeni përfaqësuese te Aleancës së Grave në Këshillin Bashkiak. Vetëm pas kësaj “ndërhyrjeje”, bashkia premtoi ta shqyrtonte me prioritet dhe të merrte përsipër zgjidhjen e situatës së rëndë së kësaj familje, me katër fëmijë të mitur.

Por pavarësisht premtimeve dhe optimizmit, gjërat lëvizin shumë ngadalë kur bëhet fjalë për zgjidhje afatgjata.

Aleksandra tregon se burokracitë, për të përfituar nga programet sociale, janë shpeshherë penalizuese për këtë kategori në nevojë.

“Qendra “Drejtësi Sociale” më ndihmoi për plotësimin e dokumentacionit për riaplikim në programin e rimbursimit të qirasë së banesës. Mirëpo, në përgjigjen që më dhanë gojarisht nuk rezultoja  fituese, pasi sipas tyre kontrata me pronarin social nuk ishte e noterizuar, ndërkohë që unë e kisha nënshkruar para avokatit, që e njeh edhe ligji. Ata e njohin shumë mirë situatën time, jam me 4 fëmijë, vetëm me ndihmë ekonomike, ku paskam unë4000-5000 lekë të reja për  noterizimin e kontratës me pronarin social?”, – pyet me të drejtë Aleksandra.

Pavarësisht këtyre sfidave Aleksandra nuk u dorëzua. Ajo kërkoi me ngulm tek drejtoria e strehimit në bashkinë e Tiranës që ti mundësojnë një zgjidhje përfundimtare.

“Asnjë shtëpi sociale në Tiranë”

“Aktualisht Bashkia Tiranë nuk ka në dispozicion asnjë banesë sociale, por pritet që të përfundojë kompleksi i ri i banesave sociale që po ndërtohen tek rruga “5 maji”, – është përgjigja që institucioni i dha Citizens Channel.

Mirëpo edhe në këtë kompleks, me sa duket do të jenë të fundit që do të përfitojnë.

“Nis ndërtimi i 11 pallateve të reja. 1000 apartamentet e para, të cilat do të akomodojnë në vijimësi ata që janë dëmtuar nga tërmeti”, – shprehej kryebashkiaku Erion Veliaj në fund të tetorit 2020, teksa i raportonte kryeministrit Rama se me nisjen e projektit në rrugën “5 maji”, procesi i rindërtimit hynte në fazën e tij më të rëndësishme.

Gentian Serjani, drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale” e shikon me skepticizëm mënyrën se si është kompozuar ligji.

Gentjan Serjani

“Ky kompleks ka dy paradokse: e para, nuk dihet se kur do t’u vijë radha kësaj kategorie, pasi prioritet janë familjet e prekura nga tërmeti dhe e dyta ngërçi qëndron tek procedurat ligjore. Në shumicën e rasteve, këto familje nuk përfitojnë këto banesa pasi kanë kritere pagese shumë të larta”, – thotë ai.

E vetmja zgjidhje për momentin për Aleksandrën mbetet bonusi i qirasë. Ajo ka gjetur vetë një banesë të pamobiluar, ku një shoqatë ka marrë përsipër qiranë e shtëpisë për dy muaj, ndërkohë bashkia e Tiranës është kujdesur të sigurojë krevatet e fëmijëve.

“Dua një zgjidhje përfundimtare, nuk mund të rri dy muaj këtu dhe pastaj të përfundoj prapë në rrugë”, – na thotë Aleksandra, e pakënaqur nga zgjidhja provizore.

Sfida e pamundur e strehimit

Rasti i Aleksandrës nuk është i panjohur për bashkinë e Tiranës. E dalë nga dy lidhje problematike, e reja është prej 12 vitesh në kërkim të një shtëpi ku të fusë kokën dhe nuk ka lënë derë pa trokitur në këtë institucion.

“Unë dua një shtëpi ku të fus kokën, jam e zonja të punoj, por e vetme nuk mund të gjej dot shtëpinë”, – apelon për ndihmë ajo.

Por pavarësisht se bashkia e Tiranës aplikon prej vitesh disa programe sociale për strehimin e kategorive në nevojë apo edhe këmbënguljes së Aleksandrës, e reja së bashku me 4 fëmijët e saj nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje.

“E njohim shumë mirë rastin e Aleksandrës dhe e kemi mbështetur disa herë, por jo gjithmonë Aleksandra na është përgjigjur, ndaj dhe jemi në këtë situatë”, – shprehen ekspertët e drejtorisë së strehimit në bashkinë e Tiranës, të cilët shtojnë se pavarësisht kësaj, kjo familje do të trajtohet me prioritet.

Ndërsa bashkia premton zgjidhje, shumë shpejt Aleksandrës, i përfundon edhe afati dymujor që i kanë paguar qiranë, dhe nuk ka ende të qartë se çfarë do të bëjë.

Ashtu si ajo, në kryeqytet janë me qindra gra të tjera, të divorcuara apo të dhunuara që përballen me sfidën e strehimit, pas përfundimit të një lidhjeje.

Konkretisht në gjykatën e Tiranës, vetëm për periudhën janar 2019- shkurt 2020 janë regjistruar rreth 1100 padi për zgjidhje martese. Sipas statistikave mbi 80% e kërkesë padive regjistrohen në gjykatë nga gratë dhe në pjesën më të madhe shkaku kryesor i divorceve është dhuna.

Paradoksalisht, kjo kategori, gratë e divorcuara apo ata që vijnë nga një histori dhune janë përfitueset më të vogla të programeve të strehimit.

Eva, po ashtu është divorcuar prej vitesh dhe gjetja e një shtëpie për të dhe vogëlushen e saj, është kthyer në misionin e jetës. Ajo punon si pastruese me rrogë minimale bazë, por shumë shpejt iu shuan shpresat që të ishte përfituese e bonusit të qirasë e të kishte një shtëpi të sajën.

“Nisa procedurat e aplikimit të bonusit të qirasë në njësinë administrative në Allias ku edhe jetoj, por punonjëset më thanë gojarisht që mund të mos jem përfituese, sepse kam një rrogë. Po pse rrogë është kjo e imja?”, – pyet e zhgënjyer ajo.

Bashkia e Tiranës, shpërndau një vit më parë 1000 kredi të buta, por ky është një projekt social thuajse i pakapshëm për gratë e divorcuara.

“Për të fituar një kredi të butë, edhe nëse i plotëson kushtet për ta përfituar, duhet të kesh vetë 20% të shumës. Unë jam nënë e vetme dhe e divorcuar, ku ta gjej unë 20% të shumës? Nëse do ta kisha 10 – 15 mln lekë (të vjetra) në dorë, atëherë nuk kam nevojë fare të aplikoj për kredi të butë”, – na thotë Ela, një tjetër grua e divorcuar që ka aplikuar për kredi të butë, por është skualifikuar pasi nuk kishte këtë 20% të shumës.

Për të kuptuar se sa larg janë këto projekte nga kjo kategori në nevojë mjafton t’u referohemi shifrave të bashkisë së Tiranës.

“Përgjatë viteve 2016-2020 në këtë projekt kanë aplikuar 22 gra, viktima të dhunës dhe e kanë përfituar atë 20 prej tyre”, –  sqarojnë burime pranë drejtorisë së Strehimit në bashkinë e Tiranës, duke e raportuar si sukses, pasi një përqindje e lartë e aplikueseve kanë përfituar.

Ina Kasimati,aktiviste e shoqërisë civile, e cila po lobon për strehimin e grave të divorcuara apo të dhunuara dhe nisur nga rastet konkrete po çon përpara projektin “Advokim, studim, monitorim për politikat, buxhetin e Bashkise Tirane në  programin e strehimit social për gratë e divorcuara, kryefamiljare apo me urdhër mbrojtje”, mbështetur nga “Lëviz Albania”, ka një qasje krejt tjetër nga ajo e bashkisë së Tiranës.

Ina Kasimati – Aktiviste

“Ne po takojmë çdo ditë gra të divorcuara apo nëna të vetme që as nuk e dinë që ka programe të tilla të strehimit social. Por edhe ato që kanë dijeni, ndjehen shumë konfuze nga informacioni jo i qartë që iu jepet kur nisin procedurat për aplikim pranë zyrave të njësive administrative. Ju kërkohen një mal me letra, kur vetë njësitë mund t’i shkarkojnë nga portali e-Albania”, – shpjegon Kasimati.

Ermira, është një tjetër grua e divorcuar,e cila jeton me qira. Edhe ajo “shpëtimi” i ka ardhur nga OJF-të dhe jo nga pushteti lokal. Me një fëmijë të sëmurë, pasi trokiti në shumë dyer, vetëm falë një fondacioni iu mundësua operacioni në shtyllën kurrizore.

“Por fëmija ka nevojë edhe për një protezë shpinore, ushqime, pampersa, dhe unë si nënë e vetme e kam të pamundur t’ia siguroj. Të paktën të mos paguaj qiranë e shtëpisë, ndaj aplikova pranë bashkisë. Para tre muajsh mora përgjigje nga Bashkia që isha fituese e bonusit të qerasë, por problem është se nuk po gjej një pronar që të bëj kontratën. Kështu që nuk kam mundur ta përfitoj bonusin e qirasë. Ç’të bëj unë, bashkia e di në ç ‘gjendje jam, le ta gjejë ajo pronarin, pasi të zotët e shtëpisë nuk kanë besim tek unë”, – thotë ajo.

Bashkia e Tiranës është një ndër bashkitë që ka fonde të majme në dispozicion të projekteve të strehimit, por paradoksalisht nga këto projekte përfitojnë një numër shumë minimal grash.

Konkretisht buxheti i Bashkisë së Tiranës për Strehimin Social për vitin 202, është plot 80 mln lekë, para të destinuara vetëm për bonusin e strehimit, pra vetëm për të rimbursuar qiranë. Ndërsa projektet e tjera nuk kanë të parashikuar zëra, pasi për këtë vit ata nuk janë aktive.

“Është absurde, kjo kategori duhet të jetë në krye të listës së përfituesve, – na thotë Ina Kasimati. – Ligji parashikon qartazi, veçanërisht për gratë me urdhër mbrojtje që duhet të marrin mbështetje të menjëhershme për bonus qeraje. Pasi të sistemohen të asistohen për të plotësuar për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar”, – sqaron ajo.

Ajo ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të bashkisë së Tiranës dhe Këshillit bashkiak, me qëllim të mund të përfitojë nga  kjo  skemë sociale.

“Strehimi është një plagë e vërtetë sociale, pasi përgjithësisht këto gra kanë në ngarkim edhe fëmijët. Janë me qindra histori të tilla që rropaten rrugëve. Bashkia e Tiranës është treguar e gatshme që të bashkëpunojë, por deri sa të shohim një qasje konkrete pozitive ndaj kësaj kategorie ne nuk do të ndalemi”, – na thotë ajo.

Në këtë situatë ku shteti lëviz ngadalë, këto gra i kanë sytë nga OJF-të.

Së bashku me nxënësit e gjimnazit ku ajo jep mësim, Ina, duke parë situatën ekstreme të Aleksandrës, i kanë dërguar disa pako modeste me ushqime dhe pampersa për të vegjlit.

“Këto ditë me ushqimet që më sollën fëmijët e shkollës ia kam dalë”, tregon Aleksandra.

Por Kasimati e konsideron dështim të të gjithë strukturave sociale situatën ku ndodhet Aleksandra me fëmijët e saj.

“Kemi një nënë te re që një fëmijë nuk e dërgon në shkollë, pasi ka frikë ta mbajë në rrugë. Kemi tre fëmijë të tjerë që rrezikojnë të dalin nga momenti në moment në rrugë, ndërkohë që edhe herë të tjera ajo ka qëndruar në rrugë së bashku me fëmijët. Në këtë rast duhet të ndërhyjnë shërbimet sociale të bashkisë. Puna e tyre se çfarë zgjidhje të ofrojnë, por unë di të them se nuk mundet që fëmijët të lihen në një situatë të tillë. Kjo është e papranueshme”, – thotë Kasimati.

“Ata mund të jenë në çdo moment një pre shumë e lehtë, mund të jenë viktima të dhunës apo pedofilëve. Pastaj kujtohemi e themi se përse ndodhi kjo apo ajo. Ja pra, janë tre fëmijë, që kanë mbetur rrugëve dhe megjithëse e ëma kërkon ndihmë dhe të gjithë e dinë situatën e saj, ende nuk ka një zgjidhje për të”, – sqaron aktivistja Kasimati.

Në këtë situatë bëhet tejet e vështirë edhe nga OJF-të që ofrojnë shërbime afatgjata tek gratë e divorcuara apo kategoritë e tjera.

Gentian Serjani, që ofron kryesisht ndihmë juridike e shikon ngërçin tek mungesa e një strukture të mirëfilltë për gratë e dhunura.

“E çojnë vetëm në një banesë dhe nuk i ofrojnë asgjë tjetër. Në momentin që nuk ka struktura, nuk ka se çfarë u ofrohet. dhe e keqja janë se këto nuk janë parashikuar as në planin social”, – shpjegon ai. Sipas tij, gjatë një konsultimi me bashkinë për planin social kanë vënë re se një pjesë e madhe e problematikave nuk ishin identifikuar fare në planin e ri social.

“Shpresojmë që bashkia të marrë në kosideratë propozimet tona, dhe jo të ndodhë siç ndodh rëndom që na thirrin për mendim dhe prapë bëjnë siç duan vetë”, përfundon ai.

“Në Dobi të Gruas Shqiptare” është një ndër organizatat më të hershme që ka asistuar gratë e dhunuara ndër vite. Aktivistja Sevim Arbana, thotë se dekadën e fundit janë në kushtet e mbijetesës.

“Është pothuajse e pamundur të ofrosh shërbime afatgjata. Tani jemi në situatën kur edhe politikat mbështetëse i kemi afatshkurtra. Madje edhe këta në shumicën e rasteve mbështeten nga vullnetarë e dashamirës”, – thotë për “Citizens Channel”, Arbana.

Sipas saj, aktualisht edhe donatorët e huaj kanë filluar e tërhiqen.

“E vetmja zgjidhje është të lobojmë te bashkia, pasi ka procedura tmerrësisht të komplikuara”, – përfundon Arbana.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *