Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i OSBE/ODIHR: “Çdo formë presioni për të zbuluar si votuan njerëzit duhet të parandalohet”

Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR në raportin e publikuar së fundmi për zgjedhjet në Shqipëri listoi një sërë zhvillimesh të ndodhura në 25 prill, disa prej tyre duke cenuar standardet demokratike.

Raporti thekson se Partia Socialiste për shkak të të qenit në pushtet pati avantazh në zgjedhje.

“Partia në pushtet përftoi avantazh të rëndësishëm nga detyra e saj, përfshirë kontrollin e administratave lokale dhe keqpërdorimin e burimeve administrative. Kjo u amplifikua nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media”,-thuhet në raport.

Ndërsa nuk ngurrojnë pa përmendur edhe pretendimet për blerje të votave nga partitë politike, të cilat më pas sipas raportit u pasuan nga një numë i lartë i hetimeve. Sigurimi i pretenduar i stimujve dhe presionit mbi nëpunësit civilë ishin po ashtu fusha shqetësuese.

Raporti vë në dukje punën e mirë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përpos problematikave teknologjike.

“Një Komision Qendror i Zgjedhjeve i reformuar (KQZ) iu përkushtua mbikëqyrjes së procesit zgjedhor në një mënyrë të organizuar dhe transparente, pavarësisht nga detyrimet e reja të rëndësishme, përfshirë zbatimin e teknologjive të reja”.

Ndërsa procesi i votimit në një numër të kufizuar të qendrave të votimit u konsiderua transparent dhe i qetë.

Korniza ligjore

Raporti thekson se Kushtetuta garanton liritë themelore dhe Kodi Zgjedhor shërben si bazë e përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.

Mirëpo, edhe pse ndryshimet në Kodin Zgjedhor më 2020 u bënë me konsensus të gjerë politik, ndryshimet kushtetuese dhe elektorale të miratuara në tetor 2020, nuk erdhën nga konsultime të duhura me palët e interesit.

Kuadri ligjor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e  ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias dhe një numër paqartësish dhe mospërputhjesh. Ndryshimet në ligj duhet të jenë të paraprirë nga një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës i konsultimit, dhe të miratohet para zgjedhjeve të ardhshme”,-thekson raporti.

“Në mënyrë që të garantohet siguria ligjore dhe administrimi efektiv i zgjedhjeve, nën-rregulloret e detyrueshme duhet të jenë në përputhje me legjislacionin primar dhe të miratohen në kohën e duhur”,-vijon më tej raporti.

Sistemi elektoral

140 anëtarët e parlamentit u zgjodhën për një mandat katër vjeçar përmes sistemit të përfaqësimit proporcional rajonal të modifikuar së fundmi, vë në dukje raporti. Megjithatë, shikohet me shqetësim pabarazia në mënyrën se si u trajtuan kandidatët e pavarur.

Pragu kombëtar prej 1% për kandidatët e pavarur sipas raportit bën që kandidati i pavarur të ketë nevojë për një numër më të lartë votash për të hyrë në parlament se sa numri i votave të kërkuara për kandidatët e partive.

“Për të respektuar parimin e mundësive të barabarta, pragu mbarëkombëtar i 1 përqind për kandidatët e pavarur duhet të rishikohet”,-thekson raporti.

Fushata zgjedhore

Raporti vë re se fushatës i mungonte vrulli, duke nënvizuar këtu mesazhet e përqendruara te liderët kryesorë të partisë më së shumti se sa ligjërimi te çështjet e tjera.

Sipas raportit u vu re edhe një fushatë negative duke përdorur tabela të mëdha me mesazhe negative kundrejt kundërshtarëve, por edhe gjuha e përdorur gjatë fushatës nga disa udhëheqës së partive dhe në veçanti nga Presidenti ishte konfrontuese.

“Në cilësinë e tij zyrtare, Presidenti bëri fushatë kundër partisë në pushtet”,-shkruan raporti.

Vijimi i fushatës nga ministrat në detyrë ishte një tjetër problematikë e vënë re nga ndërkombëtarët.

“Pavarësisht nga një kornizë e fuqishme ligjore e vendosur për të ndaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe për të minimizuar përparësinë e detyrës, ministrat vazhduan fushatën gjatë angazhimeve zyrtare”.

Partitë kryesore u përpoqën që të rrisin dukshmërinë e grave kandidate në fushatë, megjithatë ato ishin të nën përfaqësuara gjatë administratës zgjedhore.

Gratë morën mbi një të tretën të vendeve në parlamentin e ri. Kandidatët femra dhe aktorët e tjerë morën vetëm 19 përqind të mbulimit të fushatës në lajmet dhe programet e çështjeve aktuale në media të monitoruara nga ODIHR”.

Sipas raportit rrjedhja e të dhënave personale të rreth 900 mijë qytetarëve shqiptarë para zgjedhjeve, duke përfshirë këtu edhe preferencat e tyre politike i bëri votuesit e prekshëm nga presioni, ndërsa përbën shkelje dhe dhunim të të drejtës për privatësi.

Shqipëria duhet të sigurojë ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë plotësisht çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor”, -thuhet në raport.

Lajmi për ekzistencën e një regjistri me të dhëna për 900 mijë votues u publikua nga Lapsi.al.

Mjedisi mediatik

Raporti sheh me shqetësim pavarësinë editoriale të medias, e cila sipas tij ndikohet nga interesat e pronarëve, gjë e cila shkakton vetë-censure. Gazetarët mbeten të prekshëm nga presioni dhe korrupsioni, ndërsa problematikë tjetër e vënë re ishte qasja e ngushtë në media për partitë e vogla apo kandidatët e pavarur.

Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të garantuar mundësi të barabarta të të gjitha palëve garuese për të hyrë në media, përfshirë hapësirën për reklamim. Konsiderata shtesë mund të jepen për alokimin e një sasie të caktuar të kohës së transmetimit falas në mënyrë të barabartë për të gjithë garuesit gjatë fushatës”,-citohet në raport.

Prania e përmbajtjes së prodhuar nga vetë partitë për programet e lajmeve, duke sjellë kështu aftësinë e kufizuar të votuesve për t’u informuar konsiderohen problematike ne raport.

Ndërsa theksohet mos realizimi i një debate televiziv midis udheheqësve politikë.

Raporti vë në dukje mes të tjerash edhe sistemin elektronik të identifikimit të votuesve, i cili u praktikua në të gjitha qendrat e votimit, por pa një projekt pilot paraprak.

Raporti e përgëzon sistemin e ri si një masë për të zbutur votimin e dyfishtë, votimin familjar apo falsifikimin e votave, mirëpo afati i shkurtër për të vendosur sistemin e ri sipas raportit nuk lejoi sensibilizimin publik për mënyrën si do të përdorej.

Raporti shënon një sërë rekomandimesh për të përmirësuar procesin zgjedhore në Shqipëri, nga ku kërkohet:

  • Kuadri ligjor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e  ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias dhe një numër paqartësish dhe mospërputhjesh. Ndryshimet në ligj duhet të paraprihen nga një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës konsultimi, dhe të miratohen përpara zgjedhjeve të ardhshme.
  • Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si votuan njerëzit duhet të parandalohet.
  • Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votave. Qytetarët duhet të inkurajohen të raportojnë dhe të japin prova të çdo blerje votash ose presion
  • Shqipëria duhet të sigurojë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë plotësisht çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.
  • Legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat janë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e garuesve zgjedhorë me qëllim që të kufizojnë përdorimin e përmbajtjes së prodhuar nga partia në lajme

Reagime të ndryshme për të njëjtin raport

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit 2021 u lexua ndryshe nga secila parti, ajo Socialiste dhe ajo Demokratike.

Pas publikimit të raportit, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh se ky është raporti më i mirë që Shqipëria ka marrë në 30 vitet e fundit.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e përktheu raportin si një konfirmim të tjetërsimit të votës së qytetarëve më 25 prill.

Mandej krye demokrati Basha mbajti edhe një konferencë për shtyp teksa priti pyetje rreth raportit, për ta përmbyllur më pas me një postim në Facebook ku u shpreh se :

“Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR konfirmoi atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e di tashmë, që 25 prilli nuk kishte lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nuk kishte lidhje me demokracinë”.

Ambasada Britanike në Tiranë: “Inkurajojmë të gjitha palët të zbatojnë plotësisht rekomandimet e Misionit të ODIHR-it”

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Ambasada Britanike shprehu nevojën për të hetuar rastet e shit-blerjes së votës apo shkeljen e të dhënave personale si dhe për të garantuar të drejtën për të votuar në mënyrë të lirë dhe të fshehtë.

Ndërsa ftoi të gjitha palët të zbatojnë rekomandimet e paraqitura në raportin e Misionit të ODIHR-it.


 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *