Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Qyteti Studenti” bëhet gati për të pritur përkohësisht refugjatët afganë

“Isha të godina 24 dhe na thanë që duhet të mbledhim rrobat dhe të ikim te godina 26 dhe 27 brenda një orë“, rrëfen për Citizens Channel Klea Sula, studente e vitit të dytë në fakultetin Histori-Filologji.

Nga 22 godina të ndodhura në “Qytetin Studenti” me një kapacitet 5000 shtretër, 7 prej tyre me kapacitet 1200 shtretër do të vihen në dispozicion të refugjatëve afganë.

Edhe pse punonjës të Bashkisë Tiranë janë vënë në lëvizje për të siguruar hapësirat akomoduese për emigrantët që priten të mbërrijnë, studentët shprehen të paqartë për organizimin e tyre në nisje të sezonit të ri akademik.

“Na kanë thënë se është një zhvendosje e përkohshme, nuk e dimë ku do akomodohemi në Tetor”, pohon një studente.

Në një dalje për median nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti pohoi se ky do të jetë një vendqëndrim i tyre provizor, rreth  2-3 javë, por ndërsa ende nuk dihet se kur do të mbërrijnë shtetasit e parë afganë, ajo që mbetet në pikëpyetje është edhe strehimi i studentëve për sezonin e ri akademik.

Delegim kompetencash për zbardhje të situatës

Citizens Channel kontaktoi sot me administratorë të godinave të ndryshme në Qytetin Studenti, për tu informuar mbi situatën e zhvendosjes së studentëve, tre prej tyre u shprehën se kanë marrë urdhër të mos shprehen mbi këtë çështje.

“Drejtohuni Bashkisë Tiranë, kështu na kanë lajmëruar të përgjigjemi”, u shpreh një nga administratoret.

Pas komunikimit me drejtorin e informacionit në Bashkinë e Tiranës, kompetencat u transferuan në një tjetër institucion shtetëror, Ministria e Jashtme.

“Përsa i përket operacionit të pritjes së afganëve në Tiranë është informacion që kalon nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, Bashkia e Tiranës është thjesht një pjesë përbërëse e operacionit, nuk është se jemi ne që e drejtojmë” tha përfaqësuesi i Bashkisë Tiranë.

E kontaktuar nga Citizens Channel zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Albana Qehajaj u shpreh se në varësi të kushteve të situatës e cila ndryshon nga momenti në moment ende nuk mund të flitet për një numër të përcaktuar të refugjatëve afganë që priten të mbërrijnë.

“ Nuk bëhet fjalë vetëm për Qytetin Studenti. Po bëhen gati struktura konviktore dhe  hotelerie në disa zona të Shqipërisë për të qenë të përgatitur përballë një numër ende të papërcaktuar për shkak të gjendjes kaotike në Kabul”, tha Qehajaj.

Qehajaj deklaron se studentët nuk janë dëbuar nga Qyteti Studenti, thjesht janë spostuar nga njëra godinë në tjetrën.

“Për shkak të sezonit veror që, mos të afektohen zonat turistike dhe për shkak se Qyteti Studenti është më i lirshëm sesa piku në Tetor, emigrantët do të vendosen përkohësisht aty për të kaluar më pas në struktura hotelerie”, përfundoi Qehajaj.

Ndërsa Shqipëria prej dy ditësh është bërë gati për të pritur refugjatët afganë, numri dhe koha e qëndrimit të tyre duket se do të vijojë të mbetet e paqartë, si shkak edhe i dinamikave të brendshme në vendin e marrë nën kontroll nga talebanët.

Në të njëjtën kohë, institucionet ngurrojnë të japin zyrtarisht një datë për fillimin e vitit shkollor duke shtuar pasigurinë tek studentët, që vijnë nga një vit i vështirë pandemie.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *