Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Agjencia për Media dhe Informim; Ekspertët: “Një ministri për propagandën”

Në mbledhjen e parë të qeverisë, në mandatin e tretë të saj, kryeminsitri Rama njoftoi krijimin e një agjencie për median dhe informimin.

Agjencia ka një qëllim kryesor, transmetimin në publik të aktivitetit të kryeministrit dhe ministrave “monitorimin e medias” për të parë reagimin e publikut ndaj qeverisë.

“Agjencia vëzhgon publikimet e mediave dhe mjetet e komunikimit masiv, për të evidentuar perceptimin dhe qëndrimin e publikut ndaj veprimtarisë së institucioneve të administratës shtetërore”, thuhet në VKM.

Sipas vendimit, agjencia do të kontrollojë emërimin dhe shkarkimin nga puna të zëdhënësve të institucioneve qendrore, të cilët deri më sot emëroheshin dhe shkarkoheshin nga ministrat përkatës. Ky institucion i ri do të kontrollojë edhe aktivitetin publik të ministrave, përfshirë konferencat e tyre për shtyp.

Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra nga Kryeministri. Sipas Ramës ky model institucional është huazuar nga vende perëndimore si Italia dhe Gjermania.

Agjenci informimi apo makineri propagande?

“Nga një research i gjatë që kemi bërë nuk na rezulton të ketë një institucion të tillë, si ky i propozuari në Itali apo Gjermani. Të na tregojnë me referenca se kush janë këto institucione dhe të analizojmë çfarë tagri kanë, çfarë aktiviteti bëjnë dhe sa të mëdha janë” , shprehet Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias.

Sipas tij ndikimi i kësaj agjencie në lirinë e medias do të jetë negativ.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Shqipëria kategorizohet si shtet i cili ka situatë të vazhdueshme problematike dhe nuk ka pasur progres.

Koloreto Cukali, Ekspert i medias

“Do të shtohet një filtër i ri në marrëdhënien shumë të vështirë të mediave me informacionin që pritet të merret nga qeveria, kryeministria apo dhe ministritë”, thekson Cukali.

Qëllimi i vërtet i kësaj agjencie sipas Cukalit është monitorimi i aktivitetit të rrjeteve sociale për të deformuar narrativën e tyre.

Kjo qasje e kryeministrit për të kontrolluar median online është parë edhe gjatë tentativave të njëpasnjëshme për miratimin e paketës “Antishpifje” pavarësisht reagimeve të organizatave ndërkombëtare dhe opinionit të Komisionit të Venecias.

“Propagandë me para publike?”

“E shoh problematik krijimin e kësaj agjencie në raport me lirinë e shprehjes, pasi lajmet e parafabrikuara nga kjo agjenci do të jenë edhe ushqimi kryesor i mediave. Nëse deri tani ky fenomen ishte i theksuar për disa zyra qendrore (Kryeministri/Bashki), me krijimin e kësaj agjencie, ky fenomen stabilizohet në çdo institucion”, thotë Dule.

Deri më tani e gjithë retorika politike e kryeministrit është mbuluar nga kanali i tij  ERTV, të cilin ai ka pranuar se financohet privatisht ndërsa agjencia e re për media dhe informim do të financohet nga buxheti i shtetit.

Irena Dule, Juriste

“Vendimi do të shoqërohet me një fature financiare qe nuk është bërë publike”, shton Irena.

Sipas saj se sa i drejtë është shpenzimi i fondeve në krijimin e kësaj agjencie në raport me nevoja emergjente të qytetarëve në shërbime më jetike si shëndetësi, arsim, etj., ky është një vlerësim që i takon votuesit dhe nuk është çështje ligji.

“Edhe zyra e shtypit e Shteteve të Bashkuara, zyra e shtypit dhe jo agjenci, zyra e zëdhënësit amerikan ka maksimumi 30 persona. Nuk do habitesha sikur personi që krijoi këtë agjensi të krijoj edhe një zyra me 50 apo 100 persona, çka tregon se informacioni dhe transparenca nuk është qëllimi i saj, por qëllimi i saj është të ngre një strukturë monitorimi”, përfundon Koloreto Cukali.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *