Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vizatimi i kaosit në veprën “Vorbull” i jep arkitektit shqiptar çmimin në konkursin ndërkombëtar

Arkitekti Endrit Marku, autor i veprës “Vorbull” është vlerësuar me çmimin e parë në konkursin “One drawing 2021”, i organizuar nga platforma ndërkombëtare Architizer.

“Është një lloj miksimi i së brendshmes dhe asaj çfarë më ka ndikuar nga jashtë”, thotë për Citizens Channel Marku.

Autori shpjegon se kjo vepër reflekton situatën globale ku jetojmë, duke përfshirë edhe pika kyçe si pandemia, ngrohja globale, por gjithashtu është edhe pasqyrim i së përditshmes, i ndryshimit të vrullshëm të Tiranës.

“Tirana është shumë frymëzues për një arkitekt, është kontekst shumë i pasur, ku mund të mësohet shumë”, tregon Marku.

Endrit Marku

Ai e paralelizon profesionin e arkitektit me një mjek, e qytetin me një njeri të sëmurë, duke shtuar se ashtu si një mjek mëson më tepër nga një pacient i sëmurë edhe arkitekti merr më shumë nga një qytet i tillë.

Duke ju referuar ndryshimeve arkitekturore të Tiranës në vitet e fundit Marku shpjegon se në kryeqytet po vendoset një rregull i ri.

“Po shprehet ndërmjet komplekseve të pallateve masive, më të organizuara, por që jo gjithmonë i japin qytetit mbrapsht atë që marrin. Duket sikur po ndërtohet një lloj rend i ri por nga ana tjetër po i merret gjithmonë e më tepër hapësirë qytetarit” pohon ai.

Vizatimi “Vorbull”, fitues i çmimit nga Artchitizer

Punimet në konkurs duhet të bazoheshin në arkitekturën ekzistuese ose të ishin konceptuale, por gjithsesi të përcillnin përvojën e banorit. “Vorbull” u cilësua një “vizatim frenetik, surreal që përshkruan një betejë arkitektonike mes qëndrueshmërisë dhe kaosit”.

“Puna flet për një spirale, ku drejt fundit të saj po shkon shoqëria njerëzore”, thotë Marku.

Sipas arkitektit ndjesia kryesore që ka dashur të transmetojë ndërmjet veprës është se individi, shoqëria, qytetet nuk janë të përhershme në rrjedhën e kohës.

Përveç punimit në fjalë Marku ka skicuar mjaft vepra të tjera të cilat synon ti përmbledhë në një libër. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij i dedikohet Tiranës, hapësirave dhe ndryshimeve të vrullshme të saj.

“Gjurma është akoma, në nivel hapësinor, ti mund të gjesh akoma identitetin, karakterin e qytetit që ishte por Tirana ndryshon përditë, përditë dhe janë këto skicat  që në një farë mënyre regjistrojnë atë që ndodh”, përfundon ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *