Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ligji “thyen” të rinjtë që duan të angazhohen si vullnetarë

Autore: Jona Kaso | Citizens Channel | Tiranë

Të rinj në moshë, por me vullnet të hekurt për tu angazhuar. Në Shqipëri numërohen qindra persona që punojnë si vullnetare në organizata jofitimprurëse.

Një raport i “United Nations Volunteers” (Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara) tregon se për vitin 2020 ka pasur gjithsej 68,173 vullnetare të cilët kanë aplikuar online pranë kësaj strukture.

Shqipëria renditet e dyta nga fundi për numrin e vullnetarëve në Kombet e Bashkuara. Vetëm tre vullnetarë kanë punuar gjatë kohës së pandemisë, një numër shumë i ulët ky në krahasim me vendet e tjera.

“Vullnetarët shqiptarë nuk njohin ligjin për vullnetarizmin”

Në vitin 2016 u miratua ligji që përcakton rregullat që duhen ndjekur për tu regjistruar si vullnetar. Në nenin 14, 15 dhe 16 të ligjit, thuhet se vullnetari duhet të lidhë një kontratë midis tij dhe ofruesit të vullnetarizmit, e më pas të pajiset me një librezë vullnetarizmi.

Sipas studimit kombëtar mbi Vullnetarizmin në Shqipëri për vitin 2020, tregon se pjesa më e madhe e të pyeturve, (87%) nuk janë në dijeni të ekzistencës së librezës së vullnetarizmit.

“Rreth 2/3 e të anketuarve nuk kanë informacion për Ligjin mbi Vullnetarizmit dhe më pak se 1/3 kanë informacion, i cili është i pamjaftueshëm, ndërsa 4% nuk kanë aspak informacion”, thuhet në raport.

Studimi tregon se ligji mbetet i panjohur dhe mes ofruesve të vullnetarizmit. Rreth 80% e ofruesve të përfshirë në fokus grupet e këtij studimi nuk e njohin këtë mekanizëm. Pjesa tjetër, e di se ekziston një ligj, por nuk është në dijeni të specifikave ligjore apo përmbajtjes tërësorë të ligjit, nuk e kanë lexuar asnjëherë apo nuk dinë aspak sa i diskutueshëm është ky ligj.

Hamide Selmani punon si Vullnetare në “U.S Embassy Youth Council Albania”, gjithashtu ajo ka marrë pjesë në projekte të organizatave të ndryshme. Ajo tregon se e ka nisur punën e saj si vullnetare para një viti, dhe shprehet se gjithmonë do të vazhdojë të punojë si  pavarësisht obligimeve të tjera.

“Të qënurit vullnetare, përveç faktit që ti punon diku, pa pritur përfitime financiare, aty merr një eksperiencë komplet ndryshe nga çka mund te marrim në një punë që paguhemi. Në Shqipëri kur themi që punojmë vullnetar fillojnë e qeshim dhe pyetja që të gjithë ne hasim është ‘a merr lek ti aty?’”, shprehet e reja.

Pavarësisht se është duke punuar si vullnetare ajo tregon se nuk ka dijeni për ekzistencën e një ligji për vullnetarizmin.

Jesmina Sengla është gjithashtu një e re që e do vullnetarizmin dhe që ika kushtuar kohë një pune një aktiviteti të tillë. Për të vullnetarizmi është një rritje dhe një përmbushje e detyrës të qenit njeri. Eksperienca e saj e mirëfilltë si vullnetare ka nisur që në moshën 16 vjeçare dhe vazhdon të zhvillojë këtë veprimtari prej 4 vitesh.

“Vullnetarizmi për mua nënkupton 2 gjëra; rritje dhe përmbushje. Të qenurit vullnetare më ka ndihmuar të kuptoj se ç’dua të bëj në jetë dhe më ka krijuar hapësirën e të kontribuarit sadopak në dobi të kauzave që kam më së shumti përzemër,”- shprehet ajo.

Ndërsa për Ligjin e Vullnetarizmit shprehet se ka qenë një nisëm pozitive: “Sidomos ideja e librezës së vullnetarizmit e cila në plan profesional i fuqizon të rinjtë”.

Jesmina rendit një sërë problemesh që ligji ka në zbatim: “Problemi kryesor me ligjin është se vullnetarizmi në Shqipëri vazhdon të jetë i kufizuar në kohëzgjatje shumë të vogël dhe jokonsistent si rrjedhojë  e mungesës së maturimit të organizatave dhe planeve të veprimit të përbashkëta. Kjo nënkupton se nga pikëpamja praktike libreza e vullnetarizmit apo edhe kontrata e vullnetarizmit është shumë pak e realizueshme. Nga ana tjetër ligji u jep kosto ekstra organizatave jofitimprurse për sigurimin shëndetësor të  vullnetarëve, gjë e cila e bën edhe potencialisht më pak të zbatueshëm”.

“Ligji për vullnetarizmin pengon vullnetarët”

Përfaqësues të shoqërisë civile shprehen se ky ligj i ri ka penguar në afrimin e vullnetarëve, pasi tani organizatave ju kërkohet të lidhin një kontratë me statusin “i punësuar vullnetar”.

Oltiana Rama autore e studimit mbi Vullnetarizmin në Shqipëri, shprehet se ligji është një pengesë që ka tkurrur kontributin vullnetar dhe është shumë i vështirë për tu zbatuar në praktikë.

Ajo rendit disa nga pengesat ligjore:
  • Sigurimet shëndetësore për vullnetar: “Sigurisht vullnetari duhet të jetë i sigurt, i mbrojtur, t’i garantohen të drejtat e tij, dhe ndaj është parashikuar më ligj që çdo vullnetar duhet të sigurohet. Por në praktikë organizatat e shoqërisë civile e kanë pothuajse të pamundur të sigurojnë buxhet të mjaftueshëm për të siguruar çdo vullnetar.
  • Regjistrimi: “momentalisht çdo vullnetar që regjistron del si i punësuar, dhe kjo rrjedhimisht sjell vështirësi për ata që janë në punë, pasi dalin si të dy punësuar; për familjet që marrin asistencë sociale e humbin këtë të drejtë nëse një anëtar i familjes regjistrohet si vullnetar; ka patur raste që kanë rrezikuar apo humbur lejen e lindjes; po për pensionistët që duan të rinj vullnetar përsëri regjistrimi dhe sigurimi shëndetësor është i panevojshëm”

Ekspertët dhe vetë vullnetarët shprehen se qëllimi i ligjit është pozitiv, por ngrenë nevojën se ligji duhet riparë dhe rikonsideruar për të qenë i zbatueshëm.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *