Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Sarajet u shpronësuan; Çfarë do bëhet me Sarajet?”

Mbrëmjen e djeshme, godina e Sarajeve, monument kulture kategoria e pare, u rrethua nga forcat e policisë bashkiake. Disa prej pronarëve të godinës u përplasën me policinë pasi nuk u lejuan të hyjnë brenda.

Pak orë më pas, kryebashkiaku Veliaj publikoi disa fotografi të një Vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM) ku vendoset shpronësimi i bashkëpronarëve me qëllim shndërrimin e godinës në një muze për qytetin.

Në pikën 1 të VKM-së, thuhet se godina po shpronësohet për interes publik, për realizimin e projektit “Restaurimi dhe rijetësimi i ‘Banesës së Toptanasve’ – Muzeu Etnografik i Tiranës”.

Dokumenti, i cili nuk rezulton i publikuar në Fletoren Zyrtare, sqaron se pronarëve do ju paguhen rreth 2.5 milionë dollarë si vlerë dëmshpërblimi për pronën.

Projekti me të njëjtin emër, ishte subjekt i një kërkese të hartuar më datë 19 gusht të këtij viti, nga Komision i Posaçëm i Shpronësimeve, ku vlera para ishte rreth dyfish i asa që u shtrua në VKM.

Citizens Channel u interesua pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Shtetërore për Shpronësim (ASHH), për të marrë një kopje të projektit, nisur nga i cili kjo Agjenci ka hartuar kërkesën për shpronësim.

ASHSH e ridrejtoi kërkesën drejt Bashkisë Tiranë, duke cituar se është ky institucioni përgjegjës për hartimin e këtyre projekteve, të miratuara nga me Vendim të Këshillit Teknik të Drejtorisë së Punëve Publike në Bashki, në datë 11.12.2020.

Bashkia e Tiranës refuzoi të vërë në dispozicion projektin duke sugjeruar që kërkesa t’i drejtohet strukturave që kanë hartuar projektin, të cilat janë po pjesë e këtij institucioni.

“Pronarët të pakënaqur nga arbitrariteti i shpronësimit”

Gjatë ditës së sotme punonjës së bashkisë kanë nisur inventarizimin e objekteve në brendësi dhe restaurimin e pjesës së jashtme.

“Le ta marrin në mënyrë ligjore, jo në mënyrë antikushtetuese, gjithë procedura, mënyra si po e shpronësojnë është antikushtetuese”, tha për Citizens Channel Ismihan Pirgu, një nga 28 bashkëpronaret.

“Ne nuk na pyet njeri jeni dakord apo s’jeni dakord. Ata thonë që është pronë unikale, me vlera të mëdha historike, por nuk e vlerësojnë monetarisht për ne aq sa duhet”, vijon Pirgu.

Ndërkohë avokatja e bashkëpronarëve Vasilika Hysi shprehet se pavarësisht përpjekjeve për të krijuar ura komunikimi me bashkinë, nga ana e tyre ka vetëm heshtje.

“Janë duke shkelur një sërë ligjesh, e para është e drejta e pronës dhe janë duke i krijuar një dëm të konsiderueshëm pronarëve legjitim të objektit, janë duke i diskriminuar dhe fyer moralisht”, përfundon Hysi.

“Zjarrëvënia mbetet pa autor – pavarësisht zotimeve”

Dy muaj më parë, një zjarr i qëllimshëm përfshiu godinën e Sarajeve në qendër të Tiranës. Që nga ajo ditë, godina ruhet 24 orë nga forcat e policisë Bashkiake. Të nesërmen e kësaj ngjarje, kryebashkiaku Veliaj publikoi një foto të autorit, duke shtuar një sërë akuzash politike mbi porositësit e zjarrvënies dhe duke u zotuar në dënimin e autorëve.

Megjithatë, deri më sot autorët ende nuk janë gjetur dhe askush nuk u vendos përpara drejtësisë.

Historia e “Sarajeve të Toptanëve”

Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Rrethuar me mure masive të lartë prej guri, ky kompleks krijon një fortifikim, duke marrë pamjen e një kështjelle të vogël. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës.

Muri origjinal në drejtim të veriut është modifikuar me kangjella metalike në shërbim të funksionit të kafe-restorantit që kur objekti ka ndryshuar funksion gjatë viteve 2000.

Në tërësi, ndërtesa është në gjende të mire nga të gjitha fasadat e saj në pamje të parë. Duke vlerësuar braktisjen e objektit prej më shumë se pesë vitesh si dhe periudhën dhe teknologjinë e ndërtimit të , kërkohet restaurim pjesor i tij për të siguruar qëndrueshmërinë si nga aspekti konstruktiv por dhe nga ai i imazhit.

Banesa me dy kate, e ndërtuar nga mjeshtrat dibranë, është vendosur mbi një parcelë të rrafshët me orientim nga jug-lindja, duke i drejtuar diellit pamjen kryesore. Ajo paraqet interes nga ana ndërtimore, si për kompozimin funksional, trajtimin arkitektonik-dekorativ, ashtu dhe të lidhjes së saj në një ansambël të vetëm me ndërtimet përreth. Sarajet e Selim Pashë Toptanit njihen me emrin e dhëndrit të tij Servet Bej Libohovës dhe janë Monument Kulture i mbrojtur nga shteti.

Sarajet u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme.

Ky tip banese përfaqëson banesën tipike tiranase me “dhomën e zjarrit”. Ajo ka planimetri drejtkëndëshe të rregullt. Është ndërtuar me mure qerpiçi dhe skelet druri në katin e sipërm.

Muratura shkon me gjerësi 60-70 cm, qerpiçët lidhen me llaç balte përzierë me kashtë. Themelet ndërtohen me gur lumi e lidhen me llaç balte duke u ngritur rreth 30-40 cm nga niveli i tokës ku më pas krijohet një brez druri dhe muret e objektit.

Banesa është e tipit me çardak në një krah. Në këtë mënyrë formohet kati përdhe me hajatin dhe katër ambiente te tjera. Shkallet e hapura dyrampeshe ne pjesën ballore te objektit te drejtojnë ne çardakun e mbyllur te katit.

Objekti është restauruar dhe rikonstruktuar përgjatë fillimit të viteve 2000 duke kthyer funksionin origjinal te banesës ne atë te një restorant dhe kafeje, duke transformuar pjesërisht strukturën e brendshme te saj por duke mbajtur elementin karakteristik te “dhomës se zjarrit” .

Po, pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, është hartuar një studim i plotë për të restauruar tërësisht objektin duke shtuar dhe hapësira të tjera për funksionimin më të mirë të tij nga subjekte të kontraktuara nga Ministria e Kulturës.

Sarajet e Toptanëve është pjesë e platformës Citizens Urban Stories – ku Citizens Channel ka skeduar mbi 60 vila monument kulture, në gjashtë zona historike të Tiranës.

https://urbanstories.citizens-channel.com/listing-item/sarajet-e-toptaneve/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *