Devijimi i rrjedhës së lumit për ndërtimin e HEC-eve, Lugina e Valbonës | Foto: Gushjt 2018

Përmbaruesja gjyqësore Satbere Shahu ka urdhëruar institucionet shtetërore dhe kompaninë “Dragobia Energy” dhe “Gener 2”, të zbatojnë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe të pezullojnë kontratën e koncensionit për dy hidrocentralet në lumin Valbonë deri në një vendim të formës së prerë, në të kundërt do të gjobiten dhe do të fillojë ndjekja penale.

Ministria e Energjisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit, Këshilli i Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë, Shoqëria “Gener 2” dhe “Dragobia Energy”, nën cilësinë e debitorit, janë të detyruara brenda afatit 10 ditor të zbatojnë vendimin e gjykatës, në të kundërt do të kenë penalizime.

Mbas kalimit të këtij afati, Zyra e Përmbarimit do të fillojë ekzekutimin e detyrueshëm për debitorin që refuzon ose nuk kryen sipas asaj që ka vendosur vendimi i gjykatës, do të gjobitet deri në 50.000 lekë deri në ekzekutimin e detyrimit si dhe kallëzim për ndjekje penale për pengim të ekzekutimit, në bazë të nenit 320 të Kodit Penal“, – thuhet në shkresën zyrtare.

Kontrata koncensionare dhe shtesat e saj, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë, datë 21 korrik 2021 do të pezulloheshin deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.

Pas më shumë se katër muajsh pas zbardhjes se vendimit, urdhëri i gjykatës nuk u zbatua. Shoqëria “Dragobia Energy” vijoi prodhimin e energjisë përmes shfrytëzimit të uji të lumit Valbonë.

Mosfunksioni i hallkave ligjzbatuese, siç është në këtë rast roli i përmbaruesit, krijoi një ngërç sa i përket ekzekutimit të vendimit të gjykatës, duke lejuar që punimet të kryhen në shkelje të ligjit.

Përmbaruesi i Tropojës, Eduard Mrishaj refuzoi të ekzekutojë vendimin e gjykatës. Sipas ligjit, përmbaruesi mund t’i japë afat kohor deri në 10 ditë kompanisë për te zbatuar vendimin vullnetarisht, por në rast të kundërt i lind e drejta të ndërhyjë, duke përdorur dhe ndihmën e policisë së shtetit.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit urdhëroi më datë 27.10.2021 përmbaruesin e Tropojës të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë.

Ky vendim erdhi pasi përfaqësuesi ligjor i organizatës TOKA iu drejtua me një shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit ku kërkoi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë sa i përket çështjes së Valbonës.

“Mos ma prek Valbonën”, hap pas hapi, si u dha leja për ndërtimin e hidrocentraleve

Në vitin 2007 u miratua leja për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë. Shoqëria “Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.

Fillimisht ishte menduar që të ndërtoheshin katër hidrocentrale brenda zonës së mbrojtur, duke shfrytëzuar burimet ujore të përroit të Çeremit, lumit të Valbonës, përroit të Matinës dhe atë të Milloshit për një periudhë 35-vjeçare. Më pas, kompania fituese u tërhoq nga vendimi për të ndërtuar katër HEC-e, duke i reduktuar në dy, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi”.

Komuniteti u angazhua kundër HEC-eve, ndërkohë që firma u akuzua se kishte falsifikuar nënshkruesit në konsultimet me publikun, ku rezultonin firmëtarë edhe persona që ishin ndarë nga jeta.

Në proces-verbalin e konsultimit për publikun kryer nga “Dragobi Energy” në vitin 2013, rezultojnë se kanë marrë pjesë 20 banorë dhe kanë shprehur miratimin e tyre për ndërtimin e HEC-eve. Aktivistët akuzuan kompaninë se kanë falsifikuar firmat e pjesëmarrësve dhe pretendojnë se në këto lista figurojnë të pranishëm edhe njerëz të ndarë nga jeta.

“TOKA” së bashku me 27 banorë depozituan një padi pranë Gjykatës Administrative të Tiranës, në muajin maj të vitit 2017. Ata kërkuan anulimin e dy hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke listuar argumentet që lidhen me ndërtimin në një park kombëtar të kategorisë së dytë dhe falsifikimin e firmave në dëgjesat publike. Disa muaj më vonë, Gjykata rrëzoi padinë e banorëve dhe organizatës “TOKA”.

Ky vendim u apelua dhe në qershor të vitit 2018 padia u pranua. Gjykata e Apelit urdhëroi pezullimin e punimeve.

Në datën 31 korrik 2018, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tropojës vendosi të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Gjykata e Tropojës i dha të drejtën kompanisë koncensionare “Dragobia Energy” të vijojë punimet të paktën deri në 31 janar 2019.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu