Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Jo profesional dhe me gabime shkencore”, organizatat kritikojnë raportin për Aeroportin e Vlorës

20 organizata mjedisore në Shqipëri kanë dalë me një deklaratë për media ditën e sotme, ku kanë kundërshtuar konkluzionin e raportit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), se Akërnia, pjesë e zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë ku strehohet mijëra shpendë shtegtarë, është hapësirë e përshtatshme për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Raporti është një analizë jo-profesionale, jo-shkencore dhe qartazi klienteliste e abuzive për të justifikuar vendimmarrjen jo transparente dhe jo-ligjore të ndërtimit të aeroportit në brendësi të Zonës së Mbrojtur”, – shkruhet në deklaratën e tyre.

Në këtë raport, janë marrë në konsideratë katër vendndodhje për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që planifikohet të ketë një sipërfaqe prej 309 ha tokë; Akërnia, Risili, Karafaj dhe Levani.

Sipas sistemit të pikëzimit të përdorur në këtë VNM, zona e Akërnisë del më e favorizuara, krahas vendndodhjeve të tjera.

Zona e mbrojtur “Peizazh i mbrojtur Vjosë – Nartë”, kategoria e pestë, prej kohësh ka qenë në fokus të organizatave mjedisore në Shqipëri, të cilët kanë ngritur shqetësimin se një aeroport i tillë do të sillte dëme të mëdha te shpendët migratorë.

Ajo zonë strehon çdo vit mbi 10 mijë shpendë. Disa prej këtyre shpendëve shtegtojnë më pas deri në Afrikë. Vjosë – Narta është pjesë e pothuajse të gjitha rrjeteve ekologjike dhe kësisoj mbrohet nga konventa ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar, shkruhet në deklaratën për media.

Mund të përmendet Konventa e Këshillit të Evropës për “Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitateve Natyrore të Evropës” (të ratifikuar nga vendi ynë dhe hyrë në fuqi në vitin 1999), e cila kërkon që për zonat e rrjetit Emerald, për çdo projekt zhvillimor brenda dhe në afërsi të tyre, të zbatohet detyrimisht procedura e Vlerësimit të Posaçëm Mjedisor” – vijon deklarata e organizatave mjedisore.

20 organizatat mjedisore theksojnë se Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis i cili favorizon Nartën, vjen thuajse një vit pasi de-facto ishte dhënë leja për ndërtimin e këtij aeroporti ndaj kompanive private “Mabatex construction” dhe “YDA group”, të cilët do ta mirëmbajnë për një periudhë 35-vjeçare.

Për më tepër, edhe dokumenti aktual i paraqitur i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është një studim me pasaktësi të shumta, që reflekton moskompetencë profesionale dhe anshmëri të theksuar” – shkruhet në deklaratën për media.

Pasaktësitë në VNM sa i përket shpendëve, konkulodojnë organizatat mjedisore, janë këto:

  1. Përmendet prania e një numri të lartë të flamingos së kuqë apo flamingos amerikane (Phoenicopterus ruber), i cili është një lloj që nuk është i pranishëm në kontinentin Europian por ndodhet në kontinentin Amerikan
  2. Laraska (Pica pica) në këtë VNM është paraqitur me një fotografi të një lloji tjetër që nuk haset në Shqipëri;
  3. Gugashi (Columba palumbus) është vendosur fotografia e një lloji tjetër;
  4. Emri shkencor i pelikanit kaçurrel është shkruar “Dalmatian Pelican” ndërkohë që është “Pelecanus crispus”
  5. Vlerësohet i pasaktë raportimi që 100% e popullatës së pulëbardhës sqepkuqe (Larus audouinii) gjendet në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë.
  6. Kredharaku i madh (Podiceps cristatus) është vendosur fotografia e një lloji tjetër.

Organizatat mjedisore kritikojnë dhe gjuhën e përdorur në raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, ku sipas tyre është gramatikisht dhe shkencërisht jo korrekte.

Çafka e përhime është një gjeneralist në përdorimin e habitatit të tij, megjithëse ndër karakteristikat thelbësore të habitatit të tij janë uji i cekët, gjahu relativisht i madh dhe katër ose pesë muaj sezon shumimi pa akull” – është një ndër pasazhet e shkëputur nga raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *