Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Korrupsioni ha edhe të zotin”, forum diskutimi për integritetin në sistemin arsimor shqiptar

Në Ditën Ndërkombëtare të Integritetit, aktivistë, pedagogë dhe studentë shtruan në diskutim një sërë çështjesh që shqetësojnë sot sistemin arsimor shqiptar.

Korrupsioni, mungesa e transparencës, nepotizmi dhe mungesa e integritetit ishin tematikat kryesore që u qasën në forumin “Korrupsioni ha edhe të zotin”, të organizuar nga Qëndresa Qytetare.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i Qëndresës Qytetare u shpreh se sistemi arsimor ka shumë sfida mbi shpinë, ndërsa veçoi mes të tjerash dy shqetësime të fundit sikurse punësimi si pedagogë i të larguarve nga vetingu dhe drejtorët ngelës në shkollën e drejtorëve.

“Dy çështje që ne na shqetësojnë sot dhe i ngrejmë me shumë këmbëngulje janë, sigurisht një informacion që ne e kemi marrë nga institucionet e shkollës së drejtorëve, ku në fakt 68 drejtorë nuk kanë mundur të kalojnë këtë shkollë, pra si të thuash dijet e tyre nuk janë certifikuar për të qenë drejtues të shkollës“,-theksoi Qiraxhi, ndërsa shtoi se “edhe ata të cilët nuk arritën ta kalonin vetingun në sistemin e drejtësisë, janë duke tentuar dhe janë duke u pozicionuar në universitetet e vendit, duke formuar brezat e rinj.

Për Afrim Krasniqin, pedagog dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike, Shqipëria ka një sërë problemesh me arsimin.

“E para nuk kemi strategji për arsimin. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi dokument të shkruar për strategjinë për arsimin. E dyta duke mos pasur strategji për arsimin, s’kemi asnjë nga strukturat dhe burimet që vijnë nga strategjia. Sot që ne flasim ende nuk kanë dalë aktet që lidhen me arsimin e lartë”,-u shpreh Krasniqi në panel.

Afrim Krasniqi, ISP

Aktivisti nga Kosova, Rron Gjinovci, veçoi ndër të tjera plagjiaturën dhe mungesën e financimit të kërkimeve shkencore.

“Na nuk kena c’ka me fol për asnjë problem tjetër sot në Shqipni përvecse faktit se Ministrja juaj ka akuzë publike për plagjiaturë dhe ajo kurrë si ka ofruar provat se nuk është e vërtetë akuza që I është bërë. Për cfarë e vazhdojmë ne më tutje diskutimin për integritetin akademik në Shqipëri e Kosovë?”,-u shpreh Gjinovci.

Rron Gjinovci, aktivist nga Kosova

Të pranishëm në panel ishte dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Rovena Pregja. Përpos informimin mbi strukturat e ngritura pranë ministrisë për adresimin e çështjeve të korrupsionit, ajo vuri në pah rritjen e ankesave të studentëve pranë këtyre strukturave.

“Janë shtuar rastet që studentët i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë për rastet e korrupsionit në të gjithë vendin”,-theksoi Pregja.

Pjesë e rëndësishme përkrah diskutimeve të zhvilluara mes të ftuarve dhe studentëve ishte edhe ekspozita nën titullin “Integriteti në Arsim”.

Dhjetëra të rinj përmes punimeve të tyre artistike sollën perceptimet e tyre rreth integritetit në arsim. Pesë prej punimeve u vlerësuan me çmime, tre prej te cilave të dhëna nga ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Håstad dhe dy çmime nga Qëndresa Qytetare.

Ideja e kësaj ishte që ne deshëm të shfaqnim frikën, por frikën nga humbja e pushtetit, frikën nga të rebeluarit. Dhe kush janë të rebeluarit? Të rebeluarit janë protestuesit. Por si do e shfaqnim ne? E shfaqëm nëpërmjet deleve që ushqehen me bar të infektuar me korrupsion dhe që qëndrojnë në vend numero. Dhe nga djali që qëndron me një qëndrim shumë të ngurtë tregon që është i pari që po merr iniciativën që ai do të protestojë, do që të ngrejë zërin”,-u shpreh Eva Qose e cila bashkë me Eva Arapi fituan çmimin e parë.

Nga të gjitha punimet e paraqitura, në shumicë qëndronte përdorimi i kartmonedhave, si një tregues i korrupsionit në sistemin arsimor.

Karakteristikë kjo edhe e punimit të Albertit, fitues i vendin të tretë në konkurs.

“Kjo temë më solli në mendje menjëherë diçka shumë të thjeshtë, pasqyrimi i realitetit korruptiv në sistemin arsimor shqiptar dhe mendova ta paraqes thjesht me një foto, me një skenë të thjeshtë ku është një student dhe një pedagog. Studenti jep kartmonedhën, pedagogu një letër që simbolizon diplomën e pavlerë siç tregohet në përshkrim. Kam loz pak me ngjyrat, xhaketa e pedagogut është jeshile, pak si kartmonedha, për të nënvizuar integritetin e pedagogëve shqiptarë në arsimin e lartë, ose në arsimin shqiptar në përgjithësi”,– u shpreh për Citizens Channel Albert Paci.

Albert Paci

Ne fjalën e saj Ambasadorja Elsa Håstad theksoi se kur korrupsioni është shumë i përhapur ne humbasim aftësinë për të identifikuar çfarë është e drejtë dhe çfarë jo

Korrupsioni gjithmonë godet më të dobëtin, korrupsioni gjithmonë godet më të varfërin, korrupsioni gjithmonë godet njerëzit pa fuqi. Integriteti është çelësi për të luftuar korrupsionin dhe ju jeni aktorët kryesorë në këtë luftë”,-përfundoi ambasadorja Håstad.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *