Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Solidaritet mes komuniteteve në Ditën e të Drejtave të Njeriut

“Të bashkuar në Diversitet” emërohet eventi i thirrur të premten nga qendra sociale “Shtëpia Publike”, ku përfaqësues të tre komuniteteve të margjinalizuara folën mbi problemet që bashkëndajnë.

Në ditën e të drejtave të njeriut, përfaqësuese të komunitetit Rom dhe Egjipitan, LGBT dhe Personave me Aftësi të Kufizuara, diskutuan mbi problemet që ato kanë si komunitete dhe rëndësinë e solidaritetit mes tyre.

“Shtetit nuk i leverdis bashkimi i komuniteteve”, u shpreh aktivistja e komunitetit LGBT Xheni Karaj gjatë diskutimit.

Disa nga pikat kryesore që u diskutuan gjatë eventit ishin:

  • Rëndësia e përfshirjes së komuniteteve të cilat shtypjen sistemore dhe patriarkale e përjetojnë në dimensione më gjithpërfshirëse.
  • Rëndësia e solidaritetit mes komuniteteve, pse është themelor në përpjekjen e përbashkët drejt një shoqërie ku mbizotëron drejtësia sociale dhe barazia.
  • Pasurimi dhe zhvillimi i kësaj përpjekjeje nga secili komunitet.

Një nga problemet e cekura gjatë bisedës ishte dhe hartimi i ligjeve për komunitetet.

Doljana Velia, aktiviste për personat me aftësi ndryshe u shpreh se është krijuar një ide sikur ligjet në Shqipëri janë të shkruara mirë, por ajo tha se ato kanë probleme në implementimin e tyre.

Doljana theksoi se në ligjet për komunitetet ka një mungesë të theksuar përfaqësie dhe tha se motoja e tyre është “Asgjë pa ne, për ne”. Gjatë diskutimit u ra dakord se duhet të ketë një përfaqësim më të madh të pjestarëve të komunitetit në hartimin e ligjeve.

Sa i takon rëndësisë së solidaritet mes tyre, të treja aktivisitet pranuan se është shumë i rëndësishëm dhe se aktivitete të tilla që bëjnë bashkë disa komunitete, mungojnë ose janë të fokusuar vetëm në Tiranë.

Romina Sefa, aktiviste e komunitetit Rom dhe Egjiptian

“Aktivitete të tilla si kjo që jemi mbledhur sot mungojnë shpesh. Nuk është se ka në qarkullim ide të tilla apo organizime të tilla të cilat synojnë të sjellin bashkë disa komunitete, të cilat të përbashkët kanë vështirësitë dhe diskriminimin e shumëfishtë që përjetojnë, sic është komuniteti rom dhe egjiptian, ata që i përkasin LGBT dhe personat me aftësi të kufizuara”, u shpreh për Citizens Channel Romina Sefa, aktiviste për të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian.

Ndërsa Doljana Velia, aktiviste e të drejtave për personat me aftësi ndryshe, theksoi praninë e aktiviteteve të tilla vetëm në Tiranë ose vetëm në ditë si “Dita e të Drejtave të Njeriut”.

Doljana Velia, aktiviste PAK

“Sot është dita e të drejtave të njeriut, por ne nuk duhet të kujtohemi vetëm një herë në vit. Është shumë e rëndësishme që mendësia e gjithë shoqërisë të ndryshojë, për sa u përket grupeve të margjinalizuara siç janë personat me aftësi ndryshe, komuniteti rom dhe egjiptian apo grupet LGBT”, tha Doljana teksa bëri thirrje për solidaritet mes komuniteteve.

Xheni Karaj foli për mbështetjen që ajo gjen tek kolegët e saj në raste të vështira, sikurse janë raste të diskriminimit nga shoqëria apo vështirësitë që kanë përballë ligjit këto komunitete.

“Unë personalisht, mbështetjen në raste të tilla e gjej nga kolegët e mi, që i përkasin organizatave të ndryshmme të shoqërisë civile, tek Romina, Gresa, vajza e djemë të guximshëm që realisht besojnë tek një shoqëri e drejtë dhe e barabartë dhe janë gati që të hidhen në fushëbetejë për çdo kauzë”, u shpreh Xheni gjatë diskutimit.

Aktivsitet ranë dakord për rëndësinë e formimit të një rrjeti informal midis tyre, i cili do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve që komunitetet kanë mes tyre, për të dërguar përpara kauzat e përbashkëta dhe për të luftuar krah për krah për një shoqëri ku mbizotëron drejtësia sociale dhe barazia.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *