Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ura e Zogut” nominohet për listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë në Europë

“Ura e Zogut”, monument kulture që prej vitit 1999 e rrezikuar për t’u shembur, ka marrë vëmendjen e Europës, duke u bërë pjesë e programit “7 më të rrezikuarat 2022”.

Organizata Europa Nostra dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve shpallën të martën më 14 dhjetor, listën e 12 siteve më të  kërcënuara të trashëgimisë në Europë.

“Ura e Zogut” ka kaluar fazën e parë, duke qenë pjesë e listës me 12 monumente, të cilat do t’i nënshtrohen një faze tjetër për të kaluar në listën përfundimtare “7 më të rrezikuarat”.

Protestues në Kurbin në mbrojtje të “Urës së Zogut” – Shtator 2021 | Citizens Channel.

Lista përfundimtare do të shpallet në pranverën e vitit 2022.

“Ura e Zogut” është nominuar nga anëtarja e Europa Nostra, aktivistja Emarilda Leti, për këtë program.

“Në këtë faze të aplikimit, jemi shumë të lumtur të ndajmë me ju lajmin se Ura e Zogut ka kaluar fazën e parë të përzgjedhjes, dhe tashmë bën pjesë në 12 Monumentet në rrezik shkatërrimi, më interes të lartë për mbrojtjen e tyre”, shkruan në Facebook “Qendra Rinore Sebastia”, e cila ka protestuar në shtator të këtij viti për mbrojtjen e kësaj ure.

“Këto vende mund të veprojnë si katalizatorë për zhvillimin e qëndrueshëm, kohezionin social dhe dialogun ndërkulturor,” komentoi Presidenti Ekzekutiv Hermann Parzinger.

Njoftimi në faqen e Europa Nostra

12 vendet e trashëgimisë më të rrezikuara në Europë për vitin 2022 janë:

  • Ura e Zogut, Shqipëri
  • The Couvent des Récollets, Belgjikë
  • t’ Eylandt den Doel, Belgjikë
  • Garden-city La Butte Rouge, Francë
  • Stolberg City Centre, Gjermani
  • Neptune Baths, Rumani
  • The Synagogue of Hijar/Church St Antony, Spanjë
  • The Orleans-Borbón Palace, Spanjë
  • The Lövholmen area ëith the Nitrolack factory, Suedi
  • The Crèvecoeur Fortress, Holandë
  • Sculptural compositions of Buchach Toën Hall, Ukrainë
  • The Sanguszko Palace, Ukrainë

“Përzgjedhja u bë në bazë të rëndësisë së jashtëzakonshme të trashëgimisë dhe vlerës kulturore të secilit prej vendeve si dhe në bazë të rrezikut serioz me të cilin po përballen sot”, njofton Europa Nostra.

Më tej shton se, niveli i angazhimit të komuniteteve lokale dhe angazhimi i palëve të interesuara publike dhe private për të shpëtuar këto zona, u konsideruan si vlera të shtuara thelbësore.

“Një tjetër kriter përzgjedhjeje ishte potenciali i këtyre vendeve për të vepruar si një katalizator për zhvillimin e qëndrueshëm dhe si një mjet për promovimin e paqes dhe dialogut brenda lokaliteteve të tyre dhe rajoneve më të gjera”, thuhet në faqen zyrtare të Europa Nostra.

Historiku i “Urës së Zogut” dhe reagimi qytetar për mbrojtjen e saj

Ura e Zogut është një nga asetet e trashëgimisë kulturore të Kurbinit, e ndërtuar në vitin 1927. Ura me Harqe, është ndërtuar dhe projektuar nga Inxhinieri Italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga Italia.

Zbatimi i projektit të Urës së Zogut u bë nga inxhinieri i shquar shqiptar, Gjovalin Gjadri. Ura është ndërtuar brenda një viti dhe është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve të saj dhe detajet të tjera arkitekturore ishin një risi për kohën kur është ndërtuar dhe akoma sot në Universitetin e Inxhinierisë trajtohet dhe studiohet stili inovativ i kësaj Ure.

Ura e Zogut

Citizens Channel ka raportuar më herët për protestat e mbajtura nga banorët e Kurbinit për mbrojtjen e urës. Në shtator të këtij viti, të rinjtë e Kurbinit organizuan një marshim në mbrojtje të “Urës së Zogut”.

Në janar të vitit 2021, për shkak të reshjeve të dendura dhe prurjeve të mëdha të lumit Mat, një prej këmbeve mbajtëse të urës është zhvendosur rreth dy metra, gjë e cila ka bërë që një pjesë strukturës të zhytet edhe më shumë.

Sikurse Citizens ka raportuar, mosmirëmbajtja e këtij monumenti kulture të një rëndësie të veçantë e cilësuar si edhe si “Miss Ballkani” në vitin 2001, vjen edhe si shkak i shfrytëzimit që i bëjnë kompanitë që marrin inerte në lumin Mat.

Protestues në Kurbin në mbrojtje të “Urës së Zogut”

Organizata Sebastia dhe qytetarët firmosën një peticionin për Mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e urës dhe kërkuan nga Ministria e Kulturës, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, nga Bashkia Kurbin dhe Bashkia Lezhë, që të merren masa emergjente për ndaljen e rrënimit të urës si dhe të hartohet një projekt për mbrojtjen afatgjatë të saj.

Aktivistët paralajmëruan se hapi i radhës do të ishte kontaktimi i organizatave ndërkombëtare, që mbrojnë trashëgiminë kulturore.

Shqipëria në listën “7 më të rrezikuarat”

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria bëhet pjesë e programit “7 më të rrezikuarat”. Europa Nostra më herët ka bërë pjesë të listës përfundimtare Teatrin Kombëtar.

Organizata Europa Nostra e cilësoi teatrin Kombëtar si:  “Shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend”.

“7 më të rrezikuarat”, është një program që identifikon objektet dhe peizazhet më të kërcënuara në Europë dhe mobilizon aktorët publik dhe privat në gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e siteve të çmuara të trashëgimisë.

Kjo listë publikohet çdo dy vite. Ekipe multidisiplinare ekspertësh angazhohen në misione shpëtimi dhe ndihmojnë në hartimin e planeve të veprimit për secilin objekt apo peizazh.

Europa Nostra është një zë i fuqishëm europian i shoqërisë civile, që përkushtohet në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Është e mbështetur nga një rrjet i gjerë organesh publike, kompani private dhe individë dhe mbulon më shumë se 40 vende. E themeluar në vitin 1963, sot njihet si rrjeti më i madh dhe më përfaqësues i trashëgimisë në Europë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *