Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i Lirisë së Medias 2021; Pandemia përkeqësoi sigurinë dhe lirinë e gazetarëve

Media Freedom Rapid Response (MFRR) publikoi të enjten raportin e fundit mbi gjendjen e lirisë së medias në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate nga janari deri në qershor 2021.

Raporti ngre shqetësimin mbi lirinë e medias në këto vende dhe thekson përkeqësimin e lirisë së medias dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Sipas raportit, shumica e shkeljeve të lirisë së medias kanë ndodhur në protesta, kryesisht të lidhura me Covid-19. Europa gjatë 2021 u përfshi nga një valë protestash kundër masave anti Covid-19 dhe kundër vaksinimit më detyrim. Raporti thekson se “shumë incidente kanë ndodhur në protestat kundër vaksinimit, ku shtypi është bërë objektiv, siç shpjegohet në analizën e vendit të Gjermanisë dhe Lëvizja Querdenker”.

Nga janari deri në qershor në ‘Mapping Media Freedom’ janë dokumentuar 272 raste, duke filluar nga sulmet verbale deri te incidentet ligjore. 438 individë ose subjekte mediatike në 26 vende i janë nënshtruar një ose më shumë shkeljeve të lirisë së shtypit, duke përfshirë këtu edhe vrasjen e gazetarit të Girogos Karaivaz në Greqi.

“26.1% e këtyre sinjalizimeve lidheshin me Covid-19, nga gazetarët e fyer gjatë mbulimit të demonstratave kundër izolimit, deri tek gazetarët që merrnin kërcënime në internet për mbulimin e programeve të vaksinimit”, thuhet në raport.

Kërcënimet online, janë një shqetësim tjetër që sjell në vëmendje ky raport duke theksuar se “kanë qenë në rritje në shumicën e vendeve”.

Sipas raportit, në portal janë denoncuar 188 raste të dhunës fizike, psikologjike dhe kërcënime. 60 janë kërcënime ligjore të raportuara nga janari në qershor të 2021, dhe 30 janë raste censure. Rastet e raportuara nuk tregojnë plotësisht gjendjen e lirisë së medias në këto vende, pasi mungon ende ndërgjegjegjësimi i gazetarëve për t’i raportuar këto raste.

Shkelja më e zakonshme e regjistruar ka qenë intimidimi/kërcënimi  me 26.8%, e ndjekur nga sulmet fizike që nuk kanë rezultuar në lëndime me 12.1%. Më pas fyerjet ndaj punonjësve të medias janë kërcënimi i tretë më i zakonshëm, sipas raportit me një përqindje prej 10.7%.

Harta e Mapping Media Freedom Janar-Qershor 2021

Individët privatë mbeten burimi ose autorët kryesorë të sulmeve 41.2%, të ndjekur nga policia ose forcat e sigurisë shtetërore 17.6%, më pas zyrtarët qeveritarë/publikë 14%.

Sa i përket vendit se ku kanë ndodhur sulmet, përqindjen më të madhe e zënë sulmet e ndodhura gjatë demonstratave me 28.3%. Sulmet online zënë vendin e dytë me 18%. Sulmet e ndodhura në hapësira publike dhe rrugë zënë një përqindje prej 12.5%. 9.9% e sulmeve kanë ndodhur në zyrë dhe në vendin e punës.

Pjesa tjetër e sulmeve fizike, verbale, kërcënimeve kanë ndodhur në ambiente private, përmes internetit, gjatë një eventi, në rajonin e policisë, gjatë një konference për media, gjatë udhëtimeve etj.

Gjatë kësaj periudhe, Gjermania ka shënuar gjithsej 59 raste të regjistruara në portal dhe gjithsej 90 gazetarë të sulmuar, punonjës të medias ose organe mediatike, duke e bërë kështu vendin me rastet më të larta sa i përket raportimit. 

Kjo tregon rastet e larta të sulmeve, por njëkohësisht dhe ndërgjegjëismin e gazetarëve për të denoncuar rastet. Pas Gjermanisë pozicionohet Turqia me 28, Franca me 21 raste, Sllovenia me 18,  Italia me 14 dhe Serbia me 12.

Në konkluzionet e raportit, theksohet se situata e lirisë së medias është prekur sërish nga pandemia e Covid-19.

“Ndërsa në fillim të krizës, aksesi në informacion dhe burime ishte një nga vështirësitë kryesore me të cilat përballeshin gazetarët, pezullimi i Akteve të Lirisë së Informacionit, konferencat e shtypit në internet pa aksesin e duhur ndaj përfaqësuesve të publikut, dhe së fundmi sulmet nga protestuesit kundër vaksinës janë bërë më të zakonshme”, thekson raporti.

Si përfundim, raporti ngre shqetësimin se gazetarët janë bërë objektivi i shumë protestuesve mbështetetës të teorive konspirative, të cilët i akuzojnë se janë pjesë e sistemit.

“Teoricienët e konspiracionit dhe grupet e ekstremit të djathtë, veçanërisht në vendet ku lëvizjet kundër vaksinave kanë qenë të forta, kanë sulmuar, abuzuar verbalisht dhe intimiduar gazetarë”, thekson raporti.

Shqipëria dhe liria e medias

Mapping Media Freedom gjatë vitit 2021 në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 14 raste, të sulemve fizike dhe verbale ndaj gazetarëve.

Rasti i gazetares së Exit News, Alice Taylor i regjistruar më 21 gusht është një kërcënim online. Një tjetër rast i regjistruar më 14 prill si intimidim ka të bëjë me rastin e dy gazetarëve, Andi Bushati dhe Armand Shkullaku. 

“Qeveria hap një agjenci të re për të kontrolluar informacionin shtetëror dhe marrëdhëniet me median”, është rasti tjetër i regjistruar më 18 shtator.

Aleati i Partisë Socialiste emërohet në krye të AMA-s pa votat e opozitës, është një tjetër rast i regjistruar në hartë më 7 korrik.

Harta e Mapping Media Freedom për Shqipërinë

Më 14 shtator është regjistruar rasti i censurimit të gazetarëve të Kosovës gjatë një konference për mediat nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Më 11 tetor operatori i Fax News Ledio Guni u sulmua fizikisht. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha u sulmua fizikisht nga një polic, rasti është regjistruar në hartë më 6 nëntor.

Ronaldo Sharka, gazetari i Ora News u sulmua fizikisht gjatë një takimi elektoral të Partisë Socialiste, rasti është regjistruar në hartë më 18 prill 2021.

Ergys Gjencaj i News 24 u godit në tokë dhe u ndalua për një orë pasi tentoi të filmonte një operacion të dështuar anti-drogë nga policia pranë Akademisë Ushtarake në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur më 27 korrik.

Fjona Çela gazetare e Fax News u ndalua të intervistonte profesionistët e shëndetit publik nga këshilltari dhe zëdhënësi për media i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Rasti ka ndodhur më 2 shkurt të 2021.

Isa Myzyraj u pengua me forcë nga një roje sigurie e kryebashkiakut të Tiranës, pasi u përpoq të bënte pyetje teksa Erion Veliaj doli nga një kafene pas një ngjarje.

Rasti i kufizimeve të vendosura nga Parlamenti për gazetarët për të ndjekur seancat parlamentare. Rasti është referuar si bllokim në aksesin për informacion.

“Kryeministri Edi Rama bën thirrje për rregullimin e medias online gjatë Forumit Mediatik të OSBE-së në Evropën Juglindore”, është regjistruar si incident ligjor.

Rasti i fundit është ai i gazetares Besarta Demushaj në Fax News, e cila u sulmua fizikisht dhe verbalisht gjatë një raportimi.

Citizens raportoi rastin e Demushajt ku solli në vëmendje shqetësimin për sigurinë e gazetarëve. Po ashtu Citizens raportoi dhe rastin e gazetares Jonida Omeri, e cila u pengua nga përfaqësues të Bashkisë Vorë të raportojë për shqetësimin e banorëve lidhur me rrugën e lagjes së tyre.

Përfaqësuesja e “Rrjetit për Gazetarë të Sigurt”, Blerjana Bino i tha Citizens se toleranca ndaj këtyre rasteve duhet të jetë zero.

Ekspertët të shqetësuar për lirinë e medias

Fltura Kursari, juriste e së drejtës së medias, i tha Citizens Channel se liria e medias dhe situata e gazetareve është duke u përkeqësuar. Ajo ngre shqetësimin se gazetarët nuk janë të lirë të raportojnë çështjet që ata i konsiderojnë me interes për publikun.

Kusari shprehet se institucionet janë të mbyllura hermetikisht, “propaganda shtetërore është në rritje e sipër, gazetarët punojnë me paga te vogla, pa kontrata dhe pa iu paguar kontributet, ka tentativa ligjore për të kufizuar lirinë e medias dhe shpesh herë gazetarët sulmohen dhe rrihen fizikisht”.

Sa i takon numrit të rasteve të denoncuara në Shqipëri, që janë 14, një numër i vogël krahasuar  me Gjermaninë e cila mbante vendin e parë, Kusari tha se “sa me e zhvilluar të jetë një shoqëri dhe sa më të lirë të jenë gazetarët, aq më i mirë është dokumentimi”.

Ajo ngre shqetësimin për mungesën e zërave aktivë nga shoqëria civile në Shqipëri.

“Shoqëria civile në Shqipëri dhe organizatat që mbrojnë gazetarët nuk janë mjaftueshëm të zëshme dhe aktive, prandaj mungon dokumentimi. Ne kemi vërejtur që në tri vitet e fundit është përmirësuar dokumentimi dhe shpresojmë që ky trend të vazhdojë”, tha Kusari. Ajo u ndal edhe tek gazetaria cilësorë në Shqipëri, për të cilën u shpreh se ka gazetarë që bëjnë gazetari të mirë por janë pakicë.

Flutura Kusari, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF)

“Shumicës prej tyre nuk iu jepet hapësire që të punojnë lirshëm. Përgjegjësia për të siguruar një ambient ku gazetaria është e mundur i takon shtetit. Shqipëria është duke dështuar që të garantojë lirinë e medias”, tha Kusari për Citizens Channel.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *