Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kavajë: Familjet rome dhe egjiptiane po kalojnë dimrin pa energji elektrike

Merita Fejzo i kaloi netët e ftohta të janarit pa energji elektrike. Bashkë me të edhe 20 familje të tjera të komunitetit rom dhe egjiptian në lagjen numër dy të qytetit të Kavajës.

Për disa netë rresht, ata u mblodhën anash një zjarri të ndezur pranë barakave të tyre.

Merita Fejzo

“Përjashtë me zjarr kemi ndejtur. I kemi të gjitha filmimet në telefon. Me zjarr përjashta, të gjithë natën përjashtë, me fëmijë. Me batanije fëmijën edhe duke ndenjur përjashta aty. Këto kushte kemi”-tha Merita për Citizens Channel.

Njëjtë me Meritën, edhe Mimoza me Mamicën rrëfejnë situatën e vështirë në të cilën ndodhen, e vijuar edhe me ndjesi pasigurie dhe frike.

Mimoza

“Këtu ka qenë shumë i ftohtë i madh. Me zjarr kemi bërë zjarr këtu jashtë. Edhe me qirinj brenda nuk rrihet se jemi me fëmijë të vegjël. Me ra qiriu marrin të gjithë flakë”,-tregon Mimoza.

Më herët, dritat ishin paguar nga bashkia Kavajë duke i mbuluar financiarisht shpenzimet në mënyrë kolektive për të gjthë komunitetin. Por ajo u tërhoq duke i lenë banorët e këtij komuniteti pa energji elektrike, dhe me pamundësinë financiare për ti paguar.

“Vetëm burri del për kanoçe me gjithë djalin. Kaq mundësi kemi ne. Me cfarë ti laj unë dritat që na i hoqën dritat neve. Na i hoqën. Katër ditë, përjashtë kemi ndejt me gjithë fëmijë”,-tha Mamica. Ajo është anëtarja e pestë në familje, ndërsa nuk është përfituese e asnjë ndihme financiare nga shteti.

Sipas banorëve, bashkia i ka orientuar në lidhjen e kontratave energjetike. Mirëpo, kjo gjë është e pamundur për ta, së pari për shkak të një sasie parash fillestare që ata duhet të paguajnë për lidhje ne kontratës.

Shkuam në bashki ato thanë hap kontratë. Ku ti gjej lekë për kontratë. Me 30 mijë lek ndihmë ekonomike që marr unë. Pa punë burrë e gru e çunin pa punë. Ku të shkoj, s’kam të paguaj. Kontratë në këto shtëpi nuk vihet, të ze korenti, të vdes fëmija, uji hyn brenda se është me llamarina komplet. Ku ta vë unë sahatin aty, të vdes brenda me fëmijë”-u shpreh Merita.

Situatë kjo e njëjtë edhe për Mamicën dhe banorët e tjerë të familjeve të lagjes dy në Kavajë.

Mamica Zyberi

“Nuk kam mundësi se po te kem një rrogë, burri në punë, djali në punë unë do ti laj si gjithë njerëzit., Po kur nuk kam mundësi nuk kam çfarë te bej më tepër. 300 mijë. Unë ku ti gjej ato 300 mijë? Unë asistencë nuk kam ma kanë hequr fare”,-tregon Mamica.

Aktivistët e organizatës “Drejtësi Sociale” që kanë ndjekur më nga afër situatën, u shprehën se barakat ku ata jetojnë nuk plotësojnë kushtet teknike për të vendosur matës.

Gjyljana Bakalli, juriste

Garantimi me energji elektrike në fakt do duhet të ishte një e drejtë bazike për një shtet normal, por fatkeqësisht siç po e shohim edhe te rasti i Kavajës nuk ndodh të jetë një gjë e tillë. Ata janë interesuar pranë OSHE-së për kontratat për tu furnizuar me energji dhe për të pasur sahatin dhe të gjitha kushtet që duhet të kenë, por është e pamundur pasi sipas OSHE-së barakat në të cilat ata jetojnë e kanë të pamundur nga ana teknike për të mbajtur sahatet, nuk ka asnjë lloj zgjidhjeje për ta”-u shpreh Gjyljana Bakalli, juriste pranë organizatës “Drejtësi Sociale”.

Përpos problemeve me energjinë elektrike dhe pamundësive ekonomike për ta paguar atë, banorët e kësaj lagjeje jetojnë në kushte shumë të vështira të strehimit dhe me mungesë të theksuar higjiene.

Këtu janë të gjithë pa banjo, dy tre banjo janë këtu që i kanë bërë edhe me gropa. Ajo plas, del sipër. Ne jemi të gjithë me fëmijë të vegjël këtu. Fëmijët po i lemë pa shkollë se nuk i kemi mundësitë. Kjo është e gjitha. Ne vetëm shtëpi kërkojmë asnjë gjë tjetër. Të jetojmë edhe ne si të gjithë njerëzit. Apo se jemi rracë tjetër. Këtu është shumë racizëm,”-përfundon Mimoza.

Citizens Channel u paraqit pranë Bashkisë Kavajë për një informacion për situatën dhe zgjidhjet që ofron, por bashkia nuk pranoi të jepte një koment për këtë temë.

Bashkia Kavajë

Ndërkohë, deri në publikimin e këtij shkrimi, ende nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion për situatën e energjisë elektrike për lagjen numër dy dhe për çështje ne strehimit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *