Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nisma për “Urdhrin e Arkitektit” pritet me shqetësim nga profesionistët e fushës

Një draft i publikuar nga Shoqata Shqiptare e Arkitektëve është dërguar më 10 shkurt në Kuvend, me qëllim hartimin e Urdhrit të Arkitektit.

Pas 6 ditësh që drafti u dorëzua në Kuvend, SHASH publikoi draftin duke thirrur grupet e interesit të dërgojnë komentet e tyre.

SHASH shprehet se qëllimi i Urdhrit të Arkitektit “është të krijojë dhe përcaktojë rregullat për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të arkitëktëve, duke respektuar parimin e shqyrtimit të pavarur dhe autonominë profesionale”.

Drafti i publikuar nga SHASH dhe i dërguar tashmë në Kuvend, është pritur me kritika dhe kundërshtime nga arkitektët.

Një grup tjetër arkitektësh kanë dalë kundër kësaj nisme ligjore, dhe shprehen se ndihen të papërfaqësuar nga ky draft.

Arkitektët kundër draftit

Universiteti Polis ka reaguar zyrtarisht mbi këtë draft duke e kritikuar procesin e hartimit dhe konsultimit të tij.

Profesorët e universitetit, shprehen se janë vënë në diejni rastësisht “për ekzistencën tashmë të nismave për hartimin dhe miratimin e projekt-ligjeve “Për Urdhrat Profesionale” të Arkitektëve”. Në reagim, përfaqësuesit e universitetit Polis shtojnë se drafti është hartuar në mënyrë të një-anshme, anti-ligjore dhe tepër paragjykuese. Polis ka kërkuar nga ministritë që të parandalojnë këtë draft.

Ledian Bregasi, arkitekt dhe dekan i universitetit “Polis”

Në një reagim për Citizens Channel, dekani i Universiteti Polis Ledian Bregasi u shpreh se dyshimi i tij dhe anëtareve të unionit të arkitektëve ndaj urdhrit vjen sepse “në ato vende perëndimore, ku egziston urdhëri dhe eksperienca me Urdhrat e Arkitektëve është më e gjatë dhe e shtresëzuar, po vihet gjithmonë e më shumë në pikëpyetje ekzistenca e tyre pasi shpesh urdhëri kthehet në një mekanizëm burokratik që jo vetëm nuk garanton cilësinë e të vepruarit por shndërrohet në pengesë të tregut të lirë”.

Doriana Musai, urbaniste shprehet se kjo iniciativë është e një shoqate e cila  përfaqeson  vetëm disa dhjetra arkitektë “kur janë disa mijëra të licencuar dhe aktivë në profesion në të gjithë vendin”. 

Musai i tha Citizens se, drafti ndryshon tërësisht mënyrën se si profesionisti do të licencohet, se si do të testohet dhe më pas monitorohet.

“Është bërë duke përjashtuar Universitetet që përgatisin arkitektë të rinj çdo vit. Jemi para një rasti flagrant të monopolizimit dhe vendosjes para faktit të kryer të një procesi të kryer në errësire totale nga persona të cilët nuk përfaqësojnë komunitetin e gjerë”, u shpreh Musai.

Doriana Musai – Urbaniste

Rudina Toto, arkitekte dhe urbaniste pranë institutit Co-Plani e pyetur mbi draftin u shpreh se nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe shtoi se “ka qasje të ngushtë të një grupi interesi, për të kontrolluar tregun”.

Musai përmes një reagimi në profilin e saj, në një përgjigje ndaj nismës së SHASH ka renditur dhe disa momente ku kjo shoqatë nuk ka reaguar për shkatërrime të arkitekturës dhe trashëgimisë së qytetit, ku përmend 5 Majin, pallatin e Maks Velos, Teatrin Kombëtar etj.

Musai sjell në vëmendje takimin e 26 shkurtit të 2019, ku shprehet se “pas reagimeve të shumë kolegëve se nisma ishte ilegjitime dhe nuk përfaqësonte interesat e komunitetit të arkitektëve, SHASH thirri një takim publik për diskutim, takim i cili u zhvillua në sallën e Universitetit Politeknik”. Ajo tregon se në takim pati diskutim dhe SHASH u tha se së shpejti do të organizohej një takim i dytë, me komentet e reflektuara.

“Sot, 3 vjet më pas, ky takim nuk ka ndodhur ende”, shprehet Musai.

*Argumentet pro dhe kundër draft-ligjit:

Kryetarja e Shoqatës së Arkitektëve në Shqipëri, Matilda Pando në një reagim për Citizens Channel theksoi se Urdhri i Arkitektit “është një angazhim shumë serioz i Organeve Ligjvënëse dhe Ekzekutive të Republikës së Shqipërisë”. 

“Puna e bërë deri më sot prej tyre, është raportuar dhe në kuadër të raportimeve të Shqipërisë në lidhje me përafrmin e Acquis për Kapitullin 3, që drejtohet nga MFE, dhe është prezantuar dhe në Komitetin për Tregun e Brendshëm, që u mbajt në prill 2020”, tha Pando.

Ajo shtoi se hartimi i draftit është përshëndetur nga Komisoni Evropian, “i cili ka dhënë suportin për të asistuar Republikën e Shqipërisë, nëse do të kishte çështje për të cilat do të lindte nevoja për konsultim dhe u konsiderua si progres i dukshëm në kuadër të punës për përafrimin me direktivën 36/2005/EC”.

Ndërkohë, Universiteti Polis në një reagim drejtuar ministrive përkatësë thekson se ekzistenca “Urdhërit” për të rregulluar një profesion, “nuk është aspak në kërkesë/standard dhe as praktikë imponuese dhe dominuese e vendeve dhe institucionet e BE-së”. 

“Argumenti se kjo eshte një kërkesë BE-së është i pavërtetë dhe i turpshëm. Sqarojmë se legjislacioni aktual në Shqipëri, përmes reformave të kryera, ka rregulluar plotësisht dhe përfundimisht funksionimin e këtyre dy profesioneve në mënyre sa ligjore dhe morale”, thuhet në reagimin e Polis.

Pando sqaron se drafti është ndërtuar nga një grup pune i ngritur, me Urdhrin e Ministrit të MIE, me përfaqësues të Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, si dhe të Shoqatave të Inxhinierëve me përfaqësimet e tyre. 

“Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, pjesë e International Union of Architects UIA, është funksionale prej një periudhe 31-vjecare, kohë e mjaftueshme për të qenë një strukturë e mirëpërfaqësuar dhe e konsoliduar”, tha Pando në reagimin e saj duke shtuar se për më tepër se 10 vite, ka qenë e interesuar që ky proces të formalizohet.

Ajo shprehet se interesi i SHASH është që ky “urdhër” të përfaqësojë “interesat e të gjithë arkitektëve me një platformë demokratike dhe jo degraduese, e interesuar që ky instrument që ofrohet, të përcaktoj kriteret për mirëfunksionimin dhe organizmin e profesionit të arkitektit”.

Për grupin e arkitektëve kundër draftit, ka hije dyshimi mbi ata që do të kontrollojnë “gjithçka”.

Sipas hartuesve të projektit, urdhëri do të jetë një organ i pavarur dhe jo buxhetor, por nëse është i tillë, atëhere është si çdo OJF tjetër profsionale dhe nuk ka pse të marrë më shumë të drejta se profesionistët e lirë, apo se grupimet e tjera të profesionistëve”, argumentojnë ata.

Ndërsa Pando shprehet se urdhëri do të respektojë “autonominë profesionale dhe parimin e shqyrtimit të pavaruar, garantimin e standarteve dhe ushtrimin e formalizuar të profesionit në një mjedis ende të identifikuar tranzitor”.

Për grupin e arkitektëve që janë kundër, propozimi që urdhëri të hartojë kurrikula e të ndërmarrë programe trajnimi që lehtësojnë futjen në provim është antikushtetues.

Pando shprehet se eksperienca e urdhërit nuk është e izoluar.

“Në të njëjtin format profesioni i arkitektit është i rregulluar në shtete si Franca, UK, Italia, Suedia, Spanja,Belgjika, Bullgaria. Amerika dhe Kanada etj, jemi përpjekur të ndjekim modelet më të mira jo vetëm si referenca, por si praktika funksionale në terma afatgjatë, duke mundësuar harmonizimin ligjor dhe dispozita të përbashëkta”, tha Pando.

Agumentet e tjera kundër që sjell grupi i arkiktektëve janë: 

  1. Urdhëri nuk ka kredite akademike për të hartuar kurrikula dhe programe trajnimi për lehtësimin e futjes në provim, sipas tyre është antikushtetues.
  2.  Ideja që urdhëri të vendosë për nivelet e kualifikimit të profesionistëve është e papranueshme.
  3. Ideja që urdhëri do të kontrollojë liçensat është ide totalitare dhe thellon monopolet.
  4. Grumbullim i krediteve për të marrë liçensën është i pavend, sepse arkitekti nuk është akademik apo shkencëtar.
  5. 9. Në projektligj thuhet se urdhrin do ta akreditojë qeveria ose SHASH.. Kjo hap udhën e politizimit të urdhrit.

3200 firma kundër projekt-ligjit “ Për Urdhërin Profesional të Arkitekteve”

Si përgjigje ndaj draftit, një grup arkitektësh të cilët ndihen të pa përfaqësuar nga ky draft, kanë nisur një peticion kundër këtij projektligji. Me anë të këtij peticioni ata i kërkojnë qeverisë “të marrë masat menjëherë për mosmiratimin dhe ndalimin e projekt ligjit” dhe shtojnë se ai është hartuar  në mënyrë të njëanshme dhe paragjykuese. Shoqatës Shqiptare të Arkitektëve e cilësojnë si “një grupim i vogël”. Ata argumentojnë në përshkrimin e peticionit se, nisma nuk i përfaqëson dhe theksojnë se është iniciuar në fshehtësi pa pjesëmarrje të gjerë të grupit të interesit.  “Ky projektligj theksojmë është antikushtetues dhe kërkon monopolizimin e tregut të lirë të Arkitekteve në Shqipëri”, shprehet arkitektët.

Sa i përket përmbajtjes së draftit, arkitektët shprehen se ekzistenca e një urdhri është krejt e panevojshme, “aq më tepër në kushtet e Shqipërisë, pasi i gjithë profesioni është i rregulluar me ligj”.  Sipas tyre, nuk ka patur një kërkesë nga profesionistët e fushës për të shtuar hallka dhe nuk është e qartë ministria që ka iniciuar këtë proces.

* Ky artikull u përditësuar në datën 23 Shkurt 2022 – për të paraqitur qendrimet e plota dhe të përditësuara të palëve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *