Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Klos: Banorët kundërshtojnë njëzëri ndërtimin e gurores së radhës

Sot u zhvillua dëgjesa publike me banorët e tre fshatrave të njësisë administrative Xibër, Bashkia Klos, për ndërtimin e gurores nga firma “Super Beton Mati”, të pozicionuar në kufi të fshatit Fshat dhe Petralbë. Afërsia gjeografike e zonave bën që gurorja të ketë ndikim në fshatin Guri i Bardhë.

Në këtë dëgjesë morën pjesë thuajse 150 banorë të fshatrave të mësipërm dhe përfaqësues të Bashkisë Klos. Të gjithë banorët votuan njëzëri kundër gurores.

Na lajmëruan dje ne për t’u ba një gurore. E banë dëgjesën publike, unanimisht ishim kundër”, – shprehet për Citizens Channel kryeplaku i fshatit Fshat Resul Baleta.

Baza e kundërshtimit të banorëve lidhet me ndikimin negativ që do të kishte kjo veprimtari në mjedis, në zonat turistike dhe historike.

Këto fshatra kanë një bazë sepse ai mal ka një histori, që është Kalaja e Petralbës, lidhet me Urën e Vashës që nuk është më larg se 500 metra nga pika ku duan të ndërtojnë, plus fshati Guri i Bardhë që është një ndër 100 fshatrat turistikë”, – thotë për Citizens Channel nënkryetari i Bashkisë Klos, Armand Gjini.

Ura e Vashës dhe Kalaja e Petralbës janë Monument Kulture, kategoria e I. Edhe banorë të fshatrave të tjerë të njësisë Xibër shprehen kundër ndërtimit të kësaj guroreje.

Qëndrimi i fshatit Shkallë është totalisht kundër asaj guroreje dhe i çdo guroreje në territorin e njësisë administrative Xibër për arsye se efekti i çdo guroreje këtu është i dëmshëm për bujqësinë, burimet ujore, ekosistemin”, – pohon kryeplaku i fshatit Shkallë, Adbulla Muça.

Ndikimi është shkatërrues për fshatin tonë, meqenëse jemi shumë afër me fshatin Gur i Bardhë”, – përmbyll Muça.

“Super Beton Mati” i është drejtuar Bashkisë Klos me një kërkesë për zhvillimin e kësaj dëgjese. Më herët, në vitin 2010, kjo firmë kishte kërkuar të pajisej me leje minerare për marrjen e gurit gëlqeror në Qafë-Shkozë, Klos.

Kërkesë për pajisje me leje mjedisore për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në Qafë-Shkozë, Klos

Sipas dokumentit “Regjistri i lejeve minerare, datë 22.09.2020”, i publikuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, firma “Super Beton Mati” është pajisur me leje në vitin 2013 për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në Qafë-Shkozë.

Nënkryetari i Bashkisë së Matit shpjegon se aktiviteti i marrjes së gurit gëlqeror në atë zonë nuk është realizuar si pasojë e rrugës së Arbrit dhe për këtë arsye është ndryshuar vendndodhja e ndërtimit të gurores.

Citizens Channel nuk mori asnjë përgjigje nga përfaqësues të firmës “Super Betoni Mat” deri në publikimin e këtij artikull.

Klos: Komuniteti kundërshtoi guroren në fshatin Shkallë dhe fitoi

Më herët, në po të njëjtën njësi administrative, Xibër planifikohej të ndërtohej një tjetër gurore, ajo në fshatin Shkallë.

Pas disa kundërshtimeve, në nëntor të vitin 2021 u zhvillua një dëgjesë me banorët e fshatit, ndërmarrë nga Bashkia Klos, dhe njëzëri, 84 pjesëmarrësit nga komuniteti, kundërshtuan ndërtimin e gurores nga kompania “Gjoka Konstruksion”. Kjo kompani planifikonte të shfrytëzonte gurin gëlqeror në një sipërfaqe prej 4.5 dynym toke.

Në po atë muaj, Këshilli bashkiak i Klosit mori vendimin të mos miratojë heqjen e sipërfaqes së mësipërme prej 4.5 dynymësh nga fondi pyjor, si hallkë e fundit e munguar për nga procedurat, që do t’i hapte rrugë firmës “Gjoka Konstruksion” që të fillonte punimet.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *