Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Krimet mbi jetën e egër, aktivistët: Organet e drejtësisë shpërfillin çështjen

Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror (PPNEA) në Shqipëri dënon mosreagimin e organeve të drejtësisë ndaj krimeve mbi jetën e egër.

Përmes një njoftimi për shtyp, qendra shprehet se: “organet e drejtësisë në Shqipëri shpërfillin krimet mbi jetën e egër, madje edhe për llojet tejet të rrezikuara si rrëqebulli i Ballkanit”.

Prokuroria e Elbasani ka kërkuar pushimin e çështjes së rrëqebullit të Ballkanit. Bëhet fjalë për rastin e vrasjes së rrëqebullit në qarkun e Elbasanit, në vitin 2020. Në ambientet e biznesit privat “Ke Rrema” është fotografuar një rrëqebull i vrarë. Prokuroria u shpreh pas kryerjes së hetimeve se nuk janë gjetur kafshë  të balsamosura e si pasojë nuk ka fakte penale ndaj të cilave të ngrihet denoncim.

Foto e rrëqebullit tek lokali “Ke Rrema”

PPNEA e ka denoncuar rastin duke nënvizuar se pas dy vitesh hetime me hapa të ngadaltë, prokuroria pushon çështjen. 

“Çështja e rrëqebullit të Ballkanit të vrarë në mënyrë të paligjshme në qarkun e Elbasanit nuk u zbardh nga Prokuroria e Elbasanit, por përkundrazi Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan të pushojë këtë çështje”, thuhet në njoftimin e PPNEA. 

Komisioni Evropian në raportin 2021 për Shqipërinë, thekson se vrasja në mënyrë të paligjshme të një individi rrëqebulli të Ballkanit në qarkun e Elbasanit, në vitin 2020 nuk është ndjekur ende penalisht. 

“Krimet mbi jetën e egër nuk janë rast i izoluar”

Aktivistët shprehen se ky nuk është rasti i vetëm i gjuetisë së paligjshme të rrëqebullit të Ballkanit.

“Gjithsej, në të gjithë shtrirjen e këtij nënlloji në Ballkanin Jugperëndimor, partnerët e Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, dëshmojnë 14 individë të vrarë ilegalisht që nga viti 2006”, njofton PPNEA.

PPNEA ka kërkuar që rastit në fjalë duhet t’i jepet rëndësia e duhur si nga institucionet përkatëse.

Rrëqebulli është klasifikuar si një specie e egër e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

PPNEA thekson se mos-marrja me konsideratë dhe seriozitet nga autoritetet e drejtësisë në Shqipëri për të zbardhur krimet mjedisore, bie ndesh me legjislacionin ndërkombëtar, konkretisht me Konventen e Bernës. Kjo konventë është ratifikuar nga shteti shqiptar dhe ka hyrë nq fuqi në vitin 1999.

Konventa e Bernës është një instrument ligjor detyrues që zbatohet për mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve të egra.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *