Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shfaqja “Rrëfimet tona” rikrijon një parajsë për gratë e vrara

Më datë 8-Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në skenën e ArtTubinës u shfaq vepra “Rrëfimet tona”. Në qendër të skenës qëndrojnë shtatë gra, të cilat ndajnë shtatë rrëfime.

Ato janë gra që nuk jetojnë më, të vrara nga ish-bashkëshortët apo anëtarët e tjerë të familjes.  “Vranë një grua! Kanë vrarë një grua! Vranë një grua!”, – thërret kumbueshëm aktorja Luiza Xhuvani, teksa mban në duar një tufë gazetash.

Edhe ajo është një grua tjetër e vrarë. “Dhjetë gra të vrara, shumica me urdhër mbrojtjeje”, “Një 31 vjeçare vdes nga plagët e ditës”, “Kush po i vret gratë?”, “Një grua gjendet e vrarë me thikë për motive xhelozie”, lexojnë rrëmujshëm titujt e gazetave gratë në skenë, të cilat kanë pasur më herët të njëjtin “fat”.

Në këtë vepër, vajzat dhe gratë, viktima të femicidit, kanë një vend të posaçëm në parajsë. Ato tashmë janë të shëndetshme dhe plot jetë, por mbeten të lidhura me realitetin pasi gra dhe vajza të tjera vijojnë të vriten. Dhe sa herë një grua vritet, kureshtja për ta njohur më tej shtohet.

Ishte bionde apo brune? Trup i imët apo shtatselvi? ishte studente, amvisë shtëpie, profesioniste në karrierë apo e papunë? Ç’ëndrra thurte? Ç’këngë dëgjonte? Ç’të kuq buzësh përdorte?”, – pyesin gratë në parajsë, teksa dalengadalë fillojnë të ndajnë pakëz nga historitë e tyre.

Njëra prej tyre, më e moshuara, është vrarë në moshën 83-vjeçare, kur vendosi të shkëputej nga dhuna sistematike. Ajo merr fjalën e para dhe u rrëfen vajzave si u nda nga jeta.

Ai sapo dëgjoi emrin azil, mori kallashnikovin, tre të shtëna: pam, pam, pam dhe nuk mu desh më shumë”, – thotë në skenë Margarita Xhepa.

Një tjetër grua, tashmë në parajsë, rrëfen se e humbi jetën në moshën 28-vjeçare nga 31 goditje thikash.

Ah, pse 28 je, ë?”, – e pyet një prej vajzave atë. “28 isha”, – i gjegjet ajo.

Ah, po, ishe. Se desha të të thoja edhe 100 po…”

Një tjetër grua lexon më zë të lartë dëshminë e burrit në polici, pasi ka kryer veprën. Ajo ironizon fjalët e tij, duke treguar variantin e saj të ngjarjes.

“Unë i nënshkruari [nuk ka rëndësi emri], vjeç 44, [në fakt ai e ka kaluar të 45-tën. Aman, kur ka qenë ndonjëherë i sinqertë ai]. Isha në apartamentin që kishim me qira me gruan time 40 vjeç [oh zot, po sa i kisha mbushur, po burrat po s’ta përmendën moshën s’ka].

Sarkazma, ironia dhe humori janë elementë të përzgjedhur qëllimisht, tregon regjisorja e veprës Driada Dervishi. Këtu gratë dalin mbi tragjedinë e tyre, ndërsa kanë formuar një komunitet ku dëgjojnë e mbështesin njëra-tjetrën.

“Të gjitha gratë këtu ironizojnë vdekjen”, – pohon ajo për Citizens Channel. Dervishi është frymëzuara nga shkrimtarja italiane Serena Dandini, e cila shpreh dëshirën që grave që u merret jeta të kenë një mundësi të dytë për të jetuar.

“E kam menduar që të kishte kaq shumë muzikë të bukur, duke e menduar parajsën për to si një vend shumë të bukur. Po sikur të kishte një vend në parajsë për gratë që vriten nga burrat?”, – ngre pyetjen regjisorja Driada Dervishi.

Pjesë e kësaj vepreje ishte edhe politikania Arta Dade. “Unë pranova që të jem pjesë e shfaqjes. E bëra këtë gjë për të dhënë një mesazh, për të luftuar dhunë kundër grave. Dhe së dyti, shfaqja është një homazh për gratë që kanë humbur jetën nga dhuna”, – tha ajo për Citizens Channel.

E pyetur për rolin e qeverive për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, ajo shprehet se shifrat e larta të femicidit, tregojnë pikërisht se nuk është bërë mjaftueshëm.

Është e vërtetë që Kodi Penal sa ka ardhur dhe është forcuar, por unë mendoj se ka ende hapësirë në zbatimin e legjislacionit në fuqi, në ngritjen e qendrave të rehabilitimit, në parandalimin e një serë dukurish që çojnë në dhunën ndaj grave”, – përmbyll Dade.

Regjozorja Dervishi dëshiron që mesazhet e forta të shokojnë dhe të shkundin publikun.

Kjo është fytyra e shëmtuar e dhunës. Të reflektojnë, të provokohen, të distancohen nga ajo”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *