Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Lufta” për një vend pune, dërgon infermierët në Gjermani

Nga: Gentiana Ahmeti, Kosovë; Jona Koso dhe Xhoana Çollaku, Shqipëri 

Ramize Salihaj këto ditë është duke qëndruar në shtëpinë e saj në Kosovë, pranë familjes për të kaluar pushimet e para në vendlindje që nga koha që ka filluar punën si infermiere në Gjermani.

23-vjeçarja ka përfunduar studime bachelor në drejtimin “Infermieri” në njërin nga kolegjet private në Kosovë, ndërsa prej tre muajsh është duke bërë punën e saj të parë në shtetin Gjerman.

Ajo tregon se arsyeja që ka filluar punë në Gjermani ka qenë pikërisht mundësia e paktë që Kosova i ka ofruar për të ushtruar profesionin e saj, për të cilën ka studiuar.

“Ideja për punësim në Gjermani ka ardhur nga fakulteti, në vitin e fundit na njoftuan për punë në Gjermani, mundësitë për të vazhduar më tej kanë pasur studentët me nota më të larta. Pas kësaj fakulteti në bashkëpunim me spitalin më ka ofruar kontratën të cilën pastaj e kam shqyrtuar dhe kam vendosur”, -shprehet Salihaj.

Vendimi për të jetuar dhe punuar në një vend tjetër, në fillim nuk ishte pritur mirë nga familjarët e Salihajt, por tani pasi ajo është kthyer pranë tyre dhe u ka treguar për kushtet e punës, kthimi për të vazhduar punën në shtetin tjetër është më i lehtë për infermieren e re.

“Prindërit në fillim nuk më kanë mbështetur për vendimin që unë kisha marrë, por tashmë që i dinë kushtet e punës janë të kënaqur”, -tha ndër të tjera ajo.

Mundësinë për punësim në drejtimin të cilin ka studiuar nuk e ka pasur as Katerina Xihani, infermiere nga Shqipëria, e cila është duke punuar në Gjermani prej katër vitesh.

“Mbasi kam mbaruar shkollën kam aplikuar në shumë vende pune, me shpresën se do të vinte një përgjigje qoftë edhe një refuzim, por ajo gje nuk erdhi kurrë. Kam dëgjuar biseda të ndryshme që ndodhin rëndom në kafenetë e lagjeve, ai punon aty…, por ka mik atë…, ai ka mik por ka paguar lekë për të marrë këtë punë dhe prap nuk e ka të sigurt. Kur dëgjoja këto biseda humbja të gjitha shpresat  se një ditë do të kisha një vend pune, qoftë edhe me një rrogë minimale. Pikërisht në një moshe dhe në një pikë kur ke ëndrra dhe dëshira”,-tha ajo

Xihani tregon se fillimisht ka punuar në një shtëpi për të moshuar deri në kohën kur gjuha gjermane mund të flitej rrjedhshëm nga ajo.

“Unë jam larguar para katër vitesh nga Shqipëria, direkt pasi kam mbaruar shkollën e lartë. Një firmë gjermane, e cila kishte ardhur në Shqipëri në ato kohë më mundësoi për të mësuar gjuhën gjermane dhe pas saj mora licencën e infermierit në Gjermani. Kompania  më ndihmoi jo vetëm për këto, por edhe në ndërmjetësimin e gjetjes së punës në gjermani”, –shprehet Xhihani.

Krahas sfidës për të studiuar dhe për të gjetur një vend pune për lëndën në të cilin profilizohen, infermierët dhe mjekët nga Kosova e Shqipëria “detyrohen” që të largohen nga vendi i tyre i lindjes për të punuar në shtetet, në të cilat ju ofrojnë kushte më të mira.

Për shumë profesionistë të mjekësisë nga të dy shtetet, Gjermania është destinacioni i duhur për të vazhduar karrierën e tyre pasi përfundojnë studimet.

Infermierët: “U larguam pasi Gjermania na ofroi kushte më shumë se vendi ynë”

Numri i emigrantëve është i ndryshëm në të dyja shtetet. Në vitin 2020 në Kosovë është vlerësuar se janë larguar 8 mijë e 724 persona, ndërsa në Shqipëri janë larguar mbi 15 mijë njërëz më shumë apo 23 mijë e 854 persona.

Në vitin 2019 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar më shumë se 50 mijë viza. Prej tyre rreth 36 mijë viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtra (viza Schengen), si dhe rreth 15 mijë viza nacionale për qëndrime afatgjata, të cilat janë për bashkim familjar, viza pune, viza studimi etj.

“Për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia COVID-19, në vitin 2020 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar vetëm 18.000 viza. Këtu përfshihen 8.000 viza afatshkurtra dhe 10.000 viza për qëndrime afatgjata”, -thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Ndërsa Ambasada Gjermane dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Shqipëri deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka dhënë asnjë përgjigje rreth numrit të vizave të aplikuara nga shtetasit shqiptarë drejt shtetit gjerman.

Infermieria Ramize Salihaj, tregon se kusht për të filluar punë në njërin nga spitalet gjermane ka qenë mësimi i gjuhës gjermane dhe viza nga ambasada.

“Procedurat për të filluar punë në Gjermani kanë zgjatur rreth më shumë se një vit për shkak të pandemisë dhe kurset e gjuhës gjermane kanë zgjatë më shumë. Kursi ka qenë pa pagesë dhe e ka paguar fakulteti të cilët na kanë ndihmuar për procedurat e aplikimit”,-shprehet infermieria.

Nga ana tjetër infermieria Katerina Xihani, është shprehur se avancimi i gjuhës gjermane i ka ndihmuar që të punojë në një spital tjetër.

“Pasi kaloi një kohë, u socializova disi, fillova të flas gjuhën më rrjedhshëm. Fillova të marr eksperiencë në profesionin tim, mund ta quaj si një profesion të dytë. I kam dhënë vetes shumë kurajo dhe guxim për të ecur përpara. Mbas 6 muajsh u ndjeva e pavarur në punë”, -tregon Xihani.

Në Kosovë në katër vitet e fundit janë larguar 454 mjekë, ndërsa nga Shqipëria janë larguar 6 mijë e 500 infermierë për të vazhduar punën në shtete të tjera të BE-së, kryesisht në Gjermani, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve në Kosovë tha se shumica e mjekëve kur kanë marr vërtetimin e punës janë deklaruar se largohen për shkak të kushteve të punës, kualiteti i shkollimit specialistik dhe rrogat.

“Mosha mesatare e tyre është  mbi 31-vjeç, ku tregon qartë se janë mjekët e sapo diplomuar të cilët priren që të largohen, dhe  kjo është gjenerata më e nevojshme për rigjenerimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, pra e ardhmja jonë. Sistemi ynë shëndetësore në këtë moment ka nevojë minimalisht për 2 mijë e 500 mjek që t’u afrohen standardeve ndërkombëtare”,-ka thënë Sejdiu.

Sipas Sektorit të Administrimit të Burimeve Njerëzore në Drejtorinë Qendrore të OSHKSH-së, në portalin “Infermierë për Shqipërinë” kanë aplikuar mbi 5 mijë e 500 kandidatë në drejtimet e mjekësisë. Punësimet referuar periudhës 2019-2021 janë në total 3 mijë e 117, më specifikisht 987 punësime në vitin 2019, ndërsa 1 mijë e 220 punësime në vitin 2020 dhe 910 punësime në vitin 2021 (për periudhën janar-tetor). Sipas përgjigjes rezulton se grupmosha më e punësuar është ajo e 22-30 vjeç.

Xhihani nuk e sheh shqipërinë si një vend alternative pune, pasi shprehet se e kishte të pa mundur të punësohej menjëherë pas mbarimit të universitetit.

“Në Shqipëri nuk m’u ofrua direkt mundësia për të pasur një vend pune, ky ka qenë një moment shumë i vështirë për mua. Pasi nëse nuk do të gjeja një punë do të isha përsëri  e varur nga familja dhe nuk do të kisha mundësi të integrohesha, por do të rrija në shtëpi, pikërisht në moshën më ideale për të arritur diçka në jetë. Do të ishte një investim i kotë i kohës sime, për pesë vite me radhë, po ashtu edhe nga ana financiare, shpenzimet e familjes sime dhe sakrificave të tyre. Këto kanë qënë ndër arsyet kryesore,  të cilat më kanë shtyrë që të largohem nga Shqipëria dhe të ndjek këtë rrugë”,-shprehet e reja.

Sipas të dhënave të INSTAT në universitetin e mjekësisë vazhdojnë studimet e larta 3 mijë e 429 studentë. Pasi mbarojnë universitetin, vetëm 15% e tyre mund të arijnë të sigurojnë një vend pune.

Gjermania ofron kushte “dinjitoze” për stafin mjekësor; Shqipëria dhe Kosova numrin më të lartë të infermierëve të larguar

Përveç mjekëve dhe infermierëve që tani janë duke punuar në Gjermani, të tjerët që punojnë në Kosovë dhe Shqipëri migrimin për në shtetet e BE-së e kanë si alternativë për karrierën e tyre.

Shteti gjerman përbëhet prej një rrjeti prej 1 mijë e 900 spitale, 150 mijë mjekë dhe 28 mijë psikoterapisë që ofrojnë shërbime ambulatore kujdesi, si dhe gati 19 mijë e 500 farmaci që ofrojnë shërbimet e kujdesit shëndetësor për rreth 83 milionë njerëz ne Gjermani, sipas të dhënave të Ministrisë Federale të Shëndetësisë në Gjermani.

Gjithashtu është thënë se 30% e njerëzve në Gjermani shkojnë te mjeku tre deri në pesë herë në vit.

Albulena Luzha është një ndër infermieret e reja që pavarësisht se ka mundur të sigurojë një vend pune në Spitalin Rajonal të Ferizajt në Kosovë ende është e pavendosur dhe me kokën “mbrapa” për ta ushtruar këtë profesion në të ardhmen në Kosovë, pasi është e interesuar për të emigruar drejt shtetit gjerman.

Përvoja e kolegëve të saj, të cilët tani janë duke punuar në vende tjera jashtë Kosvës ka ndikuar që ajo të mendojë për një mundësi të dytë për zhvillimin e karrierës së saj.

“Njëra ndër arsyet pse kam vendosur të vazhdojë punën jashtë Kosovës më saktësisht në Gjermani është mundësia më e madhe për avancim në punën që bëj si dhe kushtet e mira në punë. Me aq sa kam dëgjuar nga përvoja e kolegeve të mia puna në shtetin gjerman është shumë e qëndrueshme dhe kjo më ka motivuar të orientohem për në Gjermani”,- ka thënë Albulena.

Kurse infermieria Amra Hyka, e cila aktualisht punon si infermiere në departamentin e kirurgjisë së përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka përmendur tre faktorët, të cilët ndikojnë sipas saj, që të rinjtë braktisin Shqipërinë dhe zgjedhin shtetin gjerman për të ushtruar profesionin e mjekut.

“Të jemi realist në vendin tonë janë shumë faktorë që shërbejnë si indicie dhe shtysë për të rinjtë që t’a braktisin këtë vend. Por, unë do të përmend disa prej tyre: Pagat më të larta, kushtet e punës më të mira, respektimi dhe vlerësimi i figurës së mjekut”,-u shpreh Hyka.

Vetëm nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili është Universitet publik, në vitin 2019 dhe 2020 ka diplomuar 520 mjekë në degën “Mjekësi e Përgjithshme”, ndërsa po në të njëjtën periudhë kohore në degën infermieri janë diplomuar 131 studentë të rinjtë.

Fakultetit i Mjekisë ka bërë të ditur se studentët i mbajnë orët e tyre të praktikës vetëm në lëndët e caktuara.

“Studentët gjatë studimeve, punë praktike, i kanë vetëm ushtrimet të cilat janë të obliguara ti mbajnë gjatë vitit akademik, nëpër lëndët që i përcjellin. Nëse mendoni punë praktike me pagesë, ajo punë nuk ofrohet nga ana e Fakultetit”, -thuhet në përgjigje.

Për shkak të kushteve dhe gjendjes së shëndetësisë në Shqipëri dhe Kosovë mjekët dhe infermierët janë duke zgjidhur rrugët që të dërgojnë në shtete më të zhvilluar në shëndetësi.

Ministria e Shëndetësisë në Tiranë preferoi që të mos jepte shpjegime të mëtejshme rreth largimit të infermierëve dhe mjekëve drejt shtetit gjerman, pas kërkesës për informacion, duke u shprehur se:

“Lidhur me strukturat në varësi të MSHMS-së, konstatojmë se nuk ka mungesa në personel të kujdesit shëndetësor, profili infermier. Vlerësojmë se është e drejta e çdokujt për të lëvizur lirisht dhe për të ushtruar profesionin në vendin që dëshiron”. 

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

“Lufta” për të zënë një vend pune në profesionin e infermierit sa vjen dhe po bëhet më e vështirë si për infermierët e Shqipërisë dhe të Kosovë. Ata zgjedhin që të lenë këtë “luftë” dhe të drejtohen në vendet e Bashkimit Europian për të ushtruar profesionin e tyre, në kushtet, të cilat nuk i ofrohen në vendin e tyre.

Kjo histori është zhvilluar përmes programit “Media for All”, financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Përmbajtja dhe pikëpamjet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorëve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *