Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i DASH: Shqipëria probleme me lirinë e shprehjes, gjyqësorin dhe korrupsionin

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në raportin e fundit tregoi se Shqipëria gjatë 2021 shfaqi probleme me lirinë e shprehjes, korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe sistemin gjyqësor.

DASH thekson se pavarësisht se organet e reja të drejtësisë bënë përparim gjatë 2021, “mosndëshkimi mbeti nje problem”.

Sipas raportit, zgjedhjet e 25 prillit ishin të organizuara mirë, bazuar në raportin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Por pavarësisht kësaj, DASH thekson se pati mangësi “duke përfshirë blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale dhe avantazhin e konsiderueshëm të fituar nga partia në pushtet për shkak të të qenit në pushtet”.

“Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri”, është një na pikat e theksuara në raport. Sipas DASH, qeveria pati probleme në zbatimin e ligjit në mënyrë efektive. “Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thotë raporti. Në raport përmenden hetimet dhe akuzat e ngritura nga SPAK ndaj disa zyrtarëve publikë, ndaj ish ministrave, ish gjyqtarëve etj.

DASH thekson problemet me hetimin e rasteve të korrupsionit, ku përmend burimet e kufizuara, rrjedhjet hetimore, sistemin e paoganizuar mirë, që sipas raportit kanë penguar hetimet. 

Ndërsa prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit publik të nivelit të ulët dhe të mesëm, shkalla e ndjekjes penale për zyrtarët e rangut të lartë mbeti e ulët”, thotë raporti. 

Korrupsioni në polici është një tjetër pikë e përmendur në raportin e DASH, ku theksohet se “policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë”, duke përmendur këtu lidhjet personale, politike ose kriminale. 

Autoritetet vazhduan t’i adresojnë këto probleme duke përmirësuar objektet e policisë, automjetet dhe duke theksuar publikisht masat kundër korrupsionit”, thotë raporti.

“Korrupsioni dhe burimet e kufizuara penguan funksionimin e sistemit të drejtësisë”

Mbi sistemin e drejtëisë, DASH thekson se pavarësisht se kushtetuta parashikon një sistem gjyqësor të pavarur “presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”.

Raporti përmend mbylljen e seancave gjyqësore ndaj publikut dhe gazetarëve.

Qeveria vazhdoi procesin e monitoruar ndërkombëtarisht për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për shkarkimin e personave me pasuri të pajustifikueshme ose lidhje me krimin e organizuar”, thotë raporti.

Problemi i krijuar në 2021 me Gjykatën e Lartë, e cila pati mungesë të plotësimit me numrin e duhut të gjykatësve, është trajtuar në raporti ku vihet në dukje se deri më 31 korrik, Gjykata e Lartë kishte një numër të madh prej 36,608 çështjesh të prapambetura në pritje gjykimi.

“Liria e medias dhe të drejtat e njeriut”

DASH thekson se gjatë 2021 ka pasur raporte se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale, janë përpjekur të ndikojnë në media “në mënyrë të parpërshtatshme”.

Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehnin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh”, thotë raporti por shton se pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi median. Këtu DASH përmend kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve “që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin”.

Problemi kryesor që përmend DASH në raport me mediat, është fakti që “pronarët e bizneseve i përdornin lirisht mediat e tyre për të siguruar favore dhe për të çuar përpara interesat e tyre me (mbështetjen) e partive politike”.

Raporti thekson se shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera. 

Pati njoftime të besueshme se përfaqësues të lartë të medias përdorën organet e mediave për të ushtruan shantazh ndaj bizneseve duke i kërcënuar me mbulim negative”, thotë raporti.

Sipas raportit, faktor si presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur. Po ashtu edhe pasiguria ekonomike ka ndikuar në pavarësinë e gazetarëve, duke kontribuuar në mbulimin e njëanshëm të ngjarjeve nga ana e gazetarëve.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vazhdoi të raportonte vonesa të konsiderueshme në pagesat e pagave për gazetarët në shumë media”, thotë raporti.  

Për organizatat jo-qeveritare raporti thekson se “shprehën shqetësimin se etika profesionale ishte një prioritet i ulët për disa prej mbi 900 portalet e lajmeve në vend”.

Para zgjedhjeve parlamentare të prillit, organet e medias dhe shoqatat e gazetarëve u ankuan për mungesën e qasjes të pavarur të medias në takimet e fushatës të mbajtura nga partitë politike, të cilat preferuan t’u ofronin mediave përmbajtjen e tyre të redaktuar nga partia”, thotë raporti.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *