Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Skavica, hidrocentrali që “fundos nën ujë” Dibrën

Në ballë të protestës qëndron Ferzileta Gjika, e cila përsërit thirrjet kundër ndërtimit të hidrocentralit Skavica, mbi lumin Drin në Dibër. Ajo, së bashku me dhjetra banorë e aktivistë, rendën këtë të shtunë drejt Kryeministrisë, ku thirrën slogane që shfaqin krenari për vendlindjen e kundërshti për hidrocentralin e radhës.

“Është Dibra e Skënderbeut”, përsëriti me megafon Ferzileta, një dibrane e cila prej më shumë se 20 vitesh ka emigruar në Amerikë. Në fjalët e saj shquhet fare lehtë theksi i shtetit ku ajo jeton prej dy dekadash, por edhe krenaria e dashuria që ka për vendlindjen.

Ajo që më ka sjellë mua këtu është lidhja me vendlindjen, malli për vendlindjen. Unë dua të kthehem në Shqipëri dhe të jetoj këtu, të jetoj në vendin tim ku u linda dhe u rrita dhe atje dua që të vdes”, – thotë Ferzileta Gjika.

Ferzileta Gjika, protestuese

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) nënshkroi në muajin korrik të vitit të shkuar kontratën me kompaninë amerikane “Bechtel” për të filluar punimet e para për ndërtimin e hidrocentralit Skavica në lumin Drin, me kapacitet 210 megavat.

Kjo vepër hidrike, sipas KESH-it dhe kompanisë amerikane, do ta kthejë Shqipërinë në një lider absolut në sektorin rajonal të energjisë elektrike, por edhe në një eksportues të energjisë elektrike”.

Por dibranët nuk dëshirojnë të kryesojnë lista sa i përket prodhimit të energjisë me anë të përdorimit të lumit.

Dibranë dhe aktivistë protestojnë përballë Kryeministrisë kundër hidrocentralit të Skavicës

Bechtel-i shumë mirë mund të investojë në panelet diellore, në energjinë e erës dhe në ato gjeo-termale që janë praktikat më të mira të teknologjisë, që sot bota po i zhvillon”, – shprehet Ferzileta Gjika.

Përkundrazi, banorët e Dibrët nuk shohin asnjë dritë në fund të digës, por ndjehen, sikurse në burimet e tjera natyrore të saj, të shfrytëzuar dhe të humbur.

Ajo që dua të them unë është që nëse bëhet ky hidrocentral, nuk bëhet për dibranët”, – thotë për Citizens Channel një tjetër protestuese, Margarita Markja.

Margarita Markja, banore

Dibranët kanë krom, por fëmijët e dibranëve mbledhin krom në Bulqizë. Dibranët kanë llixha, por fondet e llixhave nuk investohen për dibranët në Peshkopi dhe në fshatra. Dibranët kanë lumë e ai duhet të jetë turizëm”, – vijon më tej Markja.

Historia e një qyteti, nën ujë

Në një publikim në faqen e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, titulluar: “Ndërtimi i Skavicës do të ketë një efekt të madh pozitiv”, përmendet në fakt, edhe një ndikim negativ; përmbytje në fshatrat përreth Dibrës.

Ky mbetet po ashtu një shqetësim i madh për banorët, të cilët ndjejnë që jo vetëm shtëpitë, por edhe historinë ndër shekuj do ta “mbulojë” uji. Diga e lartë do të çojë në krijimin e një rezervuari artificial, i cili do të mbulojë me ujë dhjetëra fshatra.

Fshatin tim, komplet, me 320 ekonomi, 20 shpia që i kemi, i mbulon uji. Tokë e shpia, komplet. Edhe 50 metra, hyp thellësia e ujit, shpiat dhe varrezat, komplet që janë të fshatit, i mbulon”, – thotë i moshuari Myftar Stërmilla nga fshati Katundi i Ri, i cili është larguar para pak vitesh nga Dibra, për t’u shpërngulur në Kamëz.

Myftar Stërmilla, protestues

Ai tregon me krenari që e ka restauruar kullën e tij dhjetra-vjeçare. Myftar Stërmilla druhet se i gjithë investimi i tij do të humbasë nën ujë. Teksa proteston përballë Kryeministrisë, ai e krahason kullën e tij me atë institucion.

Kullën e kam tre katesh, ja si kjo aty”, – thotë ai teksa drejton gishtin drejt Kryeministrisë.

“E kam rregullu kullën unë, është model. Nuk ka nevojë as për një gjilpërë, asnjë gozhdë. Edhe tokën po e kam aty ndër shpi. Ajo, me u përmbyt nën ujë, kurrën e kurrës nuk jam dakord”.

Për ta, fundosja e atyre fshatrave është turpi i gjithë Shqipërisë. “Ky vend që mbulohet me ujë përmban të dhëna historike që janë identitet i shqiptarëve edhe i Dibrës”, – ngulmon edhe Margarita Markja, pjesë e kësaj proteste.

Aty është vendlindja e Skënderbeut, aty janë zhvilluar beteja dhe lufta që flasin për historinë e vendit tonë në shekuj. Çdo vend aty është i emërtuar sipas ngjarjeve që kanë ndodhur dhe janë krenaria e asaj zone”.

Dëmet sociale dhe natyrore që do të sjellë Skavica

Sipas gjeografit Adriatik Balla, lartësia e madhe e digës prej më shumë se 400 metrash, përveç përmbytjes së 35 fshatrave do të izolojë po ashtu mbi 100 fshatra të tjerë. Kjo digë kaq e lartë do të ndajë luginën e Drinit të Zi në dy pjesë; në lindje dhe në perëndim, duke vështirësuar lidhjen mes tyre.

Ose do të bësh shumë ura, një investim katastrofik, shumë i madh ose do të ndërtosh tragete të vegjël, pra humbje kohe, shpenzime, ndërtime në infrastrukturë, krijohet ajo që quhet denatyralizim i Drinit të Zi”, – thotë Balla.

Ai shpjegon se ky projekt do të ndryshojë strukturën e përdorimit të tokës, duke nxjerrë jashtë loje me qindra hektarë pyje shumë të vlefshëm.

Adriatik Balla, gjeografit

Margarita Markja pohon se dibranët jetojnë përmes tokave bujqësore që do të përmbyten. Zhvendosja e tyre drejt zonave të tjera, thotë ajo, do t’u sjellë atyre probleme të mëdha sociale.

“Në kontekstin e krizës së papunësisë së madhe, nëse do të zhvendosen nga ky vend, në një vend tjetër, nuk kanë asnjë shans punësimi tjetër në sektorin privat, që është tejet i pazhvilluar në Dibër”, – shprehet Margarita.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *