Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Në gjyq për Vjosën”, 28 banorë kundërshtojnë ndërtimin e katër hidrocentraleve

28 banorë të fshatit Brataj të Vlorës, së bashku me organizatën mjedisore “EcoAlbania” dhe shoqatën “Impetus” kanë depozituar sot pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë akt-padinë kundër katër hidrocentraleve të planifikuara në lumin Shushicë, degë kryesore e lumit Vjosë.

Patjetër që ne kemi shumë shpresë prandaj kemi zgjedhur këtë rrugë, duke u alternuar dhe me rrugë të tjera. Do të protestojmë fuqishëm si komunitet, por do të ndjekim edhe rrugën ligjore”, – thotë për Citizens Channel Sotir Zahoaliaj, një nga 28 banorët që ka ngritur padinë në gjykatën e Tiranës.

Kontrata e nënshkruar në shtator 2017, parashikon ndërtimin e kaskadës me fuqi të instaluar rreth 15 MW, një kontribues minimal në nevojën kombëtare për energji”, – deklaroi sot në rrjetet sociale EcoAlbania pasi njoftoi për padinë kundër nisjes së punimeve nga firma “Shushica Hydropower”, teksa argumentohen vlerat e larta natyrore të lumit.

Vetëm në një vlerësim të shpejtë të biodiversitetit të realizuar nga grupi i shkencëtarëve për Vjosën, janë zbuluar 3 tre lloje të reja për shkencën, disa lloje të reja në Shqipëri dhe disa lloje të listuara në Listën e Kuqe të specieve të rrezikuara”, – shkruhet më tej në postimin e kryer.

Edhe Sotiri Zahoaliaj rendit vlerat e mëdha natyrore dhe arkeologjike, si arsye pse komuniteti i Bratajt kundërshton me ngulm ndërtimin e katër hidrocentraleve.

Sotir Zahoaliaj, banor, Brataj

Ura e Brataj është e rëndësisë së veçantë, për shkak se ka vlera shumë të mëdha arkitekturore, historike, edhe është një monument kulture e mbrojtur nga shteti. Ura që është atje nuk do të kishte asnjë kuptim pa ujin, pa lumin, pellgjet”, – pohon Zahoaliaj.

Ura e Bratajt listohet si Monument Kulture i Kategorisë së Pare, status që e gëzon prej vitit 1973.

Ura e Brataj, Monument Kulture, Kategoria e Parë

Kundërshtinë e komunitetit e pohon edhe kryeplaku i fshatit Brataj, Qemal Malaj.

Ne kemi 300 e ca firma me kartë identiteti i kemi të mbledhura që e kundërshtojmë. Ne vetë nuk kemi mundësi që të hapim padi civile dhe ia adresuam EcoAlbanias që të na përfaqësojë”, – shprehet Malaj për Citizens Channel.

Qemal Malaj, kryeplaku i fshatit Brataj

Nesim Jazaj, një banor 63-vjeçar i zonës, tregon se tharja e lumit do të sillte pasoja për komunitetin që jeton përgjatë rrjedhës.

Tani, sikur ata ta realizojnë, ata që lobojnë për këtë punë, për ne është shumë tragjike. Të thahet lumi deri në gjashtë kilometra, të bëhet shtrati i thatë dhe ta futësh në tuba…”, – rrëfen Jazaj, teksa pohon se ata e shfrytëzojnë ujin për shumë funksione.

Turizmi pikë e parë, plus që ne na hyn në punë për vaditje, për bagëtinë, është uji ku pi ujë bagëtia, ku lahen fëmijët”, – përmbyll Nesim Jazaj.

Shkeljet ligjore në miratimin e lejes për ndërtimin e hidrocentraleve

Në vitin 2017, kompania “Shushica Hydropower” mori lejen mjedisore për të ndërtuar katër hidrocentralet mbi Shushicë. Në vitin 2020, kompanisë i mbaroi afati kohor për nisjen e punimeve në terren, kështu që iu nënshtrua sërish procedurave.

“Shushica Hydropower” tashmë ka rinisur procedurat ligjore, duke zhvilluar një tjetër dëgjesë publike në muajin nëntor të vitit 2021 në fshatin Lepenicë. Dëgjesa publike është një ndër argumentet ligjore ku avokatët përfaqësues Dorian Matlija dhe Irena Dule argumentojnë se ka shkelje.

Në dëgjesën e zhvilluar në një lokal privat në Lepenicë më 04.11.2021, ishin të pranishëm vetëm 5 banorë të këtij fshati, 3 prej të cilëve nga e njëjta familje dhe asnjë prej tyre nuk ishte banor i Brataj, që është edhe kryeqendra e njësisë administrative”, – argumentohet në kërkesë padinë e bërë sot.

Po ashtu, argumentohet se Vlerësimi paraprak i Ndikimit në Mjedis nuk është publikuar në faqen e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, çka është detyrim ligjor.

Po ashtu, në Planin e Përgjithshëm Kombëtar (PPK), si instrumenti më i lartë i planifikimit të territorit në Shqipëri, nuk parashikohet asnjë ndërtim hidrocentralesh mbi lumin Shushicë.

Edhe Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV) i Bashkisë Selenicë, në të gjithë përmbajtjen e tij prezanton strategjinë e zhvillimit të lumit të Vlorës (Shushicës) si edhe të gjithë zonës drejt turizmit dhe agro-turizmit.

Në padi theksohet se tashmë Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka miratuar lejen pa Vlerësim të Thelluar në Mjedis (VNM), duke shmangur studimin e thelluar për efektet negative në mjedis nga ndërtimi i katër HEC-eve.

Më herët, në vitin 2018, kjo Agjenci kishte vlerësuar se ndërtimi i 4 HEC-eve mbi lumin Shushicë duhej të kalonte në procesin e VNM-së së thelluar.

Përmes kësaj padie, kërkohet pezullimi i zbatimit të kontratës mes Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe kompanisë “Shushica Hydropower” deri në zgjidhjen përfundimtare me vendim të formës së prerë dhe shfuqizimi i vendimit për miratimin e VNM-së paraprake.

Që prej muajit mars 2022, Citizens Channel i ka dërguar kërkesë për koment firmës “Shushica Hydropower”, e cila nuk u përgjigj deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *