Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Arrestimet, mungesa e transparencës dhe minimumit jetik, ndër shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë 2021”

Tërmeti dhe pandemia nuk kanë ndihmuar në çështjen e të drejtave të njeriut. Në shumë fusha jetësore, përgjatë vitit 2021 janë vënë re shkelje e të drejtave themelore të njeriut që lidhen me raportin e qytetarit me institucionet shtetërore dhe ligjvënësit.

Këto pohime janë shprehur përmes një raporti vjetor të Avokatit të Popullit, që u prezantua të martën përpara Komisionit të Ligjeve në Kuvend.

Avokati i Popullit vë në dukje shoqërimin e qytetarëve në komisariat nga policia duke përdorur dhunë. Po ashtu raporti thekson se në ambientet e shoqërimit ka pasur kushte jo të mira, si mungesa e numrit të dhomave të shoqërimit, mungesa e orendive për të qëndruar ulur, kushteve higjieno-sanitare dhe kujdesi ndaj Covid-19.

“…numri i lartë i të shoqëruarve dhe arrestuarve ndër të cilët edhe të mitur; mungesa e dezinfektantëve dhe e maskave mbrojtëse nga Covid-19; shoqërimi i disa të miturve nën moshën 14 vjeç; mos plotësimi i Formularit të Raportit të Shoqërimit për të miturit e shoqëruar; mos kryerja e kontrollit mjekësor të disa personave të arrestuar dhe mos plotësimi i kartelave shëndetësore; kushtet e papërshtatshme në ambientet e shoqërimit dhe sigurimit; mos informimi i familjarëve të disa të arrestuarve për vendndodhjen e tyre, në veçanti për ata të transferuar në komisariate jashtë qytetit të Tiranës për mungesë kapacitetesh; pyetja e të arrestuarve pa praninë e avokatit”,- janë disa nga problematikat e përmendura në raport.

Në raport një vëmendje zë edhe procesi i shembjes së banesave në zonën e 5 majit.

Sipas raportit mungesa e transparencës dhe vendosja e afateve të shkurtra në njoftim për prishje të ndërtimit janë disa nga problematikat e veprimtarisë së IMT-së, strukturë pranë bashkisë Tiranë.

“Dëmi financiar i shkaktuar nga ana e IKMT-së, apo të IMT-ve në bashki, gjatë prishjes së objekteve të ndërtuara me leje që, paraprakisht janë përfshirë në procesin e shpronësimit për interes publik, por që ende nuk kanë marrë vleftën e dëmshpërblimit që i takon, përbën kosto shtesë”,– thuhet në raport.

Ndër të tjera kujdesi social ndaj qytetarëve rezulton të jetë i ulët sipas raportit.

“Masa e ndihmës ekonomike vijon të raportohet nga qytetarët në ankesat e tyre edhe përgjatë vitit 2021, si shumë e ulët në raport me shpenzimet mujore më të domosdoshme për të mbijetuar, e jo më pastaj të synojë të zbusë varfërinë dhe të mundësojë integrimin social të individëve dhe familjeve, çka përbën edhe objektivin kryesor të këtij instrumenti të mbrojtjes sociale”.

Shqipëria është një nga vendet që ende nuk ka një ligj për minimumin jetik, ndërsa Avokati i Popullit e konsideron si të pajustifikueshme mungesën e këtij ligji.

Sa i përket barazisë gjinore, Avokati i Popullit thekson pandemia pati ndikim më të madh te grupet vulnerabël, mes tyre te vajzat dhe gratë.

“…humbja e vendit të punës;  vështirësi në aksesin ndaj shërbimeve sociale e juridike; rritja e fenomenit të dhunës nga partnerët apo pjesëtarët e tjerë të familjes, e manifestuar kjo si dhunë në të gjitha format, fizike psikologjike e seksuale”,-thuhet në raport.

Komuniteti LGBTIQ+ sipas Avokatit të Popullit u përball me problematika të shtuara gjatë 2021, për shkak edhe të pandemisë. Punësimi, strehimi, siguria dhe ekonomia e përkeqësuar janë disa nga fushat ku u vunë në dukje këto problematika.

“Papunësia e lartë mes anëtarëve të komunitetit LGBTIQ, ka të bëjë me faktin se ky komunitet vuan nga numri i lartë i papunësisë sistemike, për shkaqe të tilla si: diskriminimi, bullizmi dhe largimi i komunitetit LGBTIQ nga sistemi arsimor”, -thuhet në raport.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen edhe për gjendjen në të cilat ndodhen spitalet e kujdesit të shëndetit mendor në Shqipëri.

Përmirësimi i kushteve infrastrukturore në spitalet e inspektuara në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Tiranë e Zahari është një nga kërkesat e Avokatit të Popullit, dukë shtuar më tej edhe nevojën për staf të shtuar përkujdesjes.

Sipas Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, edhe pse mbyllja institucionit të Zaharisë ku trajtoheshin personat me probleme të shëndetit mendor, sërish situata mbetet problematike.

“Ne kemi bërë një verifikim dhe kemi vajtur edhe në Shën Koll dhe na duhet të themi fatkeqësisht se edhe Shën Kolli megjithëse ka përmirësim për sa i përket kapaciteteve dhe kushteve infrastrukturore, mbetet një strukturë e papërshtatshme dhe në kundërshtim me paragjykimet ligjore për mbajtjen e këtyre qytetarëve”,-u shpreh Ballanca.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *