Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Drejtësia e vonuar” si zvarritja e padive mohon të drejtën për mbrojtjen e mjedisit

Shtatë vite që nga nisja e padisë dhe ende nuk ka përfunduar procesi i gjykimit për çështjen e ndërtimit të Këndit të Lojërave te Parku i Liqenit.

“Energji të humbura, pritje të stërzgjatura, shtyrje procesi, orë të gjata në salla gjyqi”, këto janë kujtimet e aktivistëve që paditën Bashkinë Tiranë për projektin e këndit të lojërave.

E mbaj mend seancën ku gjykata hodhi poshtë kërkesën tonë për sigurim padie. Mbaj mend arsyetimin sepse m’u duk vendim arbitrar dhe abuziv”, kujton aktivistja Rezarta Çaushaj. Ajo ka marrë pjesë në protestat tek Parku i Liqenit  si dhe në proceset e stërzgjatura kundër Bashkisë Tiranë.

Rezarta Çaushaj, aktiviste

Gjykatësi lejoi vazhdimin e punimeve, pasi ato kishin filluar dhe me pak fjalë dëmi ishte bërë”, thotë Çaushaj.

Organizatat mjedisore hasen me një kalvar të gjatë burokratik kur vjen fjala tek paditë kundër krimeve mjedisore.

Së pari, legjislacioni shqiptar mjedisor nuk përmban rregulla të posaçme lidhur me kriteret që këto organizata duhet të plotësojnë në rastet e prezantimit të padive në gjykatë, ndryshe nga legjislacioni i Bashkimit Evropian.

Një studim i Qendrës “ResPublica” për paditë kolektive dhe ligjin shqiptar tregon se qytetarët gëzojnë me ligj të drejtat për mbrojtjen e mjedisit por “këto të drejta jo vetëm nuk respektohen, por shpesh herë miratimi i akteve administrative në fushën e mjedisit ka sjellë dëme të pariparueshme në mjedis”.

Avokatja Irena Dule nga ResPublica shprehet se pengesa më e madhe në këtë aspekt është tejzgjatja e një gjykimi përtej afateve të asryeshme.

“Ndërsa çështja është në shqyrtim gjyqësor sjell dëme të parikuperueshme, pasi dëmi në mjedis nuk zhbëhet edhe në rast eventual të fitimit të gjyqit”.

Pengesa të tjera logjistike mbeten shpenzimet e larta që duhet të përballojnë organizatat.

Po ashtu për Dulen mbetet problem “mungesa e fleksibilitetit si nga ana e legjislacionit edhe nga ana e gjyqtarëve për të konsideruar thirrjen si ekspertë të fushave të ndryshme që lidhen me biodiversitetin/mjedisin nga fakultete apo organizatat serioze që kanë kapacitete dhe ekspertizë shumë herë më të vlefshme se ekspertët e listuar në listat e miratuara të gjykatave”.

Irena Dule, avokate

Së fundmi, avokatja konsideron si problematike ngritjen e padive nga organizata pa kapacitete dhe avokate jo profesionistë “të cilët orientojnë keq pa profesionalizëm çështjen, duke humbur shansin e një gjykimi cilësor”.

“Mangësitë ligjore lejojnë krimin mjedisor”

Edhe pse Shqipëria e ka të detyruar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, për të përafruar legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian, janë bërë ndryshime dhe përmirësime në praktika në vitet e fundit, por ende ka shumë mangësi. Lufta e gjatë që kanë bërë organizatat dhe aktivistët e mjedisit ndër vite me gjykatat, ka krijuar disa raste pozitive.

Avokatja Irena Dule sqaron se “pengesat kanë ardhur duke u zvogëluar falë praktikës gjyqësore të kohëve të fundit e cila është gjithmonë dhe më avantazhuese për organizatat”. Më herët praktika e ndjekur nga gjykatat ishte më e ndërlikuar dhe pengonte organizatat të bënin padi dhe nuk pranonte të niste gjyqin me argumentin e legjitimitetit.

Kjo vjen për shkak të legjislacionit të paqartë”, sqaron Dule dhe shton se kjo pengesë mendohet të tejkalohet në gjykimet e ardhshme nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Por edhe pse ka pasur përmirësime në praktika, problem mbetet ende “rrëzimi nga gjykatat në masën dërrmuese të kërkesave paraprake për pezullimin e projekteve që dëmtojnë mjedisin, deri në përfundim të gjykimit”. Dhe kjo sjell dëm të parikuperueshëm në mjedis.

“Shoqata Toka kundër ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Valbonë” dhe “Banorët e fshatit Laknas kundër ndërtimit të një thertoreje në pyllin e krijuar nga banorët”, janë dy raste që konsiderohen si precedent i mirë.

 “Shpresojmë të ndiqen nga gjykatat më të ulëta në rastet e ngjashme mjedisore që priten të zhvilohen në të ardhmen”, shprehet Dule.

“Kalvari burokratik si mjet për të mbytur rezistencën”

Përpos faktit që rasti i Shoqatës TOKA sot mund të konsiderohet pozitiv, ai ka kaluar një kalvar të gjatë burokratik që nga viti 2016.

Sipas aktivistëve, ky proces i stërzgjatur me vite është përdorur jo rallë herë si mjet për të lodhur organizatat dhe për “të mbytur rezistencën”.

Mungesa e ligjit ka lënë në dorë të gjyqtarëve intepretimin, të cilët në raste të ngjashme kanë vepruar ndryshe.

Punimet e firmës Dragobia Energy për ndërtimin e HEC-eve në Luginën e Valbonës

Rasti i parë ku Gjykata ka vepruar ndryshe dhe ka pranuar të shqyrtoj padinë është rasti i Vjosës.

37 qytetarë sëbashku me EuroNatur, Riverqatch dhe Eco Albania ngritën një padi kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për mbrojtjen e Vjosës nga ndërtimi i HEC-it Pocem.

Çështja u mor në gjykim dhe ishte rast suksesi në aspektin e legjitimimit të padisë.

Gjykata ka legjitimuar si banorët edhe një nga shoqatat paditëse me arsyetimin se paditësit ishin të regjistruar si banorë të zonës ku do të ndërtohej hidrocentrali dhe për këtë arsye janë palë të interesuara.

Foto e shkëputur gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Administrative ndërmjet shoqatës TOKA , Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për çështjen e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës.

Ndërkohë në rastin e padisë së Shoqatës TOKA së bashku me 27 banorë, kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, lidhur me ndërtimin e dy HEC-eve Dragobia mbi lumin e Valbonës, Gjykata veproi ndryshe. Gjykata e rrëzoi padinë me argumentin se “që paditësit t’i drejtohen gjykatës me padi duhet të kenë interes, ku ky i fundit duhet të ketë disa elementë, të jetë legjitim, personal dhe direkt, i lindur dhe aktual”.

Më pas, Gjykata pranoi se paditësit kishin të drejtë t’i drejtoheshin gjykatës për çështje që kanë të bëjnë me informimin dhe për çështje ku ata pretendojnë se duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes. Por nga ana tjetër argumentoi se “ndërtimi i hidrocentraleve nuk bën pjesë në Aneksin 1 dhe paditësit nuk provojnë interes të ligjshëm”.

Gjykata u shpreh se vërtet paditësit e kishin të drejtën që t’i drejtoheshin gjykatës, por ata duhet të provonin se mjedisit i kishte ardhur një dëm.

Catherine Bohne, organizata TOKA/ FOTO:LSA

Catherine Bohne, aktiviste e qendrës TOKA, i tha Citizens Channel se në vitin 2017 gjykata argumentoi se çdo vendim i marrë nga qeveria  “është marrë në interesin më të mirë të popullsisë, kështu që popullata të kundërshtojë një vendim të tillë është absurde, dhe për këtë arsye të drejtat e Aarhus-it nuk aplikohen”.

Ajo tregon se nga përvoja e saj “gjykatat bashkëpunojnë për ta bërë procesin sa më të gjatë”.

Kur caktohet një seancë, 2 nga 3 herë gjyqtari nuk paraqitet, duke bërë që seanca të shtyhet me muaj apo edhe vite”, shprehet Bohne. Çështja e Valbonës shkoi deri në Gjykatën e Lartë.

Gjatë punimeve të ndërtimit të HEC-eve.

Pas një beteje 6-vjeçare kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë, banorët e zonës korrën një fitore të vonuar më 21 korrik 2021, kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi si masë sigurie pezullimin e kontratës së koncesionit për HEC Dragobia dhe Çeremi, duke u kthyer kështu në një praktikë pozitive. Por qeveria bëri “një sy qorr” ndaj këtij vendimi, pasi HEC-et vijuan punën edhe pse gjykata vendosi ndryshe.

“Banorët nuk kanë të drejtë të ngrenë padi”

Një tjetër rast që tregon zvarritjen institucionale dhe pengesat që hasin organziatat për të bërë një padi për dëmet mjedisore, është ai i kundërshtimit të ndërtimit të Këndit të Lojrave te Parku i Liqenit. Pengesat në këtë rast janë edhe më të mëdha se rasti i Valbonës.

Argumenti që përdori Gjykata në rastin e Parkut të Liqenit, ishte edhe më i ndërlikuar, pasi në këtë rast kërkonte nga paditësit të provonin se atyre vetë u kishte ardhur një dëm dhe se nuk mjaftonte fakti që mjedisit i kishte ardhur ose që rrezikohej ardhja e një dëmi.

Foto gjate protestave te Parku i Liqenit

Projekti i Këndit të Lojërave jo vetëm që nuk u bë me një konsultim publik por në shkurt 2016, pa asnjë njoftim paraprak publik dhe përpara miratimit të një akti të vlefshëm administrativ, një pjesë e Parkut të Liqenit në Tiranë u rrethua nga Bashkia e Tiranës.

Paditësit argumentonin se projekti ishte i paligjshëm, i cili u kundërshtua edhe me protesta nga qytetarë dhe aktivistë.

Padia në këtë rast u bë nga qytetarë të angazhuar të përfaqësuar nga avokatë të Qendrës ResPublika. Ata paditën Bashkinë Tiranë dhe kompaninë private ndërtuese lidhur me këtë veprimtari.

Ishte një vendim shumë shkurajues për njëfarë kohe, por mënyra se si bashkia, e ndihmuar nga qeveria kopsiti formalisht të gjitha abuzimet ligjore në një kohë rekord, na motivoi të vazhdonim luftën në gjykatë”, kujton aktivistja Rezarta Çaushaj.

Parku i Liqenit e rrethuar nga Bashkia Tirane per te nisur punimet

Padia e tyre u rrëzua nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, e cila vendosi rrëzimin e kërkesës së padisë së aktivistëve, me argumentin se ata duke mos qenë pronarë të prekur të liqenit nuk ishin dëmtuar drejtpërsëdrejti.

Mbi këtë arsyetim gjykata nuk u thellua të merrte në shqyrtim argumentet për paligjshmërinë e zbatimit të projektit.

Vendimi u la në fuqi në dhjetor 2020. Gjykata Administrative e Apelit ndryshe nga Gjykata e Shkallës së Parë, i njohu të drejtën aktivistëve në ngritjen e padisë, por nuk vlerësoi drejt kërkimet e tyre në lidhje me paligjshmërinë e zbatimit të projektit.

Kjo çështje u dërgua në Gjykatën e Lartë nga avokatët e qendrës ResPublica.

Dule shprehet se “është e vetdijshme se nuk do të ketë efekt mbi dëmin e shkaktuar tashmë në mjedis, por do të vlejë në formën e një litigimi strategjik, synim i të cilit është vendosja e një praktike të mirë, për t’u ndjekur në çështje të së ardhmes”.

Foto e aktivisteve duke u perplasur me policine gjate protestave te Parku i Liqenit/Foto: Panorama

“Beteja vazhdon për të dëgjuar edhe Gjykatën më të lartë në vend dhe pse jo për të kërkuar nga ajo edhe unifikimin e praktikës gjygjësore lidhur me legjitimimin, masën e sigurisë, e të tjera çështje të ngritura aty”, thotë Dule.

Aktivistet duke u perplasur me policine tek protestat te Parku i Liqenit/Foto: Panorama

Tashmë padia ka udhëtuar prej 6 vjetesh nga Shkalla e Parë Administrative, e cila nuk e legjitimoi ankimimin tonë, në Apelin Administrativ i cili e legjitimoi dhe tashmë që padia ka shkuar për rekurs në Gjykaten e Lartë”, thotë aktivistja Rezarta Çaushaj.

Ajo shprehet se pavarësisht se drejtësia “nuk është shumë shpresëdhënëse” me rastin e Parkut të Liqenit aktivistët duan të japin një mesazh “që lufta për një kauzë duhet të vazhdojë deri në fund”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *