Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Pak më shumë për orët dhe zanat, qeniet mitike që mbrojnë natyrën”

Ali Ismalaj, një burrë i moshuar nga Çeremi i Tropojës, fillimisht refuzon të shprehë qëndrimin e tij ndaj zanave dhe orëve. Në nisje të bisedës, sapo këto qenie mitike përmenden, ai distancohet dhe shprehet se është “çik ateist”.

Megjithatë, Aliu zbulon se në fakt, në anët e tij, banorët u drejtoheshin zanave sa herë ndodheshin në situata jo fort të mira. “Zanat i quanin si mbrojtëset tona”, – vazhdon Aliu

Edhe orët, thotë ai, besohet se mund të të shpëtojnë nga rreziqet. Pas pak minutash, ai pohon se kur ia hedh paq ndonjë situate të vështirë, i referohet orëve.

Po më ndodhi një fatkeqësi dhe po u rrëzova nga kjo pema dhe shpëtova, them: mu më shpëtun orët”, – rrëfen ai.

Ali Ismalaj

Zanat dhe orët janë qenie mitike, të pranishme në folklorin tonë. Ato shfaqen të fuqishme, veçuar ndaj njerëzve, që mbrojnë natyrën dhe ndëshkojnë ata që e cenojnë atë.

Sidomos orët e malit shfaqen si mbrojtëse të pronës së përbashkët, të mrizeve dhe të botës së egër. Ato janë ndëshkuese ndaj atij apo atyre që e teprojnë shfrytëzimin e pa sens të së mirës së përbashkët”, – shpjegon antropologu Nebi Bardhoshi gjatë një takimi të zhvilluar rreth kësaj teme.

Besimi në zanat dhe orët u luftuan veçanërisht gjatë regjimit komunist.

Gjatë komunizmit shteti i ka shpallë si prapanike”, – citon Bardhoshi, i cili pohon se përkundrejt qasjes nga autoritetet e atëhershme, njerëzit kanë rezistuar, e madje disa prej tyre dëshmojnë që kanë i kanë parë ose i kanë dëgjuar zanat dhe orët.

Orët, shtjellon Bardhoshi, nuk mund të numërohen; ato gjenden te çdo gjë e gjallë.

Tek ne, ora është kudo. Në zonat ku është besu për orën, ajo është në shpi, është te individi, te çdo gjallesë e bimë dhe qëllimi i saj kryesor është për me rujt pikërisht zonën dhe botën”, – thotë antropologu Nebi Bardhoshi gjatë një takimi të organizuar të martën po rreth zanave dhe orëve.

Nebi Bardhoshi, antropolog

Të dektë ora!” është një prej nemëve më të përhapura në veri, që shpreh doza pakënaqësie ndaj një tjetër individi, kur ky i fundit nuk arrin të kryeje një veprim sipas pritshmërive të tij.

Sa i përket marrëdhënies së njerëzve me orët dhe zanat, antropologu Bardhoshi thekson, se ata i druheshin fuqisë së zanave, por edhe i nderonin ato. Në disa raste, i luteshin atyre për ndihmë.

Lutjet janë të pakta. Ndër shaljanë kam dëgjuar dhe lexuar se janë lutur “Ndihmo Zot e Ort e Shalës!”, dhe ndërkohe bënin kryq. Ketë lutje e kanë bërë në shumë raste, por dhe specifikisht kur kalonin qafat e malit”.

Në botën mitike, vijon më tej Nebi Bardhoshi, zanat janë gra: “Nuk është çudi që në shoqëritë patriarkale droja më e madhe të jetë gruaja. Dhe nuk është çudi fare që duke pas kompleksin më të madh qenien grua, ta lartësojë në botën mitike”.

A janë zanat dhe orët të njëjta?

Nebi Bardhoshi shpjegon se zanat dhe orët shpeshherë njehësohen, por në shumë raste qëndrojnë të ndara si qënie mitike.

Për zanat:

Zanat zgjedhin kryesisht të jetojnë, sipas besimeve në vende natyrore, të virgjëra, larg botës njerëzore. Pushojnë ndër mrize. Mrizet duhet të kenë hijen e fortë, të rëndë. Ndër korije, apo zabele shume të bukura, plot hije, plot freski. Në bjeshkë.

Nuk mbahen se kanë një truall fiks, por ato enden. Kanë fuqi të jashtëzakonshme. Munden me të shitu. Shitimi, është shuarje nga kjo jetë, ngrirje në vend, por më shume është gjymtim.

Shitimi është si një trajtë e epërme e magjepsjes, dorëzimit të plotë ndaj një bukurie, ndaj një takimi me një botë tjetër, krejt mendjemarrëse”.

Bardhoshi thekson se zanat na paraqiten si qenie që e ruajnë natyrën dhe strehohen në zona që nuk janë prekur nga dora e njeriut.

Zanat shfaqen si dredharake, si zemrake, por edhe si besëmbajtëse. Duket se konflikti kryesor zhvillohet mes njerëzve dhe zanave për natyrën e egër e ndoshta, konflikti i pare është me njeriun gjahtar, e qe vjen duke u thelluar me blegtorët qe djegin male e krijojnë kullota. Konflikti vjen duke u thellu, me kulturën bujqësore dhe me njeriun teknologjik, kërkon të ndahet njëherë e mire”.

Për orët:

Orët, sqaron Bardhoshi, shfaqen në trajat të pafundme; çdo krijesë ka një orë.

Ora është një qenie e cila shëmbëllehet si hije, si gjarpër, si nuse [si më e bukura e dheut]. Në kuptimin më të gjerë, Orë ka çdo qenie e gjallë. Pra: vetë gjallnia.

Nga insektet, bimë, dru, njerëz, bashkësi njerëzore duhet të kenë orën e tyre, ose vetë gjallnia dhe ritmi i saj, është dhe vetë rimi i  Orës.

Në krahina të mbidrinit, shfaqet ora e njeri ut, ora e shtëpisë, ora e fisit, e aty këtu edhe ora e Kishës. Pastaj kemi orë mali dhe si variant të saj Ora e bjeshkës. Vendet, pra troje të caktuara janë me orë ose pa orë”.

Gjarpri si orë shtëpie:

Ora e shëmbëllyer te gjarpri është më e përhapura, shpjegon antropologu Bardhoshi.

“Ajo më shumë shfaqet si roje e shtëpisë, por ajo shfaqet edhe në trupin e njeriut, edhe jashtë trupit të njeriut. Është më shumë interes kjo shëmbëlltyrë, sepse gjarpri njëherazi është ndër figurat me të frikshme, e njëherazi merr atributet e asaj që është parë njëherazi si shpirti dhe fati i njeriut”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *