Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Avokatët: “Rama dhe Veliaj sulmuan gjyqtarët pasi humbën tre çështje kundër banorëve të Kombinatit”

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj kanë sulmuar gjyqtarët në rastet kur këta të fundit kanë dhënë vendime kundër tyre.

Ky është shqetësimi që ngrenë Avokatët Irena Dule dhe Dorian Matlija i kanë dërguar një letër disa institucioneve si KLGJ, ILD, OSBE, Dhomës së Avokatëve etj.

Në këtë letër ata konstatojnë se përfaqësuesit e qeverisë në tre raste “kanë anatemuar, akuzuar për korrupsion dhe kërcënuar gjyqtarët që kanë shfuqizuar vendimet e paligjshme të Këshillit  Bashkiak Tiranë”.

Disa familje në zonën e Kombinatit në Tiranë, pronat e të cilëve janë vendosur të shemben me Vendime të Këshillit Bashkiak Tiranë, pasi janë shpallur të dëmtuara nga tërmeti, i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për të kundërshtuar këto vendime.

Në të gjitha rastet gjykata ka pranuar padinë e banorëve duke shfuqizuar vendimet e Këshillit Bashkiak si akte të paligjshme.

Një pjesë tjetër e proceseve vijon gjykimin në gjykatën e shkallës së parë dhe bazuar mbi provat e administruara në proces konstatohet ekzaktësisht e njëjta gjendje.

“Përfundimet e gjykatës janë bazuar në prova shkresore dhe akt ekspertiza teknike të pakundërshtueshme, ku në çdo rast është konkluduar pa asnjë ekuivok se pallatet nuk janë të dëmtuar në masën që ligji parashikon shembjen e tyre, ndryshe nga sa ka pretenduar Bashkia Tiranë dhe Këshillit Bashkiak Tiranë”, thuhet në letrën e avokatëve.

Dule dhe Matlija ndjekin çështjen e banorëve të Kombinatit, në cilësinë e avokatëve ata shprehin shqetësimin e tyre për reagimin e Ramës dhe Veliajt ndaj gjyqtarëve.

Avokatët kërkojnë një reagim “energjik nga ana e institucioneve që qeverisin pushtetin gjyqësor, si dhe të gjithë faktorëve që mbështesin parimin e drejtësisë së pavarur dhe të paanshme”.

“Këta gjyqtarë kanë pasur ‘mëkatin’ e vetëm që me short t’u binte gjykimi i këtyre çështjeve dhe ata kryen detyrën me profesionalizëm dhe integritet”, thuhet në letër.

Sipas avokatëve, Rama dhe Veliaj kanë thurur akuza publike për korrupsion ndaj gjyqtarëve.

“Si njohës të banorëve të Kombinatit, nuk mund të mos theksojmë se ata që i janë drejtuar gjykatës kanë një nivel modest ekonomik”, thuhet në letrën e avokatëve duke shtuar se hedhja e akuzave për korrupsion ndaj banorëve “ është në rastin më të mirë dashakeqe dhe në rastin më të keq është kriminale”.

Përmes kësaj letre Dule dhe Matlija shprehen se ndihen të cenuar të ushtrojnë profesionin e tyre pas këtyre sulmeve.

“Njëherazi si avokatë dhe si qytetarë ndiejmë indinjatë kur shohim se si Kryeministri i vendit dhe një palë kundërshtare në gjyq siç është Bashkia Tiranë, përdorin mjete jo ligjore si propaganda në media, duke akuzuar hapur dhe kërcënuar gjyqtarët”, thuhet më tej.

“Banorët e Kombinatit dënojnë sulmet e Ramës dhe Veliajt”

Banorët e Kombinatit të prekur drejtpërdrejt nga kjo çështjet, përmes një deklarate publike kanë dënuar gjuhën e përdorur nga kryeministri dhe kreu i bashkisë.

“Me përbuzje dënojmë këto akte rrugaçërie politike të këtyre dy individëve të veshur me pushtet, që nuk kanë aspak respekt për shtetformimin, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe figurën e gjyqtarit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të banorëve të kombinatit.

“Erion Veliaj është përfaqësuesi zyrtar i palës së paditur në këto procese gjyqësore dhe flet nga kjo pozitë, si një gjyqhumbës.  Ai gënjeu publikun sikur i ka fituar të gjithë gjyqet, ndërkohë që nuk ka fituar asnjë”, thuhet në deklaratën e banorëve.

Veliaj i ka sulmuar banorët e Kombinatit duke i quajtur si të “kapur nga opozita”. Ata shprehen se kjo deklaratë nuk ka asnjë bazë “jo vetëm faktike, por edhe logjike, për sa kohë asnjë banor i prekur dhe as avokatët nuk janë të atashuar në asnjë forcë politike”.

Banorët e kanë dënuar sulmin e Ramës dhe Veliajt ndaj gjyqtarëve dhe shprehen se “qytetarët e Kombinatit janë njerëz të ndershëm që jetojnë në banesa modeste dhe po i mbrojnë ato në mënyrën më qytetare të mundshme”.

Së fundmi ata janë të bindur se dhënia e drejtësisë “duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje apo paragjykimi, nga palët në proces dhe zyrtarët e lartë”.

Lexo edhe: “Të pastrehët e rinj të periferisë” – Si nxitimi për ngritjen e qendrave vanitoze po prodhon konflikt social në Tiranë

Ndiq videon:

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *